Diaspora shqiptare në parlamentin britanik, kundër dhunës seksuale si mjet lufte dhe dhunës ne familje

Diaspora

Diaspora shqiptare në parlamentin britanik, kundër dhunës seksuale si mjet lufte dhe dhunës ne familje

Më: 10 mars 2020 Në ora: 09:03
Diaspora e Kosovës në Londër

Ishte simpozium dhe diskutuam stigmen rreth temës së dhunës ne familje, me përqendrim te veçante ne abuzimet seksuale dhe te mbijetuarat e dhunës seksuale.

Diaspora e Kosovës në Londër shënoi 8 Marsin – Dita Ndërkombëtare e Gruas, me përkujtim për të mbijetuarat e dhunës seksuale nga koha e luftës, përmes dokumentarit " Krijimi i Mendoj për Ty".

Organizata “Kayav - Kosovar Albanian Youth Against Violence”, ka organizuar në ambientet e Parlamentit britanik një diskutim kundër dhunës ndaj gruas, e në veçanti të dhunës seksuale si mjet lufte.

Në këtë ngjarje, në mesin e shumë folësve, ishte edhe Julie Ward, ish-parlamentare e BE-së dhe ideatore e kampanjës “1 Billion Rising”.

Ajo u shpreh shumë e lumtur me ftesën dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje që ajo e quajti “shumë të rëndësishme".

“Shumë e lumtur që marr pjesë në këtë ngjarje aq të rëndësishme dhe falënderoj KAYAV-in për organizim të këtij eventi në Parlamentin britanik, në prezencë të parlamentarëve dhe të aktivistëve për të drejta të grave, dhe shpresoj sa më shumë të promovohet arti si mjet komunikimi për gratë e stigmatizuara, siç është dhuna seksuale si mjet i luftës, si rasti i 20,000 të mbijetuarave të dhunës seksuale nga forcat serbe, gjatë vitit 98/99 në Kosovë”, tha Ward.

Image

Deputeti britanik në krye të Grupit Parlamentar për çështje të Kosovës, Martin Vickers, tha se është mik i Kosovës. “Dua të kontribuoj sa më shumë për diasporën e Kosovës, por edhe në Kosovë. Çështja e grave dhe burrave të dhunuar gjatë luftës në Kosovës është shumë delikate, shpresoj që seanca e sotme do të ndihmojë në drejtim të thyerjes së stigmës që ekziston rreth kësaj teme të ndjeshme”, tha Vickers.

Rema Duli, drejtoresha e KAYAV, në fjalën e saj në këtë ngjarje, falënderoi përzemërsisht Martin Vickers, deputeti britanik në krye të Grupit Parlamentar për çështje të Kosovës.

“Për komunitetin shqipfolës në Londër, kjo ngjarje do të thotë se kemi hapësirë të sigurt ku mund të zhvillojmë çështjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave, gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhunës në familje, punë, shkollë dhe shoqëri. Sot duam të ngremë zërin kundër stigmës, tabusë rreth temës se dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ne si nëna duhet të fillojmë të flasim me fëmijët tanë, të thyejmë stigmën përreth të gjitha formave të dhunës; në familje, në marrëdhënie, dhunës seksuale. Vajzat duhet të mësojnë nga një moshë e re, dhuna e të gjitha formave nuk lejohet assesi, dhe dhunuesi duhet të raportohet dhe të denoncohet. Djemtë duhet të edukohen që nuk ka të drejtë ta dhunojë gruan, ajo ka përkrahjen dhe fuqinë nga shteti dhe shoqëria. Nuk është marre ta lajmërosh dhunën! Marre është të jesh dhunues! Nuk guxojmë të lejojmë dhunuesit të fitojnë”, u shpreh Duli.

Ajo u shpreh shumë e lumtur për mbajtjen e seancës së sotme në Parlamentin britanik, dhe theksoi se tubime si ky i sotmi “japin shpresë që jemi në drejtim të duhur të thyejmë stigmën sociale rreth temës së dhunës seksuale në luftë, por edhe në demokraci”.

Në mesin e mysafirëve ishte edhe Brikena Muharremi, anëtare e Këshillit për diasporën shqiptare dhe themeluese e BALA-s (British Albanian Law Association).

Ajo foli rreth ligjit britanik për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Po ashtu u zotua që do të përkrahë përfituesit e KAYAV në çdo aspekt ligjor. Gjithashtu, Muharremi tha se do të zhvillohen ligjërata për gratë dhe vajzat shqiptare nëse ka nevojë.

Ndërsa Anita Berisha, aktiviste e re e KAYAV. Tha: Në këtë ditë ndërkombëtare të gruas, dëshiroj që të i kushtohet e njëjta vëmendje sikur viktimave të kohës së luftës edhe viktimave  të kohës së tashme të dhunës, përfshirë viktimat e dhunës në familje.

Sipas saj gratë dhe fëmijët meritojnë po ashtu  drejtësi, shërbime dhe mundësinë për të i dëgjuar. Dhuna në shtëpi ka ndikim shkatërrues për fëmijët dhe të rinjtë që mund të zgjas deri në moshën  e rritur. Llogaritet se një nga shtatë fëmijë (14,2%) dhe të rritur deri në moshën 18 vjeç  do të kenë jetuar duke përjetuar dhunë.

Lindsay Love, nga kampanja “UK says no more”, foli për të drejtat e grave të cilave u cenohet siguria në familje apo edhe në vendin e punës.

James Chespy, ambasador i “White Ribon Campaign”, ishte shume aktiv gjatë seancës dhe përgëzoi Alketa Xhafa Mripën dhe ekipin e KAYAV për punën e bërë në edukim të komunitetit për një jetë të shëndetshme dhe pa dhunë”.

Gjatë kësaj seance u shfaq edhe dokumentari “Mendoj për ty” nga artistja Alketa Xhafa Mripa, si mjet avokimi për të nxitur komunikimin rreth çështjes së abuzimit seksual.

Dokumentari u pranua shumë mirë nga publiku dhe u kërkua të shfaqet prapë në një ambient më të madh dhe me një audiencë më të gjerë.

Ngjarja u prezantua nga Kristale Rama, aktiviste e të drejtave të njeriut.

Organizata KAYAV, e regjistruar në Londër në viti 2011, punon me familje, me fëmijë dhe të rinj. Misioni i organizatës është lufta kundër dhunës në familje, në shoqëri dhe në shkolla.

Aktivitetet javore zhvillohen në temat si; prindësi dhe disiplinë pozitive, shëndeti mendor, fuqizimi ekonomik, dhe avancimi në gjuhë me aftësi komunikimi, klube të rinjsh, sport dhe vallëzim në parandalim të dhunës, krimit dhe dukurive negative.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat