Koronavirusi, ekip mjekësor shqiptar në ndihmë të Italisë

Diaspora

Koronavirusi, ekip mjekësor shqiptar në ndihmë të Italisë

Më: 29 mars 2020 Në ora: 06:09
Foto ilustrim

Shqipëria dërgoi të shtunën një ekip prej 10 mjekësh dhe 20 infermierësh në Itali në shenjë solidariteti me një vend që e ka ndihmuar atë në ditët më të vështira të saj e që tani po përballet me epideminë e koronavirusit, duke humbur qindra jetë në ditë. “Matanë detit është shtëpia jonë tanimë, qëkur Italia motrat dhe vëllezërit italianë na shpëtuan dhe na mikpritën dhe adoptuan në shtëpinë e tyre, kur Shqipëria digjej nga dhimbje të papërshkrueshme”, deklaroi kryeministri Edi Rama, duke sjellë në kujtesë fillim vitet ’90 kur dhjetra mijëra shqiptarë u nisën me anije drejt Italisë.

Fqinji i Shqipërisë, prej javësh ndodhet në një situatë mëse dramatike. “Ne po luftojmë me të njëjtin armik të padukshëm dhe njerëzit dhe mjetet e luftës sonë nuk janë pa kufi, por sot ne nuk mund t’i mbajmë forcat tona rezervë në pritje që të hyjnë në luftë këtu, teksa në Itali po kurohen në spitalin e luftës edhe shqiptarë të plagosur nga armiku, kanë një nevojë të jashtëzakonshme për ndihmë”, theksoi zoti Rama nga aeroorti “nënë Tereza”, pak para nisjes së ekipit të mjekëve dhe infermerëve.

Vendimi i Shqipërisë, është më së shumti një gjest mirënjohje dhe mbështetjeje. “Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre dhe edhe vende shumë të pasura ju kanë kthyer kurrizin të tjerëve, por mbase pikërisht ngaqë nuk jemi shumë të pasur dhe nuk na ka lënë kujtesa akoma, ne nuk mund tja lejojmë vetes të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi”, vuri në dukje kryeministri, duke shtuar se “Kjo është një luftë ku askush nuk fiton dot i vetëm dhe ju të dashur anëtarë dhe anëtare të këtij misioni kurajoz për jetën, po niseni në një luftë që është dhe e jona. Sot, ne jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet dhe do ta fitojë luftën edhe për ne edhe për gjithë Europën dhe botën”.

Mjekët dhe infermierët shqiptarë u pritën në Romë nga ministri i Jashtëm italian Luigi di Maio, I cili falenderoi qeverinë dhe popullin shqiptar “për solidaritetin që po dëshmon Shqipëria, një vlerë e përbashkët mbi të cilën ka lindur Bashkimi europian, dhe që po ua kujton shumë vendeve të BE-së në këto momente”, deklaroi kryediplomati italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat