Me Gratë Shqiptare në SHBA

Diaspora

Me Gratë Shqiptare në SHBA

Nga: Elca Kaba Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 22:50
Pamje nga takimi

Me rastin e Ditës së Falenderimeve dhe 107 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Organizata e Gruas "Shpresë & Paqe" me qendër në New York, zhvilloi një mbrëmje festive me anëtaret e saj dhe aktivistë të komunitetit. Të pranishme ishin gra e vajza shqiptare emigruar në SHBA në kohë e periudha të ndryshme, Presidenti i Universitetit të Prishtinës me qender në New York - RIT Kamal Shahrabi, Presidenti i Fondacionit Shqiptaro - Amerikan Esad Rizai, Presidenti i Këshillit Shqiptaro - Amerikan John Dauti, gazetari ish i persekutuar politik Beqir Sina etj. 

Takimi u moderua nga Znj. Moza Boletini, e cila gëzon edhe Titullin Presidencial Shqiptar për "Merita të Veçanta Civile". Hymni shqiptar dhe amerikan u ekzekutua me violinë nga artisti i njohur i artit dhe kinematografisë shqiptare Renato Rrapi, i cili pas 30 vitesh doli në publik me violinën e tij të dashur. 

Njëherësh Renato ishte edhe i ftuari special i mbrëmjes. Si ish i persekutuar politik nga rregjmi komunist, ëndrra e të cilit për karrierë artistike u ndërpre qysh në moshën e adoleshencës, pati rast të na nderojë me pjesëmarrjene tij, ku anëtare e kësaj organizate është edhe nëna e tij e dashur Janulla Rrapi, që gjithë jetën e saj në moshën më të re ja dedikoi kujdesit e shëndetit të djalit të saj dhe familjes.

Megjithëse i sëmurë e me krah të dëmtuar nga sigurimi i shtetit dhe diktatura e proletariatit, të cilët e goditën, torturuan dhe internuan së bashku me familje në zonat e thella të vendit, sot Renato me gjithë krahun e vrarë e të dëmtuar nga dhuna e bishave të kuqe performoi edhe disa potpuri popullore shqiptare.  

I ftuari tjetër që e mori fjalën në këtë festë ishte Presidenti i Universitetit të Prishtinës - RIT Kamal Shahrabi, i cili pasi falenderoi organizatoret, foli shkurtimisht mbi programin, arritjet dhe sukseset e këtij universiteti, që ka dyert e hapura për këdo, pa dallim dhe tha se në këtë universitet me qendër në New York, studjojnë jo vetëm shqiptarë, por edhe amerikanë, e të huaj të tjerë. Ai u tregua i gatshëm që të punësojë në këtë fakultet edhe gra e vajza nga komuniteti jonë.

Drita Çarçani, ish e persekutuar politike, i ati i së cilës është pushkatuar nga rregjimi komunist në Gjirokastër me grupin e deputetëve, e dekoruar nga ish presidenti Berisha me Titullin "Martir i Demokracisë", recitoi para kamerave televizive e pjesëmarrësve në sallë poezi për Shqipërinë. Dolora Bushati, doktore shkencas në SHBA - PHD, lindur e rritur në internim, nëpër kasollet me baltë e vuajtjet e atij rregjimi të egër, ndërsa në SHBA kreu studimet, master etj, duke shkëlqyer me rezultatet e saj, sot është pedagoge në dy Universitete të njohura Amerikane. Znj. Bushati përshëndeti pjesëmarrësit e foli shkurtimisht mbi historikun e Ditës Amerikane të Falenderimeve. Fjalën e morën edhe ish të persekutuarat politike zonjat Suzana Matja dhe Flora Selfo. 

Përshëndetën festën e dhanë informacione se si të ndihmohen gratë në nevojë e të sëmurët zonjat Vera Markaj dhe Blerta Gjakova, të cilat punojnë në Agjensi të Shërbimeve Sociale për komunitetet, ku bëjnë një punë shumë të mirë duke i ardhur në ndihmë jo vetëm komunitetit tonë, por edhe atij amerikan. Kanë punësuar jo pak gra e vajza shqiptare dhe orientuar njerëzit në nevoja ekonomike. Znj. Vera Markaj është aktualisht Menaxhere pranë "S & A" Unified Home Care, Inc dhe Znj. Blerta Gjakova pranë "Emblemhealth" Agjensi, e cila sapo kishte marë atë ditë edhe pasaportën amerikane, gëzimin e së cilës e përjetuam edhe ne të gjitha. E pranishme në festë ishte edhe Shoqata "Marigona me qendër në New Jersey, ku në emër të kësaj shoqate përshëndeti festën Kryetarja Znj. Sabije Veseli. 

Liljana Pekiç, një nënpunëse e lartë e administratës së Assamblyman Mark Gjonaj ishte gjithashtu e pranishme, ajo foli për rolin e rëndësishëm që ka gruaja në familje, shoqeri dhe tha se ky ishte një takim e festë jo vetëm e bukur e grave shqiptare në New York, por edhe një takim informativ ku mesa shikoj seicila ka mundësi të marë materiale mbi dijen, shëndetin dhe siguracionet sociale. Përgëzoj organizatoret tha që kanë realizuar një festë kaq sinjifikative. Takimi ishte i hapur për të gjithë e fjalën morën edhe zonjat Janulla Rrapi, Mirela Gjergji, Sabije Veseli, zotërinjtë Esad Rizai, John Dauti, gazetari Beqir Sina etj. Poeti popullor Isa Berçani recitoi poezi për Shqipërine dhe heroin e kombit Isa Boletini.

Ky event u mbajt me ushqime e pije të freskëta e tradicionale tek "Teuta" Restorant në Bronx me pronar Anita dhe Dukagjin Ukëhaxhaj, ku Menaxhere kanë të bijën e tyre Afërditën, një vazjë e re, e cila i është dedikuar biznesit familjar dhe studimeve në SHBA njëkohësisht. U përcoll edhe nga përfaqësues të medias, Televizionit Shtetëror  Shqiptar nën kryesimin e gazetarit të njohur Engjëll Ndocaj, kameramanit Arben Tafili, si dhe nga gazetari i komunitetit shqiptar në SHBA Beqir Sina. 

Takimi kaloi këndshëm e miqësor nën tingujt e muzikës shqiptare e asaj amerikane. Nuk munguan flamujt shqiptarë dhe amerikan, portretet e heronjve të kombit Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Vallet, gëzimi e buzëqeshja në fytyrat e nënave, grave e vazjave shqiptare i shtoi hijeshinë kësaj feste në komunitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat