Restoranti më i mirë në botë kthehet në burger-bar/ ’Noma’ po korr sukses!

Diaspora

Restoranti më i mirë në botë kthehet në burger-bar/ ’Noma’ po korr sukses!

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 18:44
Rene Rexhepi

I konsideruar një nga restorantet më të mira në botë, Noma, me kuzhinierin e famshëm me origjinë shqiptare, Rene Rexhepi, është rihapur tashmë në Kopengagen pasi Danimarka hoqi disa nga kufizimet e marra për të frenuar koronavirusin.

Restoranti, siç është bërë e ditur tashmë, është shndërruar në një bar vere dhe hamburgerësh. Nuk nevojitet rezervim, por një radhë e gjatë klientësh presin në radhë për të shijuar kopshtin dhe serat e restorantit me dy yje Michelin, që ofron edhe çmime të reduktuara tani.

Dhe klientët janë të kënaqur. Hamburgerat kanë shije të veçantë, me klas, vera është e këndshme dhe eksperienca e jashtëzakonshme po ashtu.

“Është një eksperiencë e veçantë. Ne mundëm të shijonim një hamburger në këtë restorant të njohur në të gjithë botën dhe ai ishte shumë i shijshëm”.

Për menaxherin e restorantit, shndërrimi ishte gjëja e duhur për tu bërë në këto moment. Ai thotë se janë hapur dyert për shumë njerëz dhe shërbimi ofrohet në kopshtet përreth.

“Janë me mijëra njerëz që vijnë çdo ditë, shumë më tepër nga sa ne prisnim. Filluam me numra të ulët, menduam të bënim deri në 300 hamburger në ditë por tani po shkojmë në 1 mijë apo 2 mijë. Është e pabesueshme”.

Gjithçka duket se po shkon mirë dhe klientët, të cilëve u shërbehet në ambjente të hapura, janë të kënaqur dhe thonë se do të rikthehen sërish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat