Vazhdim i bisedës me bashkëkombës në Europë dhe Amerikë

Diaspora

Vazhdim i bisedës me bashkëkombës në Europë dhe Amerikë

Nga: Alfred Papuçiu Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 10:58
Alfred Papuçiu

Jeta të sjell në çdo çast të papritura, por edhe gëzime, sidomos kur je me bashkëkombës, edhe pse larg Atdheut mëmë. Kam provuar gjatë jetës sime emocione të forta, sidomos pas largimit të tim eti, tepër i ri në moshë. Atëhere pranë më qëndruan shokë e miq, të afërm të mirë, për të përballuar dhembjen e madhe. Shokë të tim eti nga Fieri, Shijaku, Shkodra, Lezha, Korça, Pogradeci, Saranda. Njeriu duhet të përballojë edhe "furtuna", të mësohet jashtë vullnetit të tij edhe pa të afërmin e zemrës, duhet të shprehë edhe mirënjohje, duhet të jetë solidar, të mendojë edhe për të afërmin, fqinjin, bashkëtdhetarin.

Këto shënime të mbajtura gjatë viteve, janë një pjesë e ditarit tim të përhershëm që më ndjek hap pas hapi, edhe larg, përtej Europës, Shqipërisë, edhe këtu në Zvicër apo në Amerikë. Ditarin e këtyre e këtyre rreshtave dua ta filloj me bisedat e ndryshme që kam shkëmbyer me bashkëkombës në Nju Jork, Nju Xhersi dhe  në Florida. Janë copëza jete të njerëzve që vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare, qofshin këta fshatarë, intelektualë, malësorë, apo edhe qytetarë amerikanë, me origjinë shqiptare. Ata kanë zgjedhur përkohësisht apo edhe përgjithmonë tokën mikpritëse amerikane për të jetuar me të afërm, apo fëmijë të tyre. Ata në përgjithësi janë integruar në shoqërinë amerikane, fëmijët e tyre vazhdojnë edhe shkolla të larta me prestigj dhe janë aftësuar për të përballuar kërkesat moderne të punës. Shumë prej tyre kanë marrë medalje dhe janë cilësuar si nga studentët më të mirë dhe krenari e kombit amerikan.

Në Nju Jork kam tepër mbresa të bukura që nisen qysh në vitet 80- të, kur unë vija për të ndjekur punimet e sesioneve të zakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Atëherë, deri diku ne shqiptarët ishim të "rezervuar", e kishim rrezen e qarkullimit tonë nëpër Amerikë të kufizuar, dhe respektonim ligjet amerikane, vetëm 25 milje rreth Manhatanit. Natyrisht autoritetet amerikane, silleshin në mënyrë tepër korrekte, edhe pse Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA, për arsyet që dihen,
mbylljes në vetvete të sistemit "socialist", "unikal" të E. Hoxhës.

Tek ne vinin bashkëkombas, edhe me poste të rëndësishme në administratën amerikane të arsimit, të shkencës, nga Nju Xhersi, Cikago, Bostoni, Florida, Kanadaja etj. E ndjenim veten sikur ishim në tokën mëmë, gjatë shkëmbimit të bisedave të ngrohta. Tani ky "rezervim" nuk ekziston më, pasi pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe marrëdhënieve tepër të mira me SHBA, shqiptarët jane kthyer në qytetarë të nderuar të shoqërisë amerikane. Ata janë pjesë e emigracionit të vjetër, por edhe të ardhur rishtazi me "green card". Amerika e bekuar u ka dhënë atyre mundësi të punojnë në profesionet që kane pasur: mjekë, ekonomistë, artistë, shkencëtarë,  dentist, psikologë, inxhinierë, informaticienë, por edhe ndërtues, biznesmenë. Ajo u ka dhënë atyre të mira të shumta që ata nuk mund t'i ëndërronin vite më parë, kur fshatari punonte vetëm për të nxjerrë bukën e gojës atje në Shqipëri, në tokat e Myzeqesë, të Devollit, të Lezhës, apo edhe në jug të vendit, apo në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në Florida, arsimtari, ekonomisti, inxhinieri i dikurshëm është kthyer në një biznesmen që administron tre katër shtëpi që ka blerë dhe paguan në sajë të punës së tij "billat" mujore. Ai ka arritur të sjellë, në sajë të mirëkuptimit të autoriteteve amerikane, të afërm dhe bashkëfshatarë të tij, me kontrata të rregullta disa mujore. Një pjesë e tyre kthehen përsëri në fshatin apo qytetin e tyre, jo vetëm me një grusht të mirë parash, por edhe me përvojën amerikane të punës, të sjelljes, të solidaritetit, të mirënjohjes. Nuk ka gjë më të bukur dhe të fisme, kur del në mëngjes nga shtëpia dhe kalon rrugës dhe kalimtari i zakonshëm dhe i thjeshtë amerikan të përshëndet. Ashtu thjesht: "Hi, how are you today" (Si jeni sot). Apo edhe me shprehje të bukura që më kujtojnë kohën e shkuar, kur isha adoleshent dhe shkoja tek të afërmit e mij në Fier dhe çdonjëri përshëndeste tjetrin, jo vetëm në raste festash, por përditë.

Mund të shpreh në këto pak rreshta bekimin "God bless America" (Zoti e bekon Amerikën), kur sheh atë tokë me të vërtetë të begatë, ku punojnë dhe jetojnë njerëz të kombësive të ndryshme, europiane, afrikane, latino amerikane. Nuk e ekzagjeroj po të shprehem se në Clearwater (Florida), shteti amerikan dhe guvernatori i Floridës,  u ka dhënë të gjitha të drejtat minoriteteve të ndryshme qofshin këta të ardhur apo indigjenë. Sistemi shëndetësor nuk mund të lavdërohet vetëm me disa radhë, por vetëm vizita tek Qendra e Dhurimit të Gjakut në Clearwater, të bën të mendosh se sa i rëndësishëm është solidariteti i njerëzve për ata që janë të sëmurë, apo kanë nevojë për ndihmë. Përveç faktit se banorët dhurojnë gjak pa pagesë, shoqëri dhe kompani amerikane stimulojnë vajtjen e njerëzve për të bërë një të mirë, duke u dhuruar atyre si shkëmbim bono për blerje ushqimesh e veshjesh, aparate për matjen e tensionit, kolesterolit, apo dhe mundësi të tjera. Këto kompani e biznesmenë kanë të drejtë pastaj ti heqin këto shpenzime që bëjnë nga taksat në fund të vitit. Një solidaritet i fuqishëm është dëshmuar edhe tani pas rënies së tërmetit në disa zona të Shqipërisë.

Në këto çaste, mendoj për ata Talasemikë shqiptarë, sidomos në zonat e fshatit që kanë nevojë për një ndihmë të kualifikuar, jo vetëm për gjak, por edhe për pajisje për mjekimin e tyre bashkëkohor. Nuk është e tepërt të shprehemi: "Të mësojmë nga shoqëria amerikane" pasi shteti shqiptar, me mundësitë që ka, nuk mund të bëjë më tepër, pa pasur ndihmën e qytetarëve të vet, qofshin këta të thjeshtë, biznesmenë, apo parlamentarë.

Lexoj shtypin amerikan, edhe atë të rajonit , në Clearwater (Florida). Më pëlqen se mbizotëron "bon sensi", mirënjohja, fjalët e mira të qytetarëve edhe të thjeshtë për një senator, parlamentar, punonjës të qytetit të Largos apo të rajonit ku banojnë. Nuk shoh asnjë sharje të një përfaqësuesi Republikan apo Demokrat për kolegun e vet, edhe pse janë opozitarë. Mendoj dhe ju them haptas, habitem kur shoh akoma se në Shqipëri vazhdon fryma e "bashkëkombasit idhnak", sharjet,  në një kohë kur Populli sovran i ka dhënë besimin parlamentarëve të çdo krahu për t"i përfaqësuar atje, për të zgjidhur hallet e tyre dhe jo për t"iu larguar "frontit",  sepse pagesa e parlamentarit derdhet nga djersa e atij populli.

Flamuri amerikan apo zviceran ndodhet pothuajse në çdo prag të banesave amerikane, apo zvicerane, si edhe blihet nga qytetarët e thjeshtë edhe në supermarketet, apo ai simbolizon patriotizmin e qytetarit në do hap të jetës së tij të përditshme.

Lexoj  romanin e shkrimtarit të talentuar, Thani Naqos që përmban mbresa nga ditët e para të viteve 90- të, kthimit të Shqipërisë në një demokraci të brishtë, nga çastet e jetuara prej tij, të bashkëatdhetarëve të tij, me nota prekëse, por dhe me humor. Shkrimtari vazhdon të shkruaje një roman tjetër dhe merr nga koha e lirë për të hedhur mendimet e tij që përmbajnë një filozofi të veçantë të intelektualit shqiptar të ardhur në Amerikë. Fatkeqësisht si ai ka pak në Clearwater, pasi shumica e kanë mendjen tek "biznesi", sigurimi i një jete më të mire, sidomos për fëmijët e tyre. Edhe Thani mendon për fëmijët dhe të afërmit e tij, por pasionin që e ka pasur qysh në moshë të re nuk mund ta lërë. Më kujtohet se atje në Florida, ku janë vendosur një numër i madh bashkëkombësish, u organizua një mbrëmje letrare për shkrimtarin Thani Naqo që megjithëse është tepër modest si njeri, ka një botë të madhe shpirtërore dhe një penë të artë. Ai vlerësohet nga bashkëatdhetarët dhe gjen kohë, krahas punës  të përditshme, të shkruajë, të meditojë dhe të hedhë në letër mendimet e tij, të një njeriu të mirë, atdhetar që mbart filozofinë e çiltër të shqiptarit dhe përtërin vlerat e mira shekullore të tij. Vjen nga një familje me tradita patriotike dhe që e don dhe ruan kujtimet e të parëve, si dhe i ati xha Miçua i ndjerë që deri para pak kohësh merrej edhe me bletët dhe prodhonte mjaltë në Florida.

Ndjej kënaqësi të veçantë kur shkëmbej mesazhe me Jetën në Toronto, me Glejdin në Gjermani, me Imerin dhe Meritonin në Gjenevë, me Gjergjin në Nju Xhersi, me Danielën në Nju Xhersi, me Ladin në Las Vegas, me ish kolegun tim, Shabanin, publicist dhe diplomat i dëgjuar, me diplomatin dhe mikun tim Harillën në Janinë, që megjithëse ka marrë një drejtim tjetër të rëndësishëm, nuk mungon të botojë libra me vlerë për ekonominë shqiptare; me profesorin e nderuar të gazetarisë, Hamit Boriçin, i cili më ka falur shpesh herë çaste të këndshme, të një publicistike tepër dashamirëse në emailet e tij.

Ndonjëherë në mesazhet e mija jap edhe ndonjë mendim modest, pa dashur të jap mësim, edhe atij parlamentarit dhe mikut tim që kryen një detyrë të vështirë, por fisnike, për të mirën e kombit tonë të lashtë, në rrugën drejt Europës së Brfukselit, NATO- s, për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, apo vende të tjera fqinje e të globit. Gjithkush, në kohën e elektronikës dhe të Internetit, do të dëshironte që përveç marrjes çdo mëngjes të njoftimeve të freskëta nga Shqipëria, Kosova, nëpërmjet gazetave tona, që vinin dikur edhe në Bibliotekën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, t’i binte në dorë edhe një libër me mbresa nga Diaspora, një roman, publicistike. Për këtë duhet të mendojnë më tepër botuesit tanë.

Siç m'u shpreh ai bashkëatdhetari i mirë që do të donte të kishte shkëmbime mesazhesh edhe me diplomatë dhe parlamentarë shqiptarë për të dhënë edhe ai mendimin për ecurinë e shoqërisë shqiptare, apo edhe për ndihmën që mund të japë çdo bashkëbesëlidhës për vendin e tij. Kjo është një normë e zakonshme në shoqëritë perëndimore ku parlamentarë, diplomatë dhe qeveritarë bashkëbisedojnë me bashkëkombësit e tyre në vend apo edhe në Diasporë. Shënimet janë të shumta, bashkëbisedimet me miqtë dhe dashamirës të Shqipërisë janë të përditshme. Alfonsi, president i Shoqatës së Talasemikëve në Francë më shkruan për takimet e suksesshme me profesor Mattew Demetriades, gjeneticien i dëgjuar, sekretar i "Doctors of the World", drejtues i projekteve të Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF). Brunilda më flet për hapat që janë bërë në Shqipëri në luftën kundër Talasemisë, për « Dhurimin e Gjakut » dhe projektet  në këtë fushë. Rruga për eliminimin e kësaj sëmundje nuk është e lehtë. Gjithe shoqëria shqiptare, duke përfshirë dhe biznesmenët dhe parlamentarët tanë, duhet të japin ndihmesën e tyre, të gjejnë "shtigjet" për parandalimin e Talasemisë, sëmundje që prek sidomos zonat mesdhetare dhe ka një përqindje të konsiderueshme në vendin tonë, por edhe në Greqi, Itali, Francë, Kinë, vendet arabe, duke përfshirë edhe Amerikën dhe Kanadanë, si rezultat i migrimeve të shumta. Presidenti i "Cooley"s Anemia Foundation" (CAF) dhe drejtoresha e ketij fondacioni me prestigj ne Nju Jork,  më njoftuan në një takim me ta se për herë të pare është provuar në Europë terapia gjenike. Novartis në Zvicër dhe degët e tij kudo në botë po bashkëbisedojnë për të ulur koston e eliminuesit të ri të hekurit, Jadenu dhe Exjade . Shkëmbimet janë shtuar me vendet fqinje, por edhe me TIF, dhe ato duhen zgjeruar në të mirë të së ardhmes të shoqërisë sonë. Shembulli i Qipros, këtij vendi të vogël në parandalimin dhe mjekimin bashkëkohor të Talasemisë, si dhe njoftimet e mira nga Shqipëria për dhurimin e gjakut falas nga ana e një numri të konsiderueshëm bashkëkombësish, dhuratat dhe mjetet e tjera të vëna në dispozicion jo vetëm nga shteti shqiptar, por edhe njerëz të thjeshtë, biznesmenë, do të sjellin patjetër rezultate të kënaqshme.

Këto shënime, po i mbyll me dëshirën e shprehur nga shumë bashkëbeselidhës kudo që janë që të gjejnë sa më tepër nota optimiste, solidaritet, mirënjohje në gazetat dhe forumet tona, pa mllefe, njoftime për krime, prostitucion. U emocionova , kur diku  afër Clearwater, banorët e një qyteze të vogël, kishin ndërtuar me kontributet e tyre, një banesë të re, për një qytetarin e tyre. Shtëpia ishte rrënuar nga një nga Uraganët e zakonshëm në Florida. Shoqëria moderne qoftë në "Amerikën e bekuar" apo edhe atje në Shqipërinë e vogël, edhe për pak kohë në "Europën tjetër", pas një Marrëveshje të mundeshe të Bashkëpunimit me Brukselin, do të kapërcejë pasojat e tërmetit me ndihmën, solidaritetin, bashkëpunimin e të gjithë bashkëkombësve, qofshin këta në vend apo në Diasporë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat