Ndue Ftoni shembull i humanizmit njerëzor që nuk u kursye kurrë për vendlindjen e tij.

Diaspora

Ndue Ftoni shembull i humanizmit njerëzor që nuk u kursye kurrë për vendlindjen e tij.

Nga: Ramazan Çeka Më: 15 prill 2020 Në ora: 22:55
Ndue Ftoni

Bashkëatdhetari, aktivisti dhe bamirësi Ndue Ftoni dhuron 10.000 $ për njerëzit në nevojë në Bashkinë e Shkodrës.

Shpirtmadhsia lind dhe rritet bashkë me njeriun si flaka e zjarrit që ndriçon për të ngrohur të tjerët. Të tillë njerëz kthehen në burim jete për familjet e varfëra, të cilat kanë gjithmonë nevojë për vemendjen e një dore të ngrohtë si rreze shprese, për të parë driten në fund të tunelit e sidomos në këtë kohë të veshtirë që po kalon e gjithë bota, e në veçanti Shkodra. Vendlindja të cilën kurrë s’e braktisi, as nuk e harroi biznesmeni i suksesshëm shpirtmadh Ndue Ftoni, i cili në këto ditë Pashkësh i dhuroi 10 mijë $ Bashkisë së Shkodrës, që t’u shpërndahen familjeve më në nevojë, e që po përjetojnë akoma më shumë vështirsi ekonomike.

Nuk mund të gjej paqe kur e di se sa familje shkodrane mbidhen rreth sofrës pa bukë, thotë Ndue Ftoni. Nuk mund të jem i qetë apo i lumtur me pasurinë time kur nuk e ndaj me të tjerët atë që kam. Jam edukuar nga të parët e mi se askush nuk fiket tuj dhënë, por pasurohet edhe më shumë.

Jam lindur e rritur në një kullë fisnike të Dukagjinit, ku në mësimet e para të kuptimit mbi jeten, obligim ishte "bujaria e pa za," që përkthehej në porosinë e të moçmëve "Çka t’japë e djathta, mos ta dijë e majta".

Image

E kam amanet ta ruaj traditen e të parëve të mi që për më shumë se katër breza gatuan e dhanë bukë për udhtarë të njohur e të panjohur, duke e vendosur në strajca mbi një vend të posatshëm në shteg të oborrit që kushdo që kalonte dhe kishte etje e uri, të kishte mundësi të ushqehej, ndërsa vazhdonte udhën e vet.

Amanet që mundohem ta mbaj fort e tua trashëgoj edhe femijëve thotë Ndue Ftoni, pasi duke ndihmuar njëri-tjetrin, ndihmojmë edhe veten për tu ndierë të gjallë në mes të gjallëve. Siç thoshte edhe nana ime s’ka më bekim se me ju bërë ndihmë e me ja njomë doren atij që ka nevojë e gjendet në veshtirsi, shton ai.

E di se në këto ditë të vështira që po kalojmë, është e vështirë tu bëhem krah të gjithëve, pasi gjendja ekonomike është rënduar edhe më shumë në familjet shqiptare nga ngujimi i frikës së pandemisë, por shpresoj fort që të kem zbutur sadopak nevojat më emergjente që kanë disa nga familjet më të varfëra.

Në pamundësi për të udhëtuar vetë e me besimin se ndihma ime do shkojë vërtetë tek këto familje, shpërndarjen ia besova Bashkisë Shkodër e në veçanti kryetares zonj.Voltana Ademi.

Image

Një mendim sa i drejtë po aq edhe i nevojshëm, pasi biznesmeni Ndue Ftoni donte të ishte pranë të gjithë atyre familjeve më në nevojë në Bashkinë e Shkodrës, pavarsisht besimit apo origjinës së tyre, ndaj askush më mirë se Kryetarja e Bashkisë nuk mund t’i njihte ato, e cila për hirë të vërtetës, duke i shprehur mirënjohje dhe falenderimet më të thella z.Ftoni, menjëherë ngriti një grup pune ku hartoi një listë paraprake me familjet më ekstreme në nevojë dhe filloi me shpërndarjen e tyre.

Humanizmi i Ndue Ftonit vjen gjithmonë e më shumë si një akt burrërie e fisnikërie që pavarsisht se ai nuk kërkon t’i bëhet jehonë veprës së tij, nuk mund të kalojë pa vëmendjen e komunitetit, apo pa u pasqyruar në medja vepren për të cilën e marrin shumë herë nga rrjetet sociale që në rastin konkret u shpërnda masivisht si një akt bamirsie, ku të shumta ishin edhe komentet falenderuese dhe vleresuese si një shembull për tu ndjekur nga biznesmenë të tjerë bashkëkombas.

Bujaria e z.Ndue Ftoni ka ditur të prekë gjitmonë aty ku nevoja është shumë e madhe, siç ishte rasti i 2007- tës ku humbën jeten 10 viktima në një aksident rrugor në Kirë të Dukagjinit, për të cilët ka dhuruar 11 mijë $, apo rasti i katër jetimëve në 2019-tën në Fusharrëz, ku digjet një shtëpi dhe vdesin prindërit e fëmjëve, për të cilët ka dhuruar 5 mijë $.

Megjithse jo i përfshirë direkt në procesin e shpërndarjes, përsëri pata rast t’i ndjek nga afër këta punonjës kur dorëzonin zarfat me kistin e parave tek këto familje dhe e them me bindje që përjetova emocione të forta në shpirt nga fjalët falenderuese, urimet dhe bekimet që ata drejtonin në adresë të z.Ndue Ftoni, çka shprehej edhe në mimiken e fytyrës deri edhe përlotjen e syve të tyre.

Gjej rastin ta falenderoj edhe unë z.Ndue Ftoni për këtë akt humanizmi të pashoq, si dhe për besimin jo vetëm si shkodran, por edhe si mik dhe bashkëpunëtor të vjetër që më mundësoi të shoh nga afër realitetin e këtyre familjeve ekstremisht të varfëra.

U desh kjo eksperjencë për të kuptuar diversitetin ekonomik e social që mbizotëron sot në Shkodër e me gjërë.

Me një luhatje të madhe emocionale prej asaj që përjetova e mbyll këtë shkrim me disa nga urimet më të sinqerta të familjarëve nevojtarë "Zoti t’i shtoftë e të dhashtë bereqet", "T’u bëfshin shëndet e paç mbarësi në familje", "Të ndihmofshin këto ditë e gëzuar Pashkët". "T’i shtoftë e kurrë mos t’i mungoftë Zoti".

Bashkohem me këta zëra të freskuar nga bujaria e z.Ndue Ftoni për ta falenderuar përzemërsisht për këtë akt të madh bujarie. Zoti t’i shtoftë e ta shpërbleftë në të mira në jeten dhe familjen tënde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat