Ecolog ndërton klasat për fëmijët me nevoja të veçanta në Tetovë

Diaspora

Ecolog ndërton klasat për fëmijët me nevoja të veçanta në Tetovë

Nga: Beqir Sina Më: 2 tetor 2019 Në ora: 23:28
Pamje nga ceremonia

Me një ceremoni inauguruese sot te shkolla fillore Liria në Tetovë u lëshuan në përdorim hapësirat e reja mësimore dedikuar nxënësve me nevoja të veçanta. Këto hapësira konsistojnë në tre klasa mësimi dhe ambiente komplementuese, të gjitha këto të kompletuara me pajisjet e nevojshme teknike moderne, që këtë objekt e bëjnë t’u përgjigjet nevojave të këtyre nxënësve.

Hapësirat në fjalë në kuadër të kësaj shkolle fillore u ndërtuan gjatë stinës së verës me iniciativën e filantropit Lazim Destani, Drejtues i Bordit Këshillëdhënës në kompaninë Ecolog. Në kuadër të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative kjo kompani ndërkombëtare kudo që operon në vazhdimësi e aplikon filozofinë e krijimit të mundësive të barabarta tek komunitetet.

Ndërsa inventari në hapësirat e brendshme të këtij objekti edukativ është suportuar nga Ambasada Gjermane në Shkup me të cilën kompania Ecolog ka marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi.

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtuesit e shkollës Liria, me drejtoreshën Samije Alili, prindërit bashkë me fëmijët që do të mësojnë në këto paralele, z. Lazim Destani bashkë me drejtues të kompanisë Ecolog, kryetarja e komunës së Tetovës znj. Teuta Arifi si dhe autorite nga sektori komunal i arsimit.

Në fjalën e saj, drejtoresha e shkollës Liria shprehu kënaqësinë që tash e tutje këta nxënës nuk do të përballen me vështirësitë që ata i kanë patur me vite e dekada në mungesë të hapësirave edukative të përshtatshme për nxënësit me nevoja të veçanta. Ajo me këtë rast e falënderoi z. Destani për këtë vepër humane të realizuar nga Ecolog. Drejtoresha gjithashtu falënderoi Ambasadën e Gjermanisë për inventarin e dhuruar si dhe autoritetet komunale për angazhimin e tyre.

Duke iu falënderuar kompanisë Ecolog dhe familjes Destani, kryetarja e komunës Teuta Arifi theksoi, – Kjo është një kompani e cila mendon dhe vepron globalisht, por në të njëjtën kohë mendon dhe vepron lokalisht. Kjo filozofi e rritjes së madhe e cila në fakt shpreh mentalitetin dhe kulturën tonë të përgjithshme se sado të mëdhenj të jemi në suksesin tonë megjithatë shpirti mbetet në vendin tonë. Falënderoj z. Destani dhe kompaninë Ecolog për këtë aktivitet dhe mundësi për fëmijë me nevoja të posaçme.

Z. Lazim Destani në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve u shpreh i lumtur për kontributin që jep Ecolog dhe familja e tij duke mbështetur projekte të ndryshme në të mirë të komuniteteve. Ai ndër të tjera tha, – Është kënaqësi kur promovojmë vepra e donacione në të mirë të komuniteteve ndërsa ndiej kënaqësi të veçantë kur promovojmë vepra që i përkasin sferës së arsimit. Investimi në arsim e ka vlerën më të madhe se çdo investim tjetër, arsimi është çelësi i të ardhmes. Jam i lumtur që sot lëshohet në përdorim ky objekt mësimor që u sjell lehtësira atyre që më së shumti kanë nevojë dhe e meritojnë përkujdesjen e shoqërisë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat