U zgjodh këshilli i mësimit shqip për diasporë - Bota Sot
U zgjodh këshilli i mësimit shqip për diasporë

Diaspora

U zgjodh këshilli i mësimit shqip për diasporë

Nga: Mustafë Krasniqi Më: 10 korrik 2020 Në ora: 18:10
Pas votimit, u zgjodh kryesia

Të Shtunën, më 04.07.2020, u mbajt një takim pune, me mësues të shkollave shqipe në diasporë, nga disa shtete, me fokus në iniciativa për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe.

Takimin e hapi dr. Adriana Fishta-Bejko “Ambasadore e Kombit”, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) dhe kryetare e bordit të Shkollës Shqipe “Foleja e Shqiponjave” në Calgary-Kanada.

Para se të fillonte mbledhja, me rendin e pikave të përcaktuara, të gjithë përfaqësuesit pjesëmarrës dhanë një jetëshkrim të shkurtër për punën, veprimtarinë dhe shkollimin e tyre! Po ashtu, u përmendën vështirësitë që hasin mësimdhënësit, në vijimin e fëmijëve mërgimtarë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Gjatë këtij diskutimi u konstatua se vijueshmëria në shkollat shqipe të nxënësve mërgimtarë-shqiptarë, jo vetëm që është e ultë, por edhe më e keqja, mund të jetë – rreziku i mundshëm për harrimin e gjuhës amtare të fëmijëve tanë mërgimtarë! Brezi i dytë, vetëm sa ka filluar ta belbëzojë gjuhën shqipe dhe nëse ne nuk përshpejtojmë punën tonë në shkollat e diasporës, brezi i tretë, nuk do ta flasin fare gjuhën e tyre të bukur, shqipe.

Pas diskutimeve të shumta dhe konstatimeve reale, në ato shtete ku jetojnë shqiptarët, u pa si i domosdoshëm informimi i prindërve shqiptarë, i institucioneve tona dhe bashkëpunimi me institucionet arsimore të të dyja shteteve, Shqipëri dhe Kosovë, që të kenë një kujdesje më të veçantë edhe të shtuar përpjekjet e organizuara me baza shkencore, për t’i ruajtur nga asimilimi fëmijët tanë mërgimtarë.

Pas këtyre diskutimeve, znj. dr. Adriana Fishta-Bejko, drejtoi mbledhjen me këtë rend të ditës:

– Emri përfundimtar i këtij forumi/bordi

– Misioni & Vizioni

– Zgjedhja e një ekipi drejtues (kryetar, nën-kryetar dhe sekretar)

– Të ndryshme

Pas miratimit të pikave, u shqyrtua dhe u diskutua për mundësitë dhe detyrat në të ardhmen, si dhe përcaktimi i emërtimit të këtij forumi, që pas shumë propozimeve të ndryshme u miratua unanimisht ky emërtim: “Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporën – KMSHD”.

Këshillit të Mësimit Shqip për Diasporë (Pjesëmarrësit thua nga të gjitha shtetet e Botës)

Ndërsa në pikën e radhës, për misionin dhe vizionin, u diskutua shumë, si dhe për rëndësinë e këtij projekti madhor, që duhet mbështetur në reformimin e teksteve dhe metodave të mësimdhënies. Po ashtu u theksua që të kemi përgjegjësi ndaj veprimit, sepse kemi ndërmarrë këtë përgjegjësi, e cila është ëndrra, ideal i përbashkët që dëshirojmë të realizohet në të ardhmen. Por, edhe si duhet të jetë një shkollë e fuqizuar dhe e mirë organizuar si faktor i domosdoshëm në nivelin e zhvillimit të gjuhës shqipe dhe një organizim i një mësimdhënie e unifikuar, e matshme dhe e koordinuar si një faktor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Ndërsa misioni është përgjigja e asaj se si dhe çfarë duhet të bëjmë ne, “Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporën”, që të realizohet vizioni ynë.

Që, ne duhet të përfshihemi në hartimin e teksteve dhe zgjedhjet didaktike për t’i siguruar kompetencat e nevojshme gjuhësore dhe kulturore, që ne duam t’i zbatojmë për ta arritur vizionin, përmes një projekti të vënë në veprim, përmes kompetencave. Pra, misioni i KMSHD-së është, që të identifikohemi se kush jemi, pse jemi dhe arsyeja pse duhet të bashkërendojmë forcat tona? – Gjithsesi dhe të përshkruhet qëllimi kryesor i punës sonë, e cila është për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore. Po ashtu misioni ynë është koordinimi, angazhimi dhe përfshirja e të gjitha shkollave të diasporës, jo vetëm në themelimin e bashkëpunimit institucional me njëra-tjetrën dhe me trojet shqiptare si faktor të ndryshimit të metodave te mësimdhënies dhe teksteve, por që është edhe në përthithjen e vlerave kombëtare, që nxënësit i zotërojnë.

Pra, ta kemi si objektiv krijimin e një ure bashkëpunimi të qëndrueshme në mes të mësuesve shqiptarë, që jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare, me të gjithë bashkëkombësit tanë në Diasporë. Ky mendim, u diskutua dhe u trajtua nga KMSHD dhe u mor si qëndrim i përbashkët, që t’i përmbahemi këtij misioni dhe vizioni, për të realizuar objektivat tona, thanë një zëri anëtarët e KMSHD-së, sëbashku me drejtuesen e mbledhjes Adriana Fishta-Bejko.

Ndërsa në pikën e radhës, ishte zgjedhja e kryesisë së “Këshillit të Mësimit Shqip për Diasporë”, prej tre anëtarësh.

Pas votimit, u zgjodh kryesia me këta anëtarë:

– Dr. Vaxhid Sejdiu, Kryetar

– Znj. Mira Shehu, nënkryetare

– Znj. Teuta Tabaku, Sekretare

Takimi përfundoi me poezinë shumë të ndjerë e të shkruar nga poetja Anila Kadija, “Për ty” dhe me zotimin se do të mbajmë përgjegjësinë e detyrave, ku dhe u caktua që brenda javës të përcaktohemi me rendin e punës për mbledhjen e ardhshme, si dhe për t’i përcjellë te kryesia propozimet e anëtarëve të KMSHD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat