Në ditën e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë

Diaspora

Në ditën e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë

Nga: Shqipe Bytyqi Më: 21 janar 2020 Në ora: 16:03
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në organizim të Qendrës Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur, me datën 15 janar në Zürich u mbajt një manifestim përkujtimor në ditën e përkujtimit të gjenocidit serb gjatë luftës së Kosovës.

Ishte ky një homazh për 11840 shqiptarë të vrarë, ndër ta 1392 fëmijë, ishte nje përkujtim dhembjeje për 1450 të pagjetur shqiptarë, për 20499 viktima shqiptare të dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Manifestimi në këtë ditë kishte mbledhur përfaqësues të institucioneve të Kosovës, bashkëkombas të shumtë nga gjithë Zvicra, veprimtarë, shkrimtarë e krijues të fushave të ndryshme.

Në fjalën e tij kryetari i Qendrës Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur, z. Bardhyl Mahmuti foli për domosdoshmërine e ngadhnjimit të drejtësisë për të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë si dhe për angazhimin e Qendrës Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur, që ky gjenocid të njihet botërisht. Ai tha: “ Kur vrasjet, dhunimet, dëbimet e dhunshme në funksion të spastrimit etnik, imponimi i kushteve që shkaktojnë shkatërrimin njerëzor, bëhen me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, atëherë kemi të bëjmë me krimin e gjenocidit. Kjo pamëdyshje ndodhi në Kosovë“.

Në vijim veprimtarja, zonja Shqipe Bytyqi foli për njëzet mijë dhembje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, për sfidat e tyre, për gjendjen e tyre psikofizike dhe apeloj që stigmatizimit të kësaj kategorie ti jipet fund. Zonja Shqipe Bytyqi tha: „në Kosovë kemi argumente të shumta që edhe dhunimet seksuale të grave shqiptare të përkufizohen si gjenocid, jo si krime lufte. Prandaj duhet të kemi shumë kujdes kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të gjenocidit, psh. duke drejtuar gishtin te „grupet paramilitare“ kur ka dëshmi të mjaftueshme që e tërë makineria luftarake serbe, përfshirë edhe paramilitarët ishte nën urdhërat dhe komandën shtetërore të Serbisë. Në fund ajo shtoi: „është koha e fundit që qeverija së bashku me shoqërinë civile, me Qendrën Gjenocidi-Plagë e hapur, pse jo edhe me Akademinë e Shkencave të Kosovës të hartojë një Strategji Kombëtare për Drejtësi”.

E dhembshme dhe e trishtë ishte fjala dhe tregimi i zonjës Shukrije Ramadani, konsulle pranë Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Zürich mbi fëmiun e tramatizuar, të mbijetuarin e luftës i cili humbi aftësinë e të folurit. Tubimin me fjalë rasti e përshëndeten edhe perfaqësues tjerë të institucioneve të Kosovës si dhe shkrimtarë. Poeti dhe veprimtari Isuf Sherifi, bashkëhartues bashkë me Lulzim Etemajn të librit DRITË MBI PLAGË, foli mbi librin të cilin Qendra Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur, po këtë ditë me 15 janar nxorri nga shtypi. DRITË MBI PLAGË, është një sprovë për antologji me poezi nga 51 autorë nga të gjitha trojet shqiptare me tematikë gjenocidin serb në Kosovë.

U deklamuan edhe vargje të shkëputura nga libri i cili së shpejti do të promovohet në Prishtinë, Tiranë e Tetovë. Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, do të njoftojë dashamirët e librit lidhur me datat e promovimeve. Manifestimi në Zürich nga fillimi gjer në fund përqoj domosdoshmërinë që gjenocidi serb mbi shqiptarët, kjo dhembje e madhe kombëtare të kthehet në kujtesë kolektive dhe kërkesë për drejtësi juridike dhe historike.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat