Nju Jork, shqiptarët festojnë pavarësinë në Këshillin Bashkiak

Diaspora

Nju Jork, shqiptarët festojnë pavarësinë në Këshillin Bashkiak

Më: 23 nëntor 2019 Në ora: 01:13
Shqiptarët e Nju Jorkut janë krenarë që mund ta festojnë këtu në Këshillin e Bashkisë ditën e tyre të Flamurit.

Këshilli i bashkisë së Nju Jorkut organizoi mbrëmë një ceremoni festive për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Me rastin e Ditës së Flamurit, këshilli nderoi disa prej veprimtarëve të dalluar të qytetit. Në ceremoni ishte kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Shqiptarët e Nju Jorkut janë krenarë që mund ta festojnë këtu në Këshillin e Bashkisë ditën e tyre të Flamurit.

Prej disa vjetësh, ata kanë në Këshill të zgjedhurin e tyre, Mark Gjonaj, i cili me këtë rast u kujtoi të gjithëve se sa shumë ka ecur komuniteti shqiptar i Nju Jorkut.

“Ju shërbeni në vijat e frontit në ushtrinë tonë, nëpër klasat me nxënës si njerëz të arsimit, si drejtues në tregjet tona financiare, si mjekë në sallat e emergjencës dhe në çdo profesion tjetër. Ju formoni bazën që e bën qytetin e Nju Jorkut kaq madhështor,” tha zoti Gjonaj.

Këshilli i Bashkisë nderoi disa individë që japin ndihmesë në fusha të ndryshme.

Kapiteni i policisë së Nju Jorkut Lutfi Dalipi, u nderua si njëri prej oficerëve profesionistë të kësaj force. Me meritën e tij ai është ngritur në rangjet e larta të policisë së qytetit.

Vasfije Krasniqi Goodman, është një ndër mbijetuarat e përdhunimeve të luftës, e cila njihet sidomos sepse u dha 20 mijë grave të tjera në Kosovë që pësuan fatin e saj, një zë që ato nuk e kishin.

“Duke qëndruar përpara këtij flamuri shqiptar", tha ajo, "e kam të vështirë ta imagjinoj se pikërisht për këtë flamur unë u përdhunova dhe u torturova. Por ky flamur na jep kurajo që të luftojmë dhe të bashkohemi pavarësisht se ku jetojmë.”

Sali Bollati është një i mbijetuar i Çamërisë. Ai u nderua si aktivist i komunitetit.

Frank Shkreli ka qenë drejtor i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës. Sot ai është aktiv me shkrime dhe reflektime për shqiptarët.

Doktoreshë Ana Kohen, pasardhëse e një familjeje hebraike, e lindur dhe e rritur në Vlorë, ka punuar prej vitesh me komunitetin shqiptar të Nju Jorkut. Sot ajo jeton në Sarasota të Floridës, por nuk e ka ndërprerë punën me shqiptarët.

Një nderim në ceremoni shkoi edhe për këngëtarin Ilir Shaqiri, i ftuar këtu nga Kosova.

Në ceremoni foli edhe ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, e cila shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe për komunitetin shqiptar të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat