Dr. Ermira Babamusta mbajti trajnimin “Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive” për liderët e rinj të Ballkanit

Diaspora

Dr. Ermira Babamusta mbajti trajnimin “Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive” për liderët e rinj të Ballkanit

Nga: Qendresa Nikqi Më: 7 qershor 2020 Në ora: 22:07
Dr. Ermira Babamusta

Drejtoresha e fushatës Presidenciale e Presidentit Amerikan Barack Obama, Dr. Ermira Babamusta mbajti trajnimin me temën “Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive” për strukturat e LDA Balkan (Leadership Development Association).

Dr. Ermira Babamusta është një eksperte dhe ligjëruese me përvojë shumëvjeçare në Amerikë, duke qenë pjesë e “Speakers Bureau,” byroja e folësve motivues. Përvoja e saj profesionale përfshin Departamentin e Sigurisë së Atdheut në Amerikë, AmeriCorps Vista në Nju Jork, Këshilli i Kongresit Amerikan për Udhëheqjen e Rinisë (Congressional Youth Leadership Council), Departamenti i Paqes në OKB, Administrata e Presidentit Obama dhe Kongresi Amerikan në të dyja dhomat Senatin Amerikan dhe Dhoma e Përfaqësuesve (U.S. House of Representatives).


Me ftesë të zv. Presidentit të LDA Balkan z. Qëndrim Hoxha, CEO i kësaj organizate për Kosovë, Dr. Ermira Babamusta me 5 qershor 2020 ka mbajtur trajnim për anëtarët e LDA-së me degë në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

“Pata kënaqësi të veçantë të ndaj përvojat e mia rreth lidershipit transformues dhe adoptues me pjesmarrësit e forumit Ballkanit të LDA-së. U angazhuam në një debat interesant rreth temës nëse një lider është i lindur i tillë apo nëse kjo veti mund të zhvillohet tek të tjerët. Udhëheqësit mund të lindin në çdo sferë dhe udhëheqja është një aftësi që secili prej nesh mund ta përvetësojë dhe zbatojë nëpërmjet angazhimeve apo përkushtimit ndaj kauzave të ndryshme,” tha Dr. Ermira Babamusta.

“Vlerësoj kontributin dhe ftesën nga z. Qëndrim Hoxha duke mundësuar një platformë ndërkombëtare si LDA që përgadit liderë të suksesshëm për të ardhmen,” shtoi Dr. Babamusta, autore e librit “Besimi Politik në Kosovë” dhe eksperte e punëve të jashtme.

Trajnimi shёnoi siparin e tij me fjalёn hyrёse tё mbajtur nga Presidenti i LDA Balkan, Marilo Meta; zv. Presidenti i LDA Balkan dhe CEO i LDA Kosova, z. Qёndrim Hoxha; si dhe Menaxheri i Burimeve Njerёzore tё LDA Balkan Dr. Sc. Sedat Baraliu, moderuar nga Dona Kuçi, dega e LDA-sё nё Maqedoni tё Veriut.

“LDA Ballkan është një platformë ndërkombëtare në shërbim të rinisë dhe profesionistëve të rinj. Ne, me kurajo dhe vullnet të madh, jemi të përkushtuar për të qenë të suksesshëm përmes projekteve tona ndërkombëtare për zhvillimin e aftësive drejtuese të të rinjve dhe në ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit midis 30 vendeve përfaqësuese të LDA-së,” tha z. Qëndrim Hoxha, zv. President dhe CEO i LDA Ballkan, dega në Kosovë.

“Angazhimi im për organizatën, përveç administrimit të burimeve njerëzore, promovon edhe trashëgiminë kulturore në botë përmes të rinjve dhe edukimin e tyre për ruajtjen e trashëgimisë kulturore,” tha Dr. Sc. Sedat Baraliu, Menaxher i Burimeve Njerëzore LDA Ballkan.

Platfomra e LDA Balkan: Udhëheqja dhe Angazhimi Global


Presidenti i LDA-së Marilo Meta dhe zv. Presidenti Qëndrim Hoxha janë angazhuar fuqishëm në zhvillimin e qytetarisë aktive në Ballkan dhe më gjerë. Ata, së bashku me Prof. Dr. Sedat Baraliun dhe anëtarët e kësaj organizate e kanë bërë LDA-në emrin më të dashur nga të rinjtë në gjithë Ballkanin duke qenë shumë produktiv në punën e tyre.

“Themelimi i LDA-së nuk ka qenë vetëm një moment historik, por një ideal, një ëndërr e realizuar nga të rinjtë që kërkojnë zhvillim dhe prosperitet, duke kërkuar paqe dhe drejtësi shoqërore. LDA ka qenë një histori për të shkruar, një pikë fillestare për një mision, një vizion unik univerzal, së bashku si qytetarë të botës për një botë më të mirë, për një të ardhme më të mirë në paqe, solidaritet dhe prosperitet,” theksoi Marilo Meta.

Dr. Ermira Babamusta pёrgjatё ligjёratёs sё saj ndau me pjesmarrёsit e trajnimit eksperiencёn e saj si Drejtoreshё e Fushatёs Presidenciale tё Presidentit Barack Obama, duke shёrbyer kёshtu si njё motivim dhe frymёzim pёr tё gjithё pjesmarrёsit e trajnimit. Njёkohёsisht nёpёrmjet trajtimit dhe tё disa pikave mjaft interesante si, historiku i lidershipit, evoluimin e tij pёrgjatё kohёs, tiparet tё cilat e bёjnё njё individ njё lider tё suksesshёm, modelet e ndryshme tё lidershipit, apo edhe elementёt e njё qeverisje efektive, e cila shёrben si pikёnisje pёr zhvillimin lokal e global tё shoqёrive, sollёn njё tablo informuese pёr tё rinjtё pjesё tё LDA Balkan.

Trajnimi u pasurua gjithashtu dhe me pjesmarrjen e anёtarёve nga shtete tё ndryshme tё Ballkanit si: Leona Jahiri nga Kosova, Bjondina Sherifi nga Maqedonia e Veriut, Arb Shabani nga Mali i Zi, Leutrim Edipi nga Lugina e Preshevёs dhe Evelina Rumi nga Shqipёria. Nё fjalёn e tyre, gjithsecili ndau rёndёsinё qё ka lidershipi, roli i liderit, individi, udhёheqja efektive dhe bashkёpunimi, nisur nga eksperiencat personale, profesionale apo problematiket aktuale qё prekin drejtpёrsёdrejti rininё e jo vetёm.

“Trajnimi i sotshëm organizuar nga LDA tregoi dhe një herë se të rinjtë kanë dëshirë të aftësohen, kanë interes të mësojnë gjëra të bukura, të reja. Trajnimi bëhet dhe më interesant kur trajnerët kanë një bagazh profesional goxha të pasur, siç ishte rasti i sotëm i trajnimit. Ishte shumë frytdhënës dhe jam e bindur si unë që do aplikoj njohuritë e fituara në punën time të përditshme në institucionin ku jam pjesë dhe shumë të rinj si unë tashmë kanë zgjeruar diapazonin e tyre,” tha Dona Kuçi, moderuese e trajnimit dhe përfaqësuese e LDA Balkan, dega Maqedoni e Veriut.

“Përfitova njohuri të reja nga eventi i e mbajtur me Dr. Ermira Babamusta. Si trajnere e karates në profesion, lideri më së miri avancon dhe profesionalizon ekipën e tij,” tha Fjona Xhelili, Administratore në LDA Balkan, dega Kosovë.

Trajnime tё tilla do tё jenё pjesё e vazhdueshmё e LDA Balkan dhe anёtarёve tё saj, me qёllimin e vetёm pёr tё frymёzuar, motivuar dhe krijuar liderёt e sё ardhmes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat