Për herë të tretë kërkon votë për parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Përlaskaj synon një ditë Qeverinë e Kosovës - Bota Sot
Për herë të tretë kërkon votë për parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Përlaskaj synon një ditë Qeverinë e Kosovës

Diaspora

Për herë të tretë kërkon votë për parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Përlaskaj synon një ditë Qeverinë e Kosovës

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 23:02
Ermina Lekaj-Përlaskaj

Më 1990 kishte marrë rrugë nga Prizreni.

Stacioni ndalues asokohe për Ermina Lekajn kishte qenë qyteti i Rijekës së Kroacisë.

Në këto tri dekada ajo nuk është ndalur. Ka rrugëtuar, vetëm se jo që aty! Shtigjet që ka përshkuar e kanë shpie në politikë.

Më 5 korrik, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që mbahen në Kroaci, Ermina Lekaj-Përlaskajt i duhet ndihma jo vetëm e familjes që ka tash, por edhe qytetarëve, për të fituar mandatin e deputetes.

Kjo do të ishte hera e tretë për të që bëhet zë i fuqishëm i përfaqësimit të shqiptarëve në parlamentin kroat.

“Rikandidimi im prapë në parlamentin kroat ka të bëjë me qëllim të faktorizimit të shqiptarëve në shoqërinë kroate e më gjerë. Kroacia është shtet i BE-së dhe për ne ka një rëndësi të madhe”, janë fjalët e saj të para për intervistën e dhënë për klank.

Por si do ta bindë votuesin për herën e tretë? Ajo përgjigjet: “Vazhdimi i projekteve të filluara, avancimi dhe faktorizimi i shqiptarëve në Kroaci, ruajtja e identitetit tonë, mbështetja e shtetit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore”.

“Gjatë mandatit tim qytetarët më njohin si një urë lidhëse në mes shtetit kroat dhe shteteve amë, me hapjen e qendrave kulturore shqiptare në Kroaci, mbështetjen e shoqatave shqiptare, me bursa të studentëve, zgjedhjen e problemit të shtetësisë kroate, mbështetjen e bizneseve shqiptare në Kroaci…”

Ajo premton se do ta tejkalojë vetveten në rast se i jepet besimi edhe tash.

“Shqiptarëve ju premtoj që do të vazhdoj me punën time, do ta faktorizoj edhe më shumë komunitetin shqiptar dhe fëmijëve tanë do t’ju jemi themel i ardhmërisë së tyre”.

Synimi i tanishëm i saj është ta fitojë mandatin e deputetes, por ambicia e saj është më e madhe se kaq.

Përveç vetes së saj, ajo thekson se mendon edhe për përfshirjen e shqiptarëve të tjerë në institucionet kroate.

“Gjatë mandatit tim të parë në Kroaci patëm edhe zëvendësministrin e parë shqiptar. Synoj që të rinjtë tanë prapë të jenë pjesë e qeverisë kroate”.

“Ndërkaq në të ardhmen unë synoj të jem edhe pjesë e qeverisë kroate apo kosovare”, ka thënë Lekaj-Përlaskaj.

Relievi që ka përshkuar drejt suksesit, ka treguar ajo, ka qenë me shumë peripeci.

“Pas studimeve kam filluar punën në ujësjellës e ndërkohë jam aktivizuar në Bashkësinë Shqiptare në Rijekë. Duke vepruar si juriste e kuptova se vetëm inkuadrimi dhe përfaqësimi në institucionet shtetërore e përforcon komunitetin shqiptar”.

Duke jetuar për mbi 30 vjet në Kroaci, ajo ka treguar se vizitat në Kosovë i ka të shpeshta, veçan në qytetin e saj të lindjes të cilit i vë edhe epitet.

“Në Kosovë, apo më bukur në qytetin tim më të dashur Prizrenin, jam së paku pesë herë në vit”, ka përfunduar ajo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat