Hysen Ibrahimi, rizgjedhet kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqitptarë ”Papa Klementi XI Albani”

Diaspora

Hysen Ibrahimi, rizgjedhet kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqitptarë ”Papa Klementi XI Albani”

Nga: B.S Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 16:50
Foto

Pas një pune të mundimshme u arrit që të botohen dhjetë libra “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, përmbajtja e të cilëve është e përkushtuar kryesisht aktivitetit të pasur të mërgimtarëve tanë në këtë vend të largët. Kryetar sërish u zgjodh Hysen Ibrahimi

Arritëm të nxjerrim në dritë shumë të pathëna, shumë befasi për punën që është bërë dhe po bëhet nga krijues shqiptarë në Suedi, më saktë nga Shoqata “Papa Klementi XI Albani”. Ne kemi arritur të botojmë 10 numra të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare”. Gjatë promovimeve të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” ai është cilësuar me vlera të pakontestueshme. Studiues të shumtë, profesorë e ekspertë të fushave të ndryshme e kanë cilësuar librin si një: Thesar Kombëtar me vlera dokumentare; libër me materiale që ruajnë,begati kulturore; si dëshmi e organizimit të mërgatës për forcimin e elementit kulturor e kombëtar; si model që duhet t’i bashkojë të gjithë shqiptarët me orientim pro-evropian; si një enciklopedi; një vazhdimësi e perlave të kolonive shqiptare të Rilindjes tonë kombëtare; një lartësim që tejkalon akademitë e shkencave, sa i përket angazhimit dhe botimeve;sekemi dëshmuar se jemi ndër popujt më të vjetër në Evropë; është libër i planifikuar dhe i realizuar mirë; si një kurorë mbrojtëse e atdheut; si pasqyrim i një pune briliante të kësaj Shoqate; një faktografi relevante për rolin historik të një pjese të kombit tonë; se kemi dëshmuar për arritjet në vitet vendimtare të ndryshimit të rrjedhës historike. për shkollën shqipe në Suedi; për vlerat shumëdimensionale të juve gjithë veprimtarëve që keni vepruar pa u ndalë,etj. si një ekip që bashkëpunon shkëlqyeshëm dhe koordinon aktivitetet; si një punë hyjnore për të afirmuar vlerat më të mira të kulturës shqiptare, kështu tha në fillim të fjalës së tij kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar ” Papa Klementi i XI Albani” në Suedi, z. Hysen Ibrahimi, në Kuvendin e kësaj shoqate, në të cilën u shqyrtua puna katërvjeçare dhe u përcaktuan detyrat për përiudhen e ardhshme. Para këtij tubimi me një minut heshtje pjesëmarrësit u solidarizuan me të gjithë shqiptarët që i goditi termeti i fort në Shqipërinë nënë. Në këta libra janë të përfshirë shkrime të shumë autorëve. Vend të posaçëm zënë përmbajtjet e takimeve të ndryshme në mërgatën shqiptare në dobi të kombit dhe atdheut, pastaj përurimi i këtyre vëllimeve në shumë vende në Kosovë Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi. Janë botuar edhe shumë intervista me personalitete që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare, pastaj shkrime autoriale që kanë të bëjnë me veprimtarinë kombëtare, si dhe vështrime rreth titujve të librave të rinj të anëtarëve të shoqatës.

Po ashtu, vazhdoi ai, për këto katër vite të aktivitetit nga krijuesit anëtarë të kësaj shoqate kanë botuar mbi 30 libra të zhanreve të ndryshme në artin letrar që janë vlerësuar me notë pozitive nga kritika letrare.

Janë nënshkruar edhe disa marrëveshje me institucione e shoqata në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj periudhe u mbajt edhe sesioni i gjashtë shkencor në qytetin Universitar Lund me rastin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Për punën dhe mbështetjen që i është dhënë, kjo shoqatë kanë ndarë mbi 200 mirënjohje. Librat ”Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” është shpërndar në 287 biblioteka në Suedi, por në qendrat kryesore shqiptare dhe jasht trojeve etnike si në Bruksel, Cyrih, Shtutgart, Oslo, Helsinki, SHBA, Londër, Bukuresht.

Librat ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të shqiptarëve të cilët në shtetin suedez u angazhuan aq shumë për të dhënë kontributin e tyre për çlirimin e vendit dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sipas Hysen Ibrahimit ishte planifikuar që të botohen dhjetë libra të kësaj natyre sepse ka aq shumë veprimtari sa që nuk do të këtë problem në grumbullimin e materialeve, të cilat ruhen me kujdes në ”arkivat” e veprimtarëve shqiptar, përfundoi Hysen Ibrahimi.

Shkrimet mbështeten në dokumentacionin orogjinal

Por, që çdo gjë të jetë në vendin e vet, shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal i cili si i tillë, i pandriçuar dhe i pabotuar gjer më tani– është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar, theksoi Prof.Fetah Bahtiri, Nënkryetar i shoqatës dhe kryetar i Këshillit redaktues i cili më pas shtoi : Duke lexuar dhe përpunuar materialet që janë të përfshira në Thesarin kombëtar të mërgatës shqiptare në Suedi numër dhjetë , vërej se, sikur edhe në numrat e mëparshëm, fjala është për një synopsë të aktivitetit dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë në mërgatën shqiptare, e në këtë rast me theks të veçantë në Suedi në shërbim të atdheut. Them kështu për arsye se para njëzet e pesë vjetësh, për shembull, të pakët kanë qenë suedezët që kanë pasur njohuri se ku ndodhet Kosova, e edhe më të pakët kanë qenë ata që kanë pasur dijeni për problemet e Kosovës së okupuar dhe të sunduar nga Serbia.

Por, ndodhi mrekullia pasi që erdhën shqiptarë të shkolluar, të aftë, të përkushtuar që t´i shërbejnë atdheut dhe popullit të vet dhe sa shqiptarë erdhën në trojet suedeze, gati po aq ambasadorë të Kosovës u ndodhën dhe vepruan këtu, duke falënderuar në radhë të parë mirëkuptimit të shtetit demokratik suedez dhe popullit të tij. Ne iu përvishëm punës vrullshëm dhe Suedia e kuptoi shpejt të vërtetën për Kosovën. Shi, tani për këtë veprimtari intelektualët shqiptarë, anëtarë dhe joanëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi po shkruajnë e po shkruajnë shumë libra dhe dokumentarë duke ndriçuar ngjarjet dhe të vërtetat. Mbi të gjitha qëndron libri Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, të cilin shumë kritikë letrarë, historianë, doktorë shkencash, akademikë nuk kanë ngurruar ta quajnë enciklopedi.

Kur e nisëm këtë punë në vitin 2011 ne e kemi pas paraparë që t´i nxjerrim 10 numra me materiale e dokumente të ndryshme nga kjo veprimtari. Ja! Ky synim i yni u bë realitet dhe tani shohim në bibliotekat tona, të atyre në gjithë hapësiren sudeze, të Kosovës, Shqiperisë, Maqedonisë së veriut, në shtete të ndryshme të Evropës dhe madje edhe në SHBA. Secili numër më i pasur se tjetri, secili numër më i mirë se i mëparshmi!

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke prodhuar shkrimtarë të rinj, krijues të rinj, artistë të rinj! Në Thesarët tanë mund të hasni shkrime të suksesshme edhe nga shumë autorë të cilët janë frymëzuar e ndihmuar nga Shoqata dhe kanë arritur suksese. Kemi disa shkrimtarë që veprimtarinë e shkruarjes së librave e kanë filluar si anëtarë të Shoqatës dhe pastaj kanë dalur edhe me tituj librash në prozë dhe në poezi. Në dhjetë numrat e Thesarit kombëtar hasim shkrimtarë të rinj që për herë të parë dalin me krijimet e tyre artistike.

Pra, mund të nënvizoj se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke e kryer misionin e vet në mënyrë të përkyer. Dhe e tëra kjo duke iu falënderuar shtetit suedez i cili na jep mundësi dhe na ndihmon në zhvillimin e veprimtarisë sonë.

Donatorët shtyllë e fuqishme të Shoqatës

Pa dyshim se për arritjen e rezultateve të shumta që i ka shënuar kjo shoqatë, kontribut të madh po japin edhe donatorët, t shqiptar me ndarjen e mjeteve të konsiderueshme sidomos në botimin e librave të “Thesarit Kombëtar...”. Kështu materialisht këtë shoqatë e ndihmuan Ministria e Mërgatës e Republikës së Kosovës, i vetmi Ministër Ibrahim Makolli, NBV e Suedisë, Tim Erim, Lars Malin, Mahir Spasiq, Eva Selander, Këshilli për Kulturë, Halim Hoti, Albert Jashari, Arton Jashari, Komuna Uddevalla, Suedi, Mr. Fadil Geci, Qazim Hoti, Shaban Murseli, Mursel Shkupolli, Robert Hoti, Naim Latifi, Burim Muharremi, Haki Ademi, Drita Nikoliqi-Binaj, Mentor Duraku, Qamil Aliti, Riad Aliti, Sebat Aliti, Xhelil Musa, Bujar Zhuri, Bajram R. Peci, Sami Hyseni dhe Kadrije Gurmani.

Rrugëtimi i suksshëm i shoqatës lidhet me emrin e kryetarit Hysen Ibrahimi

Në këtë tubim u përurua edhe libri-album i autorës Hyre Tejeci Murati “Hysen Ibrahimi hero i heshtur i dritës” që në të vërtetë është një përmbledhje me fjalë e foto e aktivitetit të pasur që ka zhvilluar Hysen Ibrahimi si kryetar i SHSHASH “Papa Klementi i XI Albani” dhe si një veprimtar, krijues e atdhetar i spikatur në mërgatën shqiptare në Suedi. Rreth këtij libri foli redaktori Prof. Fetah Bahtiri, i cili ndër të tjera tha:“Rrugëtimi i Shoqatës deri në këtë nivel është i lidhur me një emër: Hysen Ibrahimi, i cili diti dhe mundi t´i organizojë e t´i rreshtojë të gjithë në shërbim të Atdheut. I tërë ky rrugëtim është i mbushur me kujtime, përjetime, gëzime, sakrifica, por edhe me ditë e periudha të mundimshme e edhe të bukura.

Ky libër album vetëm pjesërisht mund t´i ilustrojë të gjitha këto, sepse për ilustrimin e plotë të veprimtarisë së Hysen Ibrahimit në kuadër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe

Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi nevojiten disa libra të këtillë

për arsye se angazhimi dhe veprimtaria në shoqatë për tetë vjet të plota ishte e pakursyer duke lënë më anësh të gjitha, e la më anësh familjen dhe i shërbeu Atdheut, i shërbeu Kombit, i shërbeu Shoqatës, kurrë pa u ndalur, kurrë pa hezituar.

Ne që ishim bashkëpunëtorë të tij gjatë kësaj kohe në këtë rrugëtim përjetuam dhe kaluam nëpër situata nga më të llojllojshmet.

I bënim të gjitha punët që duhej kryer vetëm e vetëm të arrijmë për ta vënë ndonjë gurë në themelet e shtetit që quhet Republika e Kosovës, duke ndriçuar me fakte dhe me dokumentacion angazhimet e bashkatdhetarëve të mërgatës në Suedi e më gjerë, duke u mbështeturt në fakte.

Ne ishim të vetëdijshëm: nesër do të jemi të gëzuar e të lumtur kur,ta shohim të në dritë numrin e librit që e quajtëm Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi! Kjo ishte lumturia jonë, ky ishte gëzimi ynë më i madh.

Por, konsideroj se suksesi më i madh i Hysen Ibrahimit është bashkimi i shqiptarëve nga të gjitha trojet tona etnike, nga të gjitha shtetet e globit ku jetojnë ata, në angazhimepër t´i shërbyer Atdheut dhe Kombit, në forma të ndryshme.

Është shumë e vështirë të përmenden personat e individët që bashkëpunuan dendur meHysen Ibrahimin për realizimin e synimeve kombëtare nëpërmjet Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi sepse ata janë të shumtë. Ata i gjejmë nëanëtarësinë e gjerë të Shoqatës,por, edhe gjithkund, në të gjitha këndet e botë ku jetojnë vëllezërit dhe motrat tona,e ku ne u paraqitëm me Thesarët tanë: në Shqipëri, Dardani, Iliridë, Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, Çamëri, në Evropë, Amerikë…”, përfundoi prof. Fetah Bahtiri. Për këtë personalitet të shquar të letrave shqipe dhe kontributit të tij të madh që ka dhënë për komb e atdhe e sidomos në suksesin e madh që ka arritur kjo shoqatë folën edhe anëtarë të tjerë pjesëmarrës në këtë kuvend, si: Prof. Osman Ahmetgjekaj, Prof. Bedri Paci, Rrahman Rrahmani, Mona Juniku, Shukrije Jashari, Avdi Rama, Prof.Isuf Bajraktari, Fahredin Berisha, Adem Ahmeti, Remzi Basha, Keçë Marku, Afërdita Hoti, Mursel Shkupolli, Ramadan Hyseni, etj.

Në këtë tubim u zgjodh kryesia e re, ndërsa kryetar u zgjodh sërish z. Hysen Ibrahimi. U shqyrtua dhe u aprovua edhe raporti financiar, për të cilën foli Rrahman Rrahmani, arkëtar.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat