Roli i shtypit arberesh në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare

Diaspora

Roli i shtypit arberesh në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare

Nga: Dr. Denisa Tare Më: 19 mars 2020 Në ora: 18:17
Arbreshët në Itali

Në fillimin e shekullit XIX, mes shqiptarëve filluan të shfaqeshin, ashtu si kishte ndodhur me popujt e tjerë ballkanikë, rizgjime kulturore dhe kombëtare që, në masë të madhe, i atribuoheshin veprimtarisë nxitëse kushtuar atdheut nga qendrat e emigrimit jashtë shtetit, më shumë se nga ato në brendësi të shtetit turk. [1] Nxitjet në këtë drejtim vinin sidomos nga kolonitë shqiptare të Italisë Jugore, që ndiqnin moton e Rilindjes italiane dhe që i kishte tërhequr perspektiva e përhapjes së kësaj lëvizjeje edhe në Shqipëri, duke çuar në rizgjimin kombëtar të këtij vendi. Në kuadër të një rilindjeje të tillë kombëtare u shfaqën nismat e para në fushën e letrave në Itali nga ana e Vinçens Dorsës, Jeronim de Radës dhe Demetrio Kamardës. Ndërsa në Shqipëri këto nisma u ndërmorën nga disa intelektualë lokalë si Zef Jubani. Kështu, pikërisht i sipërpërmenduri Jubani, i cili në Shkodër kishte detyrën e sekretarit të Konsullit të Francës, porositi më 1871, në tipografinë e Triestes të kompanise austriake Lloid, shtypjen e një përmbledhjeje këngësh të Shqipërisë Veriore, të përkthyera në italisht, duke u bashkëngjitur një tabelë fonetike të tyre në gjuhën e origjinës, si dhe disa konsiderata paraprake mbi “gjendjen morale dhe kulturën intelektuale të popullit shqiptar”.[2] Nisma të ngjashme kishin lulëzuar në Egjipt nga Thimi Mitko, edhe në Rumani e Bullgari. Këto nisma ishin të drejtuara kryesisht nga përcaktimi i alfabetit dhe i rregullave gramatikore të gjuhës shqipe, si dhe në mbledhjen e rapsodive, këngëve popullore dhe studimeve mbi folklorin. Por nuk mungonte edhe ideja e pavarësimit të Shqipërisë.[3] Pararendës të lëvizjes që po ndiqnin pavarësinë ose, të paktën, autonominë e Shqipërisë, ishin studiuesit e njohur shqiptaro-italianë si Jeronim de Rada, veprimtar sidomos që prej vitit 1848 me gazetën e tij “Shqiptari i Italisë” e më pas me botimin periodik “Flamuri Arbrit” i 1848-1887.[4] Krahas tij, kishte edhe një brez të tërë arbëreshësh të angazhuar në çështjen shqiptare si Vinçens Dorsa, Dhimitër Kamarda dhe Zef Skiroi. Shtypi i kohës mbetet një burim me vlerë për ndriçimin sa më të plotë të kësaj periudhe. Rrethanat në të cilat gjendej Shqipëria nën sundimin otoman, nuk lejuan që të lindte dhe të përhapej shtypi periodik brenda vendit.

Vetëm jashtë Shqipërisë u arrit të krijoheshin periodikë të cilët ngritën zërin përpara Evropës, me qëllim njohjen e ekzistencës së kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij për të qenë shtet i lirë dhe i pavarur. Gazetaria shqiptare luajti një rol të çmuar duke ndihmuar çështjen kombëtare. Arbëreshë si Jeronim De Rada, Anselmo Lorekio, Terenc Toçi, Zef Skiroi, etj., kontribuuan duke e bërë të njohur çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Këtë e realizuan duke u bërë nismëtarë në krijimin e organeve të para të shtypit shqiptar në Itali. Nga ana kronologjike, sipas të dhënave që kemi deri sot, njihet si organ i parë i shtypit shqiptar gazeta “L’Albanese d’Italia” (“Arbëreshi i Italisë”). Kjo gazetë doli në Napoli më 23 shkurt 1848. Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës. Jeronim de Rada botoi një nga organet e shtypit më me rëndësi të kohës të quajtur “Flamuri i Arbrit”, i cili filloi doli në Kalabri në vitet 1883-1887, në dialektin e arbëreshëve të Kalabrisë dhe italisht. De Rada, përmes “Flamurit të Arbrit” i bëri të njohur Evropës se ekzistonte një komb shqiptar, i cili ka pasur një histori, një gjuhë, një traditë historike e, si rezultat, kishte mjaft të drejtë të aspironte për lirinë dhe pavarësinë e tij. Krahas gazetave të lartpërmendura, me nismën e poetit arbëresh Xhuzepe Skiroi, u botua në 1887 në gjuhën arbëreshe dhe pjesërisht italisht Revista “Arbëri i ri”. Një gazetë tjetër me rëndësi ishte “La nazione Albanese” me drejtuesin e saj Anselmo Lorekio. Shtypi i kohës na tregon, edhe një herë, që ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes kombëtare shqiptare. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra-mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut.[5] Shtypi arbëresh, që në zanafillë dhe sot, ka vijuar dhe vijon të zhvillohet duke lënë gjurmë në jetën e arbëreshëve, në lidhjet shqiptare dhe marrëdhëniet me Shqipërinë amë. Në gazetat e kohës, u trajtuan problematika të ndryshme të fushave letrare, kulturore, gjuhësore, folkloristike, shoqërore, pa lënë mënjanë çështjet politike. Shtypi arbëresh ka veçoritë e tij të krijimit dhe zhvillimit, që e bëjnë të ndryshëm nga zhvillimi i shtypit në vende të tjera ku kishin emigruar shqiptarët. Gazetaria arbëreshe shfaqet si nismë e dy apo tre personaliteteve, të cilët, për motive atdhetare, kulturore e shoqërore, botojnë një gazetë apo revistë (Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Françesko Stesi Petka, Antonio Argondiza, Genaria Lusi, Françesko Cicero, Rosalina Petrota, etj.).[6] Në të njëjtën kohë, ai lindi dhe u krijua me synime të qarta për të paraqitur jo vetëm problematikat kulturore, por dhe problemet sociale dhe politike që ndikonin në jetën e arbëreshëve jashtë vendit, por edhe atyre brenda vendit. Shtypi u shfrytëzua për qëllime të qarta nga ana e figurave të rëndësishme të kohës si Anselmo Lorekio, Terenc Toçi, Manilo Boniçi, etj., për të paraqitur orientimin e politikës zyrtare të shtetit ku kishin lindur dhe jetuar. U botuan organe të shtypit si nismë e përfaqësuesve të qarqeve politike italiane në gjuhën shqipe dhe italiane, me një platformë të qartë mbi Shqipërinë. Në këto organe të shtypit, numër pas numri, shfaqeshin problematika të ndryshme. Aty trajtoheshin hapur çështjet politike, të paraqitura si nismë e qarqeve politike të kohës. Në periudhën e Rilindjes kombëtare, depërtuan idetë iluministe, u hapën mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe në krahinat e banuara nga popullsi shqiptare. Për të realizuar këtë zhvillim, ndihmuan rrethanat politike e kohës, por edhe grupet politiko-kulturore që vepronin jashtë administratës turke, në vende të ndryshme të botës. Të tilla ishin klubet dhe komitetet që, në atë periudhë, dhanë kontribut të madh në fushën arsimore, letrare dhe publicistike.[7] Por krahas komiteteve apo shoqërive të kohës, rol të rëndësishëm luante dhe shtypi që, siç përmendet më lart, ndihmoi lëvizjen kulturore e cila zgjati afro 100 vjet. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, shtypi botohej jashtë administratës turke, edhe pse, gjatë asaj kohe, kemi pasur dhe gazeta apo revista që dolën brenda kufijve të Perandorisë Osmane. Shtypi, si brenda dhe jashtë, në vende të ndryshme të Ballkanit, Evropës dhe gjetiu, luajti një rol në afrimin politik dhe kulturor të popullit shqiptar në përmasa botërore dhe u angazhua në përhapjen e arsimit në masat e popullit, në qytet apo fshat. Roli që luajtën shqiptaro-italianët (arbëreshët) në këtë proces të gjatë të zhvillimit arsimor, politik, social dhe kulturor, ka qenë i vazhdueshëm në periudha të ndryshme. Kryesisht, ky fakt u vu re gjatë Rilindjes Kombëtare. Karakteri demokratik i Rilindjes italiane u pasqyrua në faktin se, në lëvizje, mori pjesë jo vetëm popullsia e qyteteve, por edhe e fshatrave, veçanërisht në krahinat e Italisë Jugore. Format përmes së cilës vepruan rilindësit për çlirimin kombëtar ishin të ndryshme. Nga gjiri i fshatrave të jugut dolën emra të intelektualëve të rinj, të cilët njihen ende sot e kësaj dite dhe përbëjnë krenarinë e kolonive shqiptare. Ndihma për mëmëdheun e largët dhe dëshira për të çuar zërin e këtij atdheu përpara opinionit publik botëror, karakterizojnë veprimin e gjithë patriotëve shqiptarë të shekullit XIX. Këto synime të përmendura më sipër, ishin objektivi i luftës së atdhetarëve shqiptarë, si brenda dhe jashtë vendit. Një ndër mënyrat për të realizuar synimet e tyre ishte dhe veprimtaria edukative dhe propagandistike në masat e popullit. Figura të ndryshme patriotike si De Rada, Anselmo Lorekio, Terenc Toçi, etj., do ta nxisin këtë veprimtari përmes themelimit me plot sakrifica të periodikëve të parë shqiptarë si “Flamuri i Arbrit”, “L’Albanese d’Italia”, “La Nazione Albanese”. Gazetarë italo-shqiptarë përkrahën në shtypin botëror të drejtat e popullit shqiptar, njëkohësisht themeluan shoqëri shqiptare dhe komitete të cilat, më vonë, dhanë përkrahjen për ngritjen e kongreseve gjuhësore shqiptare.

Jeronim De Rada dhe e përkohshmja “L’Albanese d’Italia”

De Rada nisi të merrej me gazetari që në moshë të re, që në vitet e para të krijimtarisë së tij letrare. Prirjet e De Radës u panë që në rini, kur Instituti Kozenti, duke vlerësuar meritën e tij letrare, e emëron në sesionin e 11 prillit të vitit 1839, si anëtar korrespondent. De Rada nisi të bëjë emër në rrethet intelektuale të kohës. Më 1 korrik 1842, Jeronimi bëhet anëtar korrespondent i Ankarasë Valentini në Napoli.[8] Ajo që i rriti vlerën De Radës, nga pikëpamja e rrugës që ndoqi si publicist, është gazeta “L’Albanese d’ Italia” apo “Arbëreshi i Italisë”.[9] De Rada tashmë, përmes kësaj të përkohshme, shihet si një gazetar me një pjekuri më të madhe politike. E nxori këtë gazetë në kushte të vështira ekonomike dhe politike, sepse viti 1848 ishte viti i ngjarjeve të rëndësishme politike në shtetet evropiane dhe ballkanike. Në Shqipëri, më 1848, kishte filluar lufta për autonominë kombëtare. Prej shumë vitesh, është pranuar zyrtarisht fakti se organi i parë i shtypit shqiptar është një gazetë e vogël e botuar në verë të 1848, nga Jeronim De Rada, në Napoli. Kjo gazetë është pikërisht “Arbëreshi i Italisë”, prej të cilës dolën në botim 27 numra deri në verën e vitit 1849.[10] Numri i parë i revistës doli në Napoli më 23 shkurt 1848 dhe është një datë e shënuar, sepse, përmes saj, nis në Itali një lëvizje e njohur si lëvizja Pro-Albania, një lëvizje e cila do të mbronte fuqishëm çështjen shqiptare. Si fillim, kjo gazetë doli në një format të vogël, me katër faqe dhe me një letër të dobët. Kështu shkruan vetë De Rada në veprën e tij “Autobiologjia”. Ai kujton: “Kisha pak të holla por, sidoqoftë, atë ditë bëra kontratën me shtypshkronjën “Trani” dhe kështu doli me një letër të varfër e me një karakter të vjetër “Arbëreshi i Italisë”. [11] Në Napoli ajo pati pak lexues, por në krahinën e Kozencës u abonuan 150 veta. Shumë shpejt, gazeta fitoi popullaritet në masën e gjerë të lexuesve arbëreshë dhe e shtoi tirazhin. De Rada tashmë filloi të njihet në rrethet intelektuale të Napolit përmes kësaj të përkohshmeje. Aty shkroi mbi lavdinë historike të popullit shqiptar. Në gazetë, krahas ngjarjeve politike të botuara në gjuhën italiane, janë shkruar dhe artikuj në të folmen arbërishte, e kjo e bën atë të quhet gazeta e parë shqiptare.[12] Shumë shkrimtarë janë shprehur në forma të ndryshme rreth rëndësisë së kësaj të përkohshmeje. Shkrimtari A. Gikosi në 1896 në gazetën “Messagerul” në Bukuresht, shkruan rreth kësaj çështjeje: “Patrioti i madh Jeronim De Rada, poet dhe profesor i gjuhës shqipe, nxori në botim në 1848 gazetën “L’Albanese d’Italia”.”[13] Fillimet e diskutimeve rreth çështjes shqiptare thuhet se kanë nisur në Itali dhe pikërisht në këtë vend kanë lulëzuar dhe shoqëritë e para kulturore.

Ndjenja e atdhedashurisë u përçua në të gjitha shkrimet që u botuan në këtë të përkohshme. Shumë atdhetarë shkruanin të mallëngjyer për vlerat që solli botimi i kësaj reviste. Më 3 mars 1848, Gaetan Kantivani nga San Marko, i shkruan me fjalë prekëse De Radës: “Kam marrë dy numrat e parë të gazetës “Arbëreshi i Italisë” dhe pothuaj shpesh herë i kam lexuar dhe rilexuar duke qarë... Nuk ka shqiptar të mos ushqejë ndjenja të tilla për një ndërmarrje që nderon gjuhën e Epirit...” .[14] Në faqet e kësaj gazete janë botuar mjaft shkrime dhe madje dhe pjesë nga poema të ndryshme. Përveçse pjesë nga poema “Vallja e Haresë së madhe” e Anton Sartorit, u botuan në disa numra me radhë edhe disa pjesë nga poema e Serafinës. Si përfundim, përmes këtyre burimeve të ndryshme, mësohet se De Rada e nisi veprimtarinë publicistike nga viti ‘40 i shekullit XIX si bashkëpunëtor dhe drejtues në shtyp, duke pasur në qendër të vëmendjes së tij çështjen shqiptare dhe të kaluarën historike të popullit shqiptar. Pavarësisht vështirësive që lidheshin me ngjarjet në Itali, De Rada e çoi më tej punën në fushën e shtypit, duke mos qëndruar larg luftës së popullit shqiptar për liri kombëtare. Gazeta “L’Albanese d’Italia” qe një tribunë e fuqishme që kërkonte ringjalljen e atdheut të robëruar dhe pavarësinë e tij. Një vend me rëndësi në këtë të përkohshme zë dhe botimi i këngëve dhe folklorit arbëresh, si një pjesë e ndërgjegjes së këtij ngujimi të vendosur atje 400 vjet më parë. Studiuesit e kanë konsideruar atë si një ndër pionierët e historisë së gazetarisë shqiptare, të shtypit periodik kombëtar të shekullit XIX, si lajmëtare e lëvizjes sonë kombëtare.[15] Botimi i kësaj gazete nuk ishte realizimi i dëshirës së një intelektuali arbëresh me ndjenja të flakta, siç ishte Jeronim De Rada, atëherë 34 vjeç, por një kërkesë e kohës, shprehje e idealeve kombëtare shqiptare. Ishin faktorët e ndryshëm historikë, politikë e shoqërorë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të cilët shtruan nevojën e daljes së një gazete shqiptare mbi Shqipërinë. Njohuritë që De Rada kishte marrë si shkrimtar dhe publicist, duke punuar për një kohë të gjatë si redaktor i revistës “Il Viaggiatore”(“Udhëtari”), botuar në Napoli rreth viteve ‘40 të shekullit XIX, i shërbyen për të botuar këtë gazetë, e cila nisi dhe vazhdoi si e përkohshme e rregullt[16]. Tirazhi i saj erdhi duke u shtuar, sepse u shfaq interes nga qarqe të ndryshme në Napoli, në Kozencë, etj. Tirazhi nga 500 kopje numri i parë, arriti në një shifër mesatare prej 1000 kopjesh. Dora d’Istria (Elena Gjika, një ndër bashkëkohëset e De Radës) e cilësoi këtë gazetë si “lajmëtare të lëvizjes sonë kombëtare”.

Ndonëse njohja për këtë gazetë është e mangët, vetë titulli i saj, shkrimet në gjuhën shqipe që u botuan në të, janë prova bindëse për të pohuar që ky organ qe gazeta e parë shqiptare dhe drejtuesi i parë, është pionieri i parë i gazetarisë shqiptare.[17] Periudha në të cilën doli gazeta përkonte me ngjarje të rëndësishme të kohës. Ishte viti 1848, pikërisht viti i revolucioneve që shpërthyen në shtete të mëdha të Evropës kundër qeverive dhe regjimeve despotike, si revolucioni në Francë, më pas në Itali, Austri, Hungari etj. Në Italinë e Jugut, revoltat nuk mungonin ndaj regjimit të burbonëve. Në Shqipëri vazhdonte rezistenca dhe kryengritjet e masave popullore kundër Tanzimatit (Reformave centralizuese të ndërmarra nga Porta e Lartë për të zëvendësuar sistemin feudal osman me një administratë me nëpunës turq). Ishin këto ngjarje dhe shumë të tjera që do të pasqyroheshin në shtypin e kohës. Dhe figura intelektuale si De Rada e të tjerë, ishin të parët që, përmes veprimtarisë publicistike, pasqyruan në shtyp të gjitha ngjarjet sociale, kulturore dhe politike të kohës. Gazeta nisi, siç përmendet më lart, si e përkohshme e rregullt dhe ashtu vazhdoi gjatë, deri kur problemet ekonomike u bënë shkak për ndalimin e botimit të saj. Puna e De Radës nuk ishte aspak e lehtë, as e ndihmësit të tij, studentit abrucez Nikolla Kastanja. Vështirësitë ekonomike në të cilat gjendej De Rada në atë kohë e bënin shpesh, siç e ka deklaruar vetë ai, të punonte në orë të vona për të korrektuar gazetën. Ishte njëkohësisht redaktor, kryeredaktor, korrektor teknik dhe letrar. Gazeta ishte organ politiko-kulturor dhe letrar. Ajo botonte lajme dhe shkrime informative, artikuj të ndryshëm për ngjarjet ne Itali. Ajo fitoi popullaritet me artikujt pamflete, të shkruara plot patos kundër dinastisë së burbonëve në përkrahje të popullit. Gazeta “Arbëreshi i Italisë” ishte tribunë e arbëreshëve ku, përmes shkrimeve të larmishme publicistike, paraqiteshin dhe çështjet kombëtare[18]. U demaskuan hapur synimet e fqinjëve për copëtimin e Shqipërisë si dhe politikat antishqiptare të Fuqive të Mëdha. Gazeta luftoi për të drejtat e kombit, duke shtruar dhe mbrojtur çështjen shqiptare përpara opinionit ndërkombëtar dhe atij evropian. Kjo e përkohshme paraqet interes dhe nga ana publicistike. Në të janë shkruar artikuj të llojeve të ndryshme, kryeartikuj, lajme, intervista, pamflete e deri te letrat e lexuesve. Përmes letrave të botuara, De Rada komunikonte mes arbëreshëve, por njëkohësisht tregonte rëndësinë e ndikimit të gazetës dhe reputacionin politik dhe shoqëror që gëzonte ajo. Krahas problematikave të ndryshme, u botuan dhe peticione apo thirrjet në ndihmesë të çështjes së kombit. Në nr. 27, është botuar një peticion drejtuar Dhomës së Deputetëve të Napolit në emër të arbëreshëve. Me anë të këtij dokumenti, kalabrezët kërkonin të jetonin të lirë e të pavarur nga Kisha e Romës e cila, me anë të asimilimit kombëtar, përpiqej t’i përfshinte në ritin e saj latin. Në peticion thuhej: “Kujtoni se si arbëreshët e parë erdhën këtu në përleshje të armatosura me forcat osmane. Erdhën të mjeruar, por të fortë nga betejat dhe bënë që zëri i tyre të dëgjohej në Itali, sidomos në Mbretërinë e Napolit, ku është ndier më afër nevoja e kësaj mbretërie për ndihmën e heronjve të vendit tonë”.[19]

Letra nga lexuesit është një nga llojet e shkrimeve që ndeshen dendur në gazetën “Arbëreshi i Italisë”. Përmes letrave, De Rada propagandonte idetë kombëtare dhe komunikonte me arbëreshët. Një nga letrat e botuara në një ndër numrat e saj ishte ajo që De Rada i dërgoi shokut të tij, Saverio Prato, komandanti i vullnetarëve arbëreshë në frontin e Venedikut. Në këtë letër, thuhet se De Rada evokon kujtimet rinore të dy shokëve, por kjo bëhet që të sillet ndërmend lufta për një Itali të bashkuar. De Rada thekson në letrën e tij se synimi i luftërave të Saveries është dhe duhet të jetë që të gjitha krahinat të gëzojnë liri e të drejta të barabarta. De Rada shkruan: “Një det pambarim vitesh e qeverish qëndrojnë midis nesh, mërgimtarë të trojeve të vjetra arbërore.” [20] Vend të rëndësishëm i kushtohej krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe. Janë botuar pjesë nga poema “Serafina Topia” në numra të tjerë. U botua vjersha ”Frozina”, një poemë e A. Sartorit “Vallja e Haresë së madhe”. E përkohshmja pati jehonë të madhe te arbëreshët dhe u erdhi në ndihmë për të çuar përpara traditat e kombit, për të propaganduar çështjen shqiptare në Napoli, në Sicili, në Kalabri dhe në vende të ndryshme të Evropës. Shkrimtarja Elena Gjika e ka quajtur fletoren “Arbëreshi i Italisë” paralajmëtare të lëvizjes kombëtare shqiptare. De Rada pati shumë vështirësi të nxirrte këtë organ, por ai vazhdoi botimin e saj duke marrë dhe vlerësime nga lexuesit arbëreshë, të cilët nuk reshtnin së shprehuri entuziazmin e tyre dhe urimet për mbarëvajtjen e gazetës. Urimet vinin nga të gjitha anët. Një ndër to është letra e mëposhtme, dërguar nga lexuesi Gaetano Kontivani, më 3 mars 1848. “Kam marrë dy numrat e para të gazetës “Arbëreshi i Italisë” dhe i kam lexuar me kënaqësi.” Arbëreshi Akile Frashireto, më 5 mars të këtij viti, shkruante: “Kjo gazetë nderon gjuhën e Shqipërisë”. Fjalë prekëse shkruante shkrimtari arbëresh, Artan Santori: “Mora dy numrat e gazetës “Arbëreshi i Italisë”. Më lejo të shpreh admirimin tim për këtë gazetë, ku me lot në sy shoh emrin e saj me titull që i përgjigjet qëllimit tonë të përbashkët”. Kështu, gazeta “Arbëreshi i Italisë” bëri jehonë ndër lexuesit arbëreshë si një tribunë e parë që do t`i hapte rrugë autorit për të nxjerrë më vonë revistën “Flamuri i Arbrit”, një ndër organet e para të shtypit të Rilindjes sonë kombëtare. [21] Gazeta shtroi problemin shqiptar në vëmendjen e Evropës, por, pas pak kohësh, u mbyll nga mungesa e mjeteve dhe vështirësitë financiare. Këto probleme u pasqyruan në letrat që poeti i dërgonte të atit, Mikelit. Aty vihet re kujdesi i vazhdueshëm për mbarëvajtjen e punëve në familje dhe shihet ndihma materiale që i jepte ai. Duke parë gjendjen e vështirë financiare, De Rada u detyrua ta ndërpresë botimin e gazetës dhe të largohej nga Napoli për t`u rikthyer në familje, në botën e studimeve dhe krijimeve të tij letrare për çështjen shqiptare. Si atdhetar dhe poet, ai i bëri të njohur botës të kaluarën e lavdishme historike të popullit shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1848, De Rada kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Maqë, për të pritur, siç i shkruan Dora d’Istrias “ditë më të mira”. De Rada nuk e ndali punën e tij, u përpoq në të gjitha mënyrat të mbante lidhje me atdheun e të parëve. Veprimtaria e tij publicistike nuk u mbyll me gazetën “Arbëreshi i Italisë”. Në vitin 1866, u botua një tjetër gazetë me titull “Flamuri i Skënderbeut”. De Rada e pa të arsyeshme që gazeta të botohej në Korfuz, sepse aty do të ishte afër lëvizjes patriotike në jug.[22] Botimi i kësaj gazete u bë me qëllim që të evokohej e kaluara historike në funksion të lëvizjes për bashkimin kombëtar dhe çlirim. Në këtë periodik, u botuan materiale dokumentare mbi luftën çlirimtare të popullit shqiptar.[23] Më 19 janar 1867, Dora i shkruante De Radës: “Prej kohësh kam vënë njerëz që të kopjojnë nga arkivat dokumente të çmuara që kanë të bëjnë me Shqipërinë, dokumente që do të pasurojnë “Flamurin e Skënderbeut”. Duke marrë sërish fjalën për fletoren që De Rada do të nxirrte, Dora d’Istria shkruan: “Emri popullor i Skënderbeut do të provonte se të gjithë duhet të vendosim për të vënë emrin e atdheut shqiptar mbi gjithçka.[24] Kështu, gazeta “Flamuri i Skënderbeut” u bë tribunë e luftës së popullit shqiptar. Nga ana tjetër, ky organ shtypi do të ndihmonte edhe në përhapjen e alfabetit latin, që konsiderohej si më i përshtatshmi për gjuhën shqipe[25] ndonëse ky qëllim mbeti vetëm projekt. Krahas gazetave të mësipërme, rol të rëndësishëm do të luante dhe zgjerimi i lëvizjes kombëtare në kolonitë e Egjiptit, Rumanisë, Bullgarisë dhe vende të tjera, të shtrirë në më shumë se 80 vendbanime të Italisë së Jugut dhe në Sicili, ku komuniteti ishte bërë më aktiv me urbanizimin dhe zgjerimin e kontakteve. Lëvizja kombëtare shqiptare e Italisë kishte filluar të merrte formë 25 vitet e fundit të shekullit XIX dhe merita kryesore ishte e poetit të madh Jeronim De Rada. De Rada, siç kemi përmendur në çështjet e mësipërme, ishte shpërngulur nga Kalabria, ku lindi, në Napoli, ku pati kontakte me grupet nacionaliste italiane dhe idetë revolucionare republikane. I dënuar fillimisht për pjesëmarrje në një organizatë të tillë, ai kishte hequr dorë nga angazhimi politik për t’iu kushtuar çështjes shqiptare. Gazeta “Arbëreshi i Italisë” mund të kishte vazhduar të qëndronte në qarkullim më gjatë nëse De Rada nuk do të kishte pasur zhgënjimin e parë politik të jetës së tij. Si i ri liberal, ai qe angazhuar në jetën politike dhe pati marrë pjesë në revolucionin e po atij viti, i cili kërkonte të adaptonte Mbretërinë e Napolit me idetë e revolucionit francez të korrikut të 1848. Pas dështimit të revolucionit, ai u burgos së bashku me shumë të rinj të tjerë arbëreshë dhe nuk u lejua të largohet nga fshati i tij. Makia. Ky internim i parë do të bëhej shkak për mbylljen e gazetës së parë në historinë e saponisur të shtypit shqiptar. Që nga ajo kohë e deri në 1861, askush nuk do të dëgjonte më për De Radën. Dihet se jetoi në Makia, po nuk dihen impenjimet e tij. Mendohet se mund të jetë marrë me poezi pasi në 1936 pati botuar “Këngët e Milosaos” dhe më 1843, “Serafina Topinë”. Pas kësaj kohe, iu kushtua tërësisht çështjes shqiptare. Vendosi korrespondencë me shumë personalitetet politike dhe avokatë të çështjes shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat