Në Vjenë u hap turneu ndërkombëtar në shah “Arbëria open 2019” - Bota Sot
Në Vjenë u hap turneu ndërkombëtar në shah “Arbëria open 2019”

Diaspora

Në Vjenë u hap turneu ndërkombëtar në shah “Arbëria open 2019”

Nga: Besim Xhelili Më: 24 tetor 2019 Në ora: 23:56
Turneu ndërkombëtar në shah “Arbëria open 2019”

Në datat 21-27 tetor 2019, shahistë të ndryshëm nga 14 nacionalitete, por edhe adhurues të tjerë të këtij sporti, kanë rastin të kalojnë bashkë çaste të mira sportive, si dhe të argëtohen përgjatë lojërave të shahut. Klubi i Shahut “Arbëria” si nikoqir, në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Vjenës, urojnë sportistët për suksese, ndërsa vizitorëve u dëshirojnë mirëseardhje dhe të kalojnë bukur.

Tash e shtatë vjet nga themelimi, Klubi i Shahut “Arbëria” nga Vjena, po kontribuon vazhdimisht me aktivitetet sportive e kulturore, duke organizuar takime të rregullta me anëtarët dhe lojtarët, por gjithashtu duke organizuar edhe kohëpaskohe turne të ndryshëm, nisur nga ato me rastin e manifestimeve tradicionale në shkurt dhe nëntor, dhe për raste të tjera në bashkëpunim me klube e shoqata të tjera. Klubi përgjatë kësaj kohe ka arritur të korr suksese të shumta, duke u ngjitur thuajse gati çdo vit në një ligë më sipër, në kuadër të Ligës së Shahut në Vjenë. Ai tash garon me dy grupe, atë A, më profesionistët dhe me grupin B dhe ka shahistë nga disa nacionalitete.

Pas sukseseve të shumta, kryesia e klubit diskutoi me anëtarët hapin e madh dhe të rëndësishëm që ishtë planifikuar. Bëhej fjalë për mbajtjen e një turneu ndërkombëtar nën patronazhin e klubit dhe në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Vjenës. Pasi u bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme, të hënën, më 21 tetor, në lokacionet e Federatës së Shahut të Vjenës, u hap solemnisht turneu dhe nisën lojërat. Shahistë nga 14 nacionalitete me banim në Vjenë, përgjatë një javë do të masin forcat e tyre mes veti, edhe atë duke bërë nga 7 lojëra, sipas sistemit zviceran.

Image

Hapjen e turneut e bëri sekretari i klubit Anton Marku, i cili pasi përshëndeti përzemërsisht garuesit dhe të pranishmit, u shpreh se u gëzohet sukseseve të klubit dhe se ky turne ndërkombëtar është gjithashtu një nismë e duhur, që të gjithë, pa dallime nga prejardhja apo bindjet, gjinia ose grupmosha, kanë rastin bashkë të luajnë shah, të argëtohen dhe të njihen mes veti. Ai falënderoi Federatën e Shahut të Vjenës për mbështetjen dhe lokacionet e ofruara për këtë turne. Hapjen e turneut e nderoi me pjesëmarrjen e tij Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, z. Roland Bimo. Në fjalën e tij përshëndetëse ai me shumë admirim foli për arritjet e klubit “Arbëria”. “Larg nga dinamika dhe stresi i përditshmërisë, ju këtu kaloni kohën tuaj të lirë duke u argëtuar mes veti, jam tepër i lumtur që shoh edhe pjesëmarrës të gjinisë femërore si dhe fëmijë entuziastë, dhe besoj e uroj të arrini suksese përgjatë kësaj jave sportive. Klubit “Arbëria” i dëshiroj edhe më shumë suksese dhe aktivitete të tilla, që lidhin popujt dhe kulturat e ndryshme”, tha z. Bimo. Pjesëmarrës në hapjen e turneut ishte edhe vetë kryetari i Federatës së Shahut të Vjenës z. Johannes Pöcksteiner, i cili gjithashtu me një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit. Për mbarëvajtjen e turneut do të përkujdeset gjyqtari z. Gregor Neff, kurse për fituesit janë paraparë çmime në vlerë monetare, kupa dhe mirënjohje si dhe çmime në gjësende. Këtë aktivitet e mbështesin Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri dhe Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat