Diaspora na jep leksione se si duhet të funksionojë një shtet demokratik

Diaspora

Diaspora na jep leksione se si duhet të funksionojë një shtet demokratik

Nga: Baki Ymeri Më: 28 shtator 2019 Në ora: 13:27
Dede Preqi

Aktiviteti letrar është arti më i magjepsur në krahasim me veprimtaritë e tjera, ngase ai përfaqëson një nga fushat më të rëndësishme të manifestimit të talentit. Jeta pa kulturë është si livadhi pa lule. Autori i kësaj vepre është i qetë dhe i qartë, gjakëmbël dhe trim. Librat për të janë burim energjie dhe ekuilibri. Ai ka imagjinatë të bujshme, energji intelektuale dhe gjak të nxehtë, sepse shpirti i tij poetik gërshetohet me aftësi të jashtëzakonshme për të krijuar edhe perla publicistike për deshifrimin e realitetit kosovar. Dedë Preqi është një simbol i qëndresës shqiptare në trojet e mërgimit. Ai është njëri nga kritikët më të rëndësishëm që ka Kosova në perëndim, i cili shkruan me përkushtim analitik dhe artistik për Kosovën e zemrave tona.

Deda është zëri i gjallë i disporës sonë, gjithmonë prezent me shkrimet e tij te Bota sot dhe Zemra Shqiptare. Në veprat e tij me karakter publistik, ai na jep një pasqyrë të  gjallë të historisë dhe qytetërimit shqiptar. Autori e fshikullon ligësinë dhe afirmon mirësinë, sidomos në fushën enigmatike të politikës ballkanike. Ai shkruan me një sinqeritet që i ka hije, për krenari kombëtare dhe trauma sociale, për sundimin e një klani mafiotik si pasojë e të cilit rinia i ka humbur shpresat dhe merr rrugën e mërgimit, Kosova po zbrazet, ndërsa populli përjeton një mjerim ekonomik të papërshkruar. Gazetaria është një rrjedhë ideshë. Dedë Preqi inkorporohet në spektrin e gazetarëve që dinë të observojnë, të meditojnë, të krahasojnë, të sugjerojnë, të gjykojnë me objektivitet dhe të informojnë në kohën e duhur. Autori nuk shkruan me pretekts për të fituar famë apo para, por ai shkruan me pretekst për ta njohur opinionin shqiptar me realitetin kosovar. Opinionet e tij janë interesante dhe mbresëlënëse. Meditimet e tij vërtiten nën lëkurën e retrospektivës dhe shkojnë në favor të ideve, objektive, konstruktive, realiste dhe të qarta.

Autori gjendet në interval të opinioneve aktuale. Imagjinata e tij është e bujshme, e pakufishme dhe e pafrenueshme. Ai mediton dhe shkruan për atdheun dhe atdhedashurinë përtej inekzistencës së ekzistencës. Dedën e mundojnë brengat ballkanike të sivëllezërve dhe simotrave të tij në Kosovë. Kosova dergjet mbi tokën tonë baltore. Ajo po kalon nëpër tehun e imazheve. Imazhe romantike për klasën e degjeneruar politike, dhe imazhe të zymta për qytetarin e rëndomtë apo për ishushtarin e lirisë që detyrohet të bëjë vetëvrasje si pasojë e skamjes dhe pamundësisë për ta mbajtur gjallë familjen. Sipas një analisti politik, dështakët mendojnë se qytetarët po merren me taksën, mirëpo qytetarët po kërkojnë të kenë punë dhe punësim, të kenë mbrojte në sektorin privat, ligjin për pagat në sektorin civil dhe publik.

Njeriu që e rilindi Kosovën, Lëndina e Pikëllimit, Simbolika e Ditës së Flamurit, Brutaliteti i një mentaliteti, Është kjo krenari mbi pare, apo një budallaki shqiptare, Burreci i raketave, Çfarë kompleksi ka Aleksi, Dhuna s’ka pikë turpi dhe as pikë dallimi! Diasporë të duam si sytë! Me djersën tënde na mëkëmb dhe na sjell dritë! E nëpërkëmbur ngado që shkove, por dashurinë ndaj atdheut kurrë s’e harrove! Driblimet e Hashimit deri te këmbët e Putinit, janë disa nga sintagmat e preferuara të autorit, disa nga to duke qenë tituj artikujsh. Deda shkruan për promotorët e ligësisë, për për klasën e dështuar politike të viteve të fundit, për njerëzit e mjegullës, që vetëm mjegull mund të prodhojnë, por kurrsesi luftë kundër papunësisë, skamjes, varfërisë, korrupsionit dhe nepotizmit.

Në kuadrin e një shkrimi për Kosovën në koridor, autori thekson: ”Nga udhëheqja e dobët dhe keqmenagjimet në qeverisjen e Kosovës, mund të thuhet se kanë krijuar një monotoni  iracionale dhe vet shkatërruese e shtetit të ri, duke humbur dhe shumë investitorë të huaj për shkak të mungesës së kushteve, si edhe fare pak i ka favorizue interesat e qytetarëve të vet dhe vullnetin legjitim të tyre në realizimin e vendeve të punës. Dhe ndër të tjera, në kuptimin menagjues dhe udhëheqës të vendit, çështja qëndron se partia e cila ka qëndruar më së shumti në pushtet (PDK-ja), e ka humbur krebilitetin e mirëfilltë të qeverisjes, dhe e ka vështirë ta kthejë besimin në udhëheqje, e cila më shumë ka luajtur rolin e politikës përçarëse dhe rrënuse, pothuajse aspak fitimprurëse për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të vet. ”

            Vepra respektive është një kontribut i mirëfilltë që na jep dritë për njohjen e realitetit në Kosovë. Autori analizon dhe sintetizon situatën aktuale duke na dëshmuar se është njëri nga shkrimtarët më të vlefshëm të diasporës sonë kur vjen fjala për analiza, mendime dhe opinione. Libri i tij është i strukturuar me tituj artikujsh, me parathënien dhe përmbjatjen e lëndës në faqet e fundit, disa nga shkrimet e tij duke qenë të shoqëruara me fotografi të vjetra luftëtarësh shqiptarë për liri dhe pavarësi, si dhe me disa tituj gazetash të vjetra shqiptare. Deda analizon disa probleme aktuale që ndërlidhen me klimën politike në trojet tona, ndërsa shkrimet e tij dëshmojnë se autori posedon njohuri të mjaftueshme dhe jep kontribut jo vetëm për afirmimin e Kosovës, por edhe për kultivimin e gjuhës shqipe në diasporë.

               Ja një fragment që meriton të mbahet në mend! „Driblimet politike janë driblime jo të thjeshta që i tejkalojnë të tjerët, por që edhe i tejkalojnë rregullat e lojës (politike) posaçërisht ndaj pozicionit që e ka Kosova në fushën e saj diplomatike dhe strategjike, që në këtë realitet si do të jetë, kompetencat e minoritetit serb në Kosovë do të rriten dhe do të zgjerohen edhe më shumë.” Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve dhe pritet që vota e popullit ta dëbojë në harresë lojën e mbrapshtë të një kungulli analfabetik, i konsideruar si simbol i papjekurisë politike, i brutalitetit dhe vulgaritetit.

Sot, më shumë se kurrë ekziston nevoja e një platforme të përbashkët evropiane, e një njeriu që mund ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ballkanik në dritën e përparimit dhe prosperitetit ekonomik dhe social. Lidhur me këtë, Dedë Preqi thekson: “Personi më i duhur, më i kontrolluar, më i arsyeshëm, më i sinqertë, më i kuptimplotë, më veprues dhe më i votuar ndër kandidatët femra në Kosovë, nga LDK-ja, është Zonja Vjosa Osmani, e cila do të ishte timonierja dhe udhëheqësja më e fuqishme, që kjo parti të drejtohet dhe gjenerohet më mirë drejtë të ardhmes së vet më të begatshme, me premisat e saj të efektshme në udhëheqjen e vendit.” Bota sot thekson se me fitoren e LDK-së më 6 Tetor, Kosova do të ketë qeveri evropiane me një kryeministre evropiane, e cila do t’i ketë dyertë e hapura në Bruksel dhe Washington

Dedë Preqi në faqet e kësaj vepre thekson : «Kosova si një trung i bërë «shoshë» nga betejat e pa reshtura, rrënjët i ka të lashta dhe në trungun e saj po rritën plot degë të reja e të shëndosha, të cilat do ta zgjerojnë dhe forcojnë trungun e saj, duke e bërë jo vetëm një lis, por edhe një mal të madh të botës së lirë të njerëzimit. Prej këndej lindi një diell i ri dhe i veçantë për Kosovën, e cila ishte në terr dhe ferr të asgjësimit, por sot na duket se karaketrizohet me jetën e lirë të qenjës njerëzore dhe i ka lindur një botë e re për këta njerëz, një botë e mendimit të lirë, një botë e punës dhe veprimit, që mund të ndihet në mënyrë të prekshme dhe në mundësinë e shijimit të kësaj bote, që njeriu i sotëm po mësohet ta trajtojë si diçka që e jeton dhe e përjeton në vete botën e lirë të tij.»

Këto procese dhe rrezulltate, sipas autorit, do të drejtohen prej veprimeve dhe organizimeve të mirëfillta, pa dallime etnie dhe partiake, që kanë pikësynime dhe koncepte të qarta, të cilat i japin ekzistencës njerëzore dhe këtij vendi një tipar të ri, një tipar të pushtetit dhe fuqisë më një kuptim të mprehtë, pikërisht në një sistem funksionesh të përllogaritura dhe të ndërtuara me saktësi për të mëkëmbur një shtet të ri, siç është Kosova. Duke i shpallur luftë vulgaritetit dhe pushtetarëve të koruptuar, Dedë Preqi na jep leksione se si duhet të funksionojë një shtet demokratik dhe një qeveri demokratike. Qeveritë e vendeve që erdhën në pushtet duke premtuar gjatë fushatsë elektorale dhe duke mos i plotësuar premtimet për mirëqenien e popullit, bota i ka flakur në koshin e plehërave të historisë. Kosova nuk ka nevojë për mjerim politik, ekonomik, social dhe ekzistencial, siç kishte në kohën e Pashiqit, Rankoviqit dhe Millosheviqit.

Kontributi i shkrimtarëve shqiptarë të disporës shqiptare, është i nevojshëm, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Letërsia e mërgimit, qoftë ajo poetike, prozaike apo publicistike, është pjesë integruese e historisë së literaturës shqiptare. Duke shfletuar opinonet e autorit, kuptojmë se Kosova ka nevojë për rikthim në normalitet, për realizimin e ëndrrave të qytetarëve të sajë, për një jetë të qetë dhe normale. Krijuesit tanë në mërgim, shkruajnë pa dorëza dhe pa frikë nga dogmatizmi i pushtetarëve që nuk kanë ide dhe etikë demokratike, që bëjnë çmos për ripërfitimin e pushtetit.

Dedë Preqi është njëri nga intelektualët tanë në mërgim, që na jep realitetin agonik dhe alegorik të Kosovës. Ai nuk na jep një literaturë false, idiliste apo dogmatike, por përkundrazi, një literaturë realiste dhe objektive, me akte e fakte, me ide dhe porosi, një literature që vlen ta lexojnë jo vetëm dashamirët e letërsisë, por edhe autoritetet e Dardanisë. Vokacioni etik dhe estetik, patriotik dhe publicistik i autorit, meriton respektin tonë të pakufishëm, të lexuesit dhe të kritikës letrare që i ka portat e hapura për komentim dhe afirmim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat