Në Linz të Austrisë u promovua libri “Gjuha Shqipe 5” i autorit Izri Rexha

Diaspora

Në Linz të Austrisë u promovua libri “Gjuha Shqipe 5” i autorit Izri Rexha

Nga: Ramiz Selimi Më: 21 tetor 2019 Në ora: 14:58
Pamje nga promovimi i librit

Për të qenë më afër gjuhës shqipe në diasporë autori Izri Rexha në mënyrë kreative dhe argëtuese duke kaluar nga detyra në detyrë, pastaj me lojëra interesante dhe tërheqëse për nxënësit ka sjellë librin „Gjuha Shqipe 5“ i paraparë për nivelet nga klasa e pestë deri në klasën e shtatë. Libri është pasuruar me tema të ndryshme të gjuhësisë dhe letërsisë. Ka tregime, përralla, poezi, drama, drejtshkrim, morfologji, gramatikë, fjalor, etj.

Nga të pranishmit ata që diskutuan në këtë eveniment kulturor vlerësuan se botimi i librit është një mundësi më shumë për të mësuar gjuhen shqipe në kuadër të shkollës si dhe një tekst mjaft i përshtatshëm për mësimin plotësues në diasporë.

Vlerësimin kritik për librin e mbajti publicisti dhe mësuesi i gjuhës shqipe në Linz zoti Ismet Sinani, i cili pasi foli për biografinë e autorit e vlerësoj këtë libër si shumë praktik në shtjellimin e tematikave ashtu edhe në përpunimin e çdo njësie mësimore, duke e bërë librin të afërt jo vetëm me nxënësin por edhe me prindin.

Image

Autori Izri Rexha foli për problemet që kishte me botimin e librit, kualitetin e shtypit, vështirësitë gjatë botimit, lektorimin si dhe mundësitë e aplikimit të këtij teksti shkollorë në praktikë. Gjithashtu edhe mësuesja z. Qefsere Bislimi Demaj e vlerësoj librin si ndihmesë në mësimin e kësaj lende mësimore në diasporë, e që “është jetike dhe shumë e rëndësishme për ruajtjen e etnitetit tonë në Austri” tha ajo, e cila ishte e lumtur me testimin e librit në praktikë, pasi nxënësit e saj e kishin mirëpritur mjaft mirë librin.

Publicisti zoti Ramiz Selimi në fjalimin e tij tha se e kishte lexuar librin duke e vlerësuar si të mirë dhe adekuat për nxënësit në mërgim, por një vlerësim më të saktë dhe real do të duhej ta japin ata që duan të punojnë me të, pra mësuesit e mërgatës. Pasi që libri mund të jetë vlerë reale për diasporën është dashur të kontaktohen të gjithë faktorët relevant si brenda dhe jashtë, në mënyrë që ky libër të hyjë oficiel në kuadër të teksteve për mësimin plotësues në Austri, pse jo edhe më mundësinë e zgjerimit në rajonin evropian. Tha ai.

I pranishëm ishte edhe z. Miftar Zagragja një aktivist i palodhshëm i çështjes kombëtare.

Pas përurimit në një debat të hapur të gjithë ishin të mendimit se kultura e një shteti varet nga lexushmëria dhe dituria e qytetarëve të vet dhe se çdo vepër shkencore është një përparim për kombin si një xixë drite që ndriçon errësirën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat