Mërgimtari i Dardanisë antike, historike, kreshnike dhe heroike

Diaspora

Mërgimtari i Dardanisë antike, historike, kreshnike dhe heroike

Nga: Baki Ymeri Më: 17 korrik 2020 Në ora: 06:15
Ballina e librit

Në brigjet e vendlindjes së poetit rritet Lulja e Përmallimit. Lulzim Gashi jeton, punon, mediton, krijon, shkruan poezi dhe pikturon në brigjet e ngrohta të Norvegjisë së ftohtë. Ai shkruan nën hijen e kujtimeve për shtretërit e fjalëve dhe luginat e magjepsura të Dardanisë antike, historike, kreshnike dhe heroike. Lugina e magjepsur nuk është tregu i nuseve, por tregu i fjalëve. Lulzim Gashi nuk është tregtar fjalësh por krijues vlerash të mirëfillta letrare ku e kultivon gjuhën amtare të Llapushnikut të tij. Poezia sipas Volterit dhe sipas tij, është muzika e shpirtit, sidomos e shpirtërave të mëdhenj dhe të ndjeshëm.

Poeti vjen para nesh me meditime filozofike, me figura stilistike, me fluturime lirike, me shprehje metaforike dhe me vlera artistike. Poezia është ëndërr dhe ëndrra është poezi. Lexuesit tanë e adhurojnë Lulzimin që thot: E dehur ishte ajo natë/ Të dehur ishim në maturë/ E dehur përjetë dashuria mbeti/ Jetojmë kaq larg njëri-tjetrit/ Vetëm nën hijen e kujtimeve dhe më/ As nuk u pamë e as nuk u prekëm kurrë! (Nën hijen e kujtimeve). Nostalgji dhe melankoli. Ëndërrim dhe frymëzim. Mund të thotë kush se diaspora nuk ka poetë të lindur për zbukurimin dhe pasurimin e bibliotekave tona letrare dhe sentimentale? Ja disa nga vargjet më të bukura të kësaj vepre të re: Ikën kujtimet e rinisë/ Ikën hijet ku plisat/ Bënin kuvend? Shelgu mbeti pa trung e degë/ Dhe prilli mbeti pa këngë! (Prilli pa këngë).

             Në poezinë e Lulzim Gashit, autori zhytet në kuptimet e mëdha të ekzistencës, gjithmonë pranë diellit, pranë qiellit, pranë natës, pranë kohës, si dhe në betejat e mëdha që e detyrojnë njeriun ta përballojë prapambeturinë, paragjykimet, injorancën, brengat dhe shqetsimet: Deri kurë në koma/ Deri kurë në bishtë/ Të qytetërimit/ Deri kurë/ Nën tinguj këmbanash/ Deri kurë të shtrirë e të zhytur/ Mbi kërthizën e dëshprimit. Dhe më tej: Ka kohë/ Dhe Zoti iku nga ne!/ Iku a na la në pikë të hallit/ Na la mbi supet e Djallit. Në këtë kontekst shpërthen imagjinata: Sa vinë e shkojnë e bëhen sikur krisma/ Orteqesh që zbresin nga majat e malit/ Thanë se pas shiut/ Edhe lumenjve iu ikën ëndërrat,

              Nuk ka poet që në thellësi të zemrës nuk ëndërron për një jetë më të mirë, më të lehtë, më të bukur dhe më të lumtur për njerëzit dhe njerëzimin. Nuk ka poet që nuk e konsideron poezinë si një mbretëreshë. Poeti është mbret ndërsa libri “Në hijen e kujtimeve” është nga veprat më të frymëzuara të diasporës sonë. Ndërmjet mendimeve tona ka fjalë të shkruara dhe të pashkruara që kanë nevojë për fjalë tjera të inkorporuara mes faqeve të librit. Pastërtia e shpirtit të atyre që e përjetojnë dashurinë e parë ndërlidhet me përfytyrime idilike të një çifti të dashuruar, me kujtesën e një kohe nostalgjike që nuk harrohet kurrë. Tema e dashurisë gjendet në shumicën e poezive, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shfaqjen e emocioneve të para në adoleshencë, apo për atë të moshës së pjekurisë, kur njeriu përfiton shansin e përmbushjes përfundimtare.

Lulzim Gashi del në pah me një gamë metaforash të bukura, të qarta, të forta e të qëlluara:  Hijet e molisura, Nata e dehur, Tingujt e shpresës, Pluhuri i kohës, Valët e jetës, Kujtimet e rinisë, Liqe i dremitur, Me zjarrin e zemrës, Kënga e furtunave, Zjarri i jetës, Në shtratin e fjalëve, Me frymën e shpirtit, Në prehërin e Zotit, Peisazh kohe, Shkëndijat e zemrës, Nusja e përjetësisë, Gjuha e Perëndisë, Sofra e Zotit, Gjoksi i bjeshkës, Lotët e përmallimit, etj.

Pa kurrfarë dyshimi, Lulzim Gashi është një poet i vlefshëm, njëri nga krijuesit bashkëkohorë të poezisë së mërgatës shqiptare në botë. Nëpërmjet vargjeve të tij, ai i dhuron lexuesit një mesazh lirik të strukturuar mirë dhe të pësosur me subjekte të zgjedhura për analizë në laboratorin e tij krijues. Kjo është lehtësisht e dallueshme në vëllimin e tij të ri me një titull sugjestiv dhe të depërtueshëm për shpirtin dhe mendjen e dashamirëve të sinqertë të poezisë. Poeti ekzekuton një ndërtim të mirëfilltë lirik. Shembujt  dhe argumentet janë të lehta për t’i kuptuar. „Në hijen e kujtimeve” është një vëllim mbresëlënës i pjekurisë artistike, si nga sinqeriteti i mesazhit, poashtu edhe nga respektimi i kriteriumeve artistike përmes prizmit të shprehjes poetike:

        Fjalët kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ato mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund ideshë dhe ndjenjash. Lulzim Gashi është një shpirt i ndjeshëm dhe delikat. Përmes vargjeve të tij deshifrojmë artistin, realitetin dhe aspiratat fisnike të shpirtit të tij. Mendimet e poetit janë flutura të metamorfozuara në mendime, të gjitha këto shndërrime përmes të cilave mendimet e poetit përshkruajnë një profil origjinal lirik. Poezia e poetit nga Kosova është e ngarkuar me një pamje të veçantë, e cila jo vetëm shpreh imagjinatë, kujtime, brenga dhe aspirata, por tregon edhe histori me tema shpeshherë të befasueshme.

Meditimet filozofike janë të veshura gjithnjë me teshat e thjeshta të jetës së përditshme. Thellësia dhe zbulesa provokojnë reflektime që na çojnë në territore të ndryshme, të vendosura në një platformë të veçantë dhe të zakonshme, e cila në pamje të parë dëshmon se Lulzim Gashi është poeti i dashurisë dhe atdhedashurisë. Flatrat e krijimit në qiellin e shpirtit shndërrohen në flatrim ngjyrash të bukura që e zbukurojnë botën tonë në rrugën e bekuar të fluturimit në drejtim të lumturisë. Shqiptari i Kosovës që jeton dhe krijon në trojet e Skandinavisë, e kultivon shpirtin, dinjitetin, krenarinë dhe patriotizmin. Ai e dashuron hijeshinë e vargut, si dhe faktin se Zoti e ka bërë poet. Me krijimet e tij në gjuhën shqipe, Lulzim Gashi i përqafon lexuesit e vet me dashuri dhe përzemërsi. Autori i kësaj vepre briliante është një burim i pashtershëm i dritës së fjalëve të etshme për kulturë, për përkushtim, për bukuri dhe lumturi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat