Nevzad Selimi-Begi pas 34 vjetëve punë në SBB e fiton pensionimin

Diaspora

Nevzad Selimi-Begi pas 34 vjetëve punë në SBB e fiton pensionimin

Nga: Dashnim Ebibi Më: 15 gusht 2020 Në ora: 20:02
Nevzad Selimi-Begi pas 34 vjetëve punë në SBB e fiton pensionimin

“Nuk kishte ditë të lume, që dilja nga banesa për në punë, që nuk i kujtoja prindërit e mi, bashkëshorten e fëmijët dhe lutesha për ta, por edhe për motrat e vëlluan, kusheri e dashamirë. Shikoja qiellin dhe puthja me shpirt, sytë e nënës dhe babës. Zemra shkrum më shkonte, si gurbetçarë. Prindërit ndërruan jetë, më nuk jetojnë, por në zemrën time do të jenë gjithmonë. Sa mall kam për ta. Zoti dritë ia bëftë në botën e përjetshme. Si një roman më duket jeta, edhe ate roman pa përfunduar“, na tha ndër të tjera, z.Selimi.

Winterthur, 14 gusht

Se mërgimtarët tanë e duan dhe do ta duan Zvicrën, kjo është e njohur nga të gjithë, sepse hiq më pak, se një jetë shumica e tyre e kanë kaluar në këtë shtet mikë të kombit tonë. Punë dhe punë e përkushtim deri në sekondat e fundit dhe më pastaj shpërblehesh me penzionimin. Në gjithë Zvicrën është një numër i madh i mërgimtarëve tanë, nga të gjitha trevat shqiptare, dikush thotë, se jemi 200.000, dikush 250.000 e të tjerë 300.000, por saktësisht se sa jemi, nuk dihet ende, por një është e sigurt, se është e pamundur të shkosh në ndoj vend të Zvicrës e të mos dëgjosh fjalë shqipe, apo të shikosh diçka ndoj objekt dhe të mos ketë punuar dora e shqiptarit. Mërgata shqiptare i është falënderues Zvicrës, shikuar nga gjeneratat e para dhe deri tek më të rejat, sepse këtë shtet e shohin dhe e shohim me sinqeritet të plotë, si atdhe të dytë. Shkurt e shqip, në çdo stacion treni, në gjithë Zvicrën, nëse nuk e njeh anglishten, gjermanishten, frengjishten apo italishten, nuk është edhe problem aq i madh, sepse e pamundur të mos takosh shqiptarë. Pra,siç dihet, në çdo skaj të Zvicrës, ka shqiptarë. Edhe gjeneratat e reja, po arsimohen dhe në anën tjetër gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve e mbajnë me krenari dhe nëse i pyet, se a jeni shqiptarë, menjëherë buzëqeshet dhe thotë, po, jemi shqiptarë, kuq e zi. Të mos ndalem kësaj here për situatën e përgjithshme të mërgatës sonë në Zvicër, sepse është e njohur për të gjithë thuajse, por, po ndalemi me disa rreshta të këtij shkrimi, të mbështjellur me shumë shpirt, për një mërgimtarë, për një atdhetarë, bëmirës të njohur, që i buzëqeshin edhe sytë, nga dashamirësia, nga bardhësia e tij shpirtërore, është fjala për Nevzad Selimi-Begi nga Pograxha e Gjilanit. Z.Selimi është i lindur më 27.06.1957 në Pograxhë të Gjilanit dhe vjenë nga një familje me traditë kombëtare e humanitare, dera e asaj shtëpie gjithmonë ishte e hapur për të mirë.

Pse po ja kushtojmë disa fjalë, këtij mërgimtari?

Sigurisht, se edhe lexuesit më janë lodhur, gjithnjë duke lexuar për Covid-19 dhe jemi lodhur shumë. Tani do të ndahemi për disa minuta për të lexuar një përshkrim portreti të një veprimtari me vepra. Jemi mësuar të lexojmë, për x e y personin me të arriturat e tij intelektuale dhe që veprojnë në Zvicër, apo në sport e kështu me radhë, mirë shumë, kjo është njëra pjesë e medales, por, duhet të kujtojmë, se ka edhe mërgimtarë të shumtë, që me shumë mund e punë fizike, pra nga djersa e tyre kanë ndihmuar atdheun dhe kanë lënë gjurmë të mira aty ku kanë qenë dhe kanë jetuar, të cilët nuk kanë pasur mundësi të shkollohen, por fëmijët e tyre po shkollohen dhe po korrin suksese të mëdha në Zvicër. Përmes këtij shkrimi, është e pamundur të përshkruhet jeta e protagonistit tim, por, ate që po e ndjej në zemër, më duhet të shprehi edhe në shkrim, për hirë të lexuesve besnikë, se me datë 07.08.2020, kur e takova z.Nevzad Selimi-Begi në stacionin hekurudhorë të Winterthurit kantoni i Cyrihut, me uniformën e punës, si mirëmbajtës i trenave, punë që e ka mbajtur që nga 11.11.1986, mu duke se jam në mes të Gjilanit. U afrua më buzëqeshje dhe më përshëndeti ashtu si po kërkohet pas pandemisë me Covid-19, përshëndetje me zemër e grusht. Sytë e tij donin të thonin diçka, por nuk e thonte, apo nuk donte ta thonte, por duke e njohur temperamentin e tij, pa një pa dy, e pyeta, se pse ishte i shqetësuar, më shkoi mendja, mos ka diken të familjes apo të afërm të infektuar me këtë pandemi. Përnjëherë me tha, jo miku im, sot është dita ime e fundit në punë me këtë uniformë të nderuar, ku kam mbajtur veten dhe familjen, por kam ndihmuar edhe aty ku kam mundur. Si përgjigje e çuditshme mu dukë. Vazhdoi dhe shihja edhe lotët që i vinin nga zemra, nga zemra e mërgimtarit, që është i etur për atdhe, sikur për ujin në vapën e madhe. Sot, është dita e fundit në punë dhe po më takon pensionimi, pra më nuk do të punoj, do të mundohem të gëzoj pjesën tjetër të jetës. Z.Selimi, në Zvicër kishte ardhur në vitin 1978, si shumica e të rinjëve tanë. Datën 25.08.1978 nuk e harron, sepse ishte dita e parë jetë gurbeti në kantonin e Schaffhausenit, ku menjëherë e filloi punën në ndërimtari. Aty punoi për katër vite dhe në vitin 1982 shkoi në Freinschtajn të kantonin Cyrih, ku u punësua në një fabrikë të tekstilit dhe punoi dy vjet më radhë. Gjithmonë duke punuar dhe duke u munduar të integrohet në shoqërinë zvicerane.

Nga 11.11.1986 filloi punën në SBB Winterthur

Menjeherë, pasi e pa veten, se u sigurua mirë me punë e solli edhe bashkëshorten e tij në vitin 1987 në Zvicër. Z.Selimi ka tre vajza dhe një djalë. Vajza e madhe është 31 vjeçe, e dyta 29, e treta 26 dhe djali 23. Që të gjithë fëmijët i ka të shkolluar dhe muajin e kaluar edhe djali mbaroi akademinë policore dhe tani punon si policë në Zvicër. Ai na tregon se si ka punuar me fëmijët e tij, që të mos e harrojnë gjuhën shqipe dhe të mos e harrojnë vendin e të parëve. Por, normalisht na thotë, z.Selimi, se edhe bashkëshortja ka merita të veçanta, sepse ka rritur dhe edukuar fëmijët në frymën më të mirë të mundshme, prandaj, për këtë është edhe krenarë. Na thotë, se ishte shumë i zënë me punë, pa e pa rritën si duhet të fëmijëve të tyre dhe ndër të tjera na tha, se shumë shpejt u rritën, jeta shumë e shkurtër. Kujton edhe ditën e parë, kur mori rrugën e gurbetit, prindërit, babën e nënën. Nuk ishin momente të mira, por kurrë nuk i harroj na tha ndër të tjera edhe ate me lotë në sy.

Natë e ditë mendjen e kisha te prindërit e familja ime

Nuk kishte ditë të lume, që dilja nga banesa për në punë, që nuk i kujtoja prindërit e mi dhe lutesha për ta, por edhe për motrat e vëlluan, kusheri e dashamirë. Shikoja qiellin dhe puthja me shpirt, sytë e nënës dhe babës. Ata ndërruan jetë, më nuk jetojnë, por në zemrën time do të jenë gjithmonë. Si një roman më duket jeta, edhe ate roman pa përfunduar. Kryesore, krenohem sinqerisht, me angazhimin tim, që kam kontribuar në familje dhe tek të gjithë ata që më kanë njohur dhe i njoh, aty ku më është kërkuar. Z.Selimi, ka kontribuar para luftës, gjatë saj dhe pas saj në Kosovë. Nuk ka protestë që është mbajtur në Zvicër, por edhe në shtete të tjera të europës, që është kërkuar pavarësi e liri për Kosovën, që nuk ka marrë pjesë. Nuk donë të flas për veten. Por, kjo bisedë u zhvilua ashtu si dy miqë, jo në ndoj restaurant, por në parking nr.2, të stacionit hekurudhorë të Winterthurit. Z.Selimi edhe për shoqërinë është i respektuar, kur është Nevzadi, ditën e kemi më të lehtë, kështu thojnë kolgët e tij, që shumica janë shqiptarë. Kur e kemi Nevzadin, kënaqemi, nuk e ndjejmë lodhjen, sepse ai një sekond me pas të lirë, dinë se si na disponon, na mbanë frymën e punës. Shokët flasin fjalët më të mira për te, sepse ishte i përpiktë në punë, duke respektuar maksimalisht. Nevzadi, filloi të flas fjalë të mira për të gjithë kolegët e tij, na tha ndër të tjera, se i kishte si vëllezër, sepse me ta kaloi një jetë të tërë. Për shefat e tij, që i kishte, ruan kujtime të mira, kujton edhe z.Roland, pastaj shefin aktual Ixhedet Memishin. Me një fjalë, detyrën që e ka pranuar nga ata është munduar të kryej me përgjegjësi. Kurrën e kurrës nuk i kam thënë vetes, na thotë ndër të tjera, z.Selimi: „ Se po më dhemb koka, apo diku tjetër, e sot nuk po shkoj në punë. Por, jam zgjuar me vullnet dhe drejt e në punë. Vetëm me punë e respekt ndaj saj, do ta gëzosh dhe do të jetosh mirë. Unë ja kam pa hajrin dhe u jam falënderues shumë. Lutem tek zoti, që Zvicrën dhe gjithë popullin e saj ti jap zoti gjitha të mirat, kurrë mos dëgjofshim ndoj lajm të keq në këtë shtet, që e kemi në zemër dhe e kam atdhe të dytë. Një jetë më shkoi në Zvicër. Nga viti 1978 jam në Zvicër. Këtu në stacionin hekurudhorë më duket se jam në vendin tim. Ai, sa e shkurtë jeta, sa shpejt shkuan vitet. Sa kam punuar këtu në këtë stacion e stacione të tjera. Kurrë nuk e kam shikuar orën, që ti them vetes, edhe pak më mbet dhe e kryta punën për sot. Me shumë përgjegjësi e ndershmëri kam punuar. Shoqërinë e kam pasur të mire, me ata që më ka shkuar muhabeti e ka vazhduar edhe privatisht, familjarisht. I falënderoj të gjithë, që më kanë kuptuar, ndihmuar dhe ju kërkoj falje, që ndoshta diku, diku edhe kam mundur të gaboj, sepse jemi njerëz, por gjithçka që kemi pasur, nuk ka qenë personale, por për punë, sepse secili është munduar të kryej punën në mënyrën më të mirë të mundshme. E kam një nip dhe një mbesë, ata më freskojnë, kënaqem me ta. Zoti mos e lashtë askend pa fëmijë. Edhe vajzat dhe djalin i dua shumë, shpesh kur ishin të vegjël, me që nuk i shihja gjithë ditën, në mëngjes herët i puthja në gjumë, ose kur isha në ndërrim të natës i lisha duke fjetur. Jam krenarë me ta, janë si yjet, që më bëjnë dritë dhe më japin jetë. Sa shumë që i dua, babi i ka në shpirt, vajzat dhe djalin, ata janë jeta ime.

Fëmijët ma shtojnë jetën

Kur i shoh vajzat dhe djalin se janë mirë më shtojnë jetën. Tash, do të kem kohë më shumë të rrijë me ta, besoj se edhe ata do të duan të rrijnë me mua, sepse edhe ata janë të angazhuar, por kur i shoh, ma flladitin zemrën.

Kam pasur shoqëri të mirë në punë, përqafoj dhe falënderoj, Avniun, Sehatin, Mixhaitin, Tonin, Xhemajlin, Nasufin, Muhadinin dhe shumë të tjerë, edhe disa që kanë dalur në pension më herët. Ju betohem se kam kaluar mirë me ta, unë shpesh do ti vizitoj, sepse jetoj në Winterthur. Jam mësuar me ata, ata i kam në zemër e shpirt e do ti mbaj për jetë dhe dëshiroj që edhe ata që përfundojnë punën mirë një ditë, sikur unë e të tjerë dhe të gëzojnë pensionimin. Kemi kaluar mirë me këtë punë, me shumë miq zviceranë, që punojnë në stacion, do të na mbetet miqësia, na kanë nderuar, sepse edhe ne kemi bërë punën si duhet. Me datë 29.08.2020, do të organizohet një koktej nga drejtues të SBB, ku do të jepet mundësia, që zyrtarisht, të dorëzoj detyrën dhe të fitoj statusin e pensionistit.

Shumë shpejt shkuan 34 vjetë duke punuar në SBB

34 vjetë, kur ti kujtosh janë shumë, por kur kalon mirë, të duket si një tregim i mirë. Nuk kam ditur se çka është vonesa, nuk kam ditur se çka është gënjeshtra, nuk kam ditur se çka është xhelozia, përgojimi, por kam ditur, nderuar punën dhe të shkoj në familje dhe të jemë edhe me shokë në çdo moment. Me shumë dashamirësi e faqebardhë, do të përfundoj edhe këtë pjesë të jetës në këtë punë, që e kisha, ku do ti përqafoj të gjithë shokët dhe do të lutem, që gjithmonë të ketë mirësi në këtë shtet. Sinqerisht, në çdo sekond, nëse kërkohem për diçka, jam i gatshëm të kontribuoj në punën që e kisha në SBB, por edhe për gjithë Zvicrën.

Ku do ta kalosh pleqërinë?

Në shikim të parë, nuk mundesh të thuash, apo të pranosh, se z.Nevzad Selimi është i moshës së pensionimit. Falë perendisë, ai është shëndosh e mirë dhe ruan fizikun. I qetë, i buzëqeshur, me një fjalë i disponueshëm në çdo moment. Pozitivitet, përplot e përplot, kurrë nuk ke mund të dëgjosh se ka përgojuar na tha njëri nga kolegët e Nevzadit. Ishte konkret dhe shumë i drejpërdrejt. Pleqërinë do ta kaloj në Zvicër dhe herë pas here edhe në Kosovë, ku atje ka shtëpinë, motrat e vëllaun si dhe shoqërinë. Atje ka varret e babës e nanës, që dëshiron edhe më shpesh, ti shkoj aty, të lutet për shpirtin e tyre dhe të afërmëve të tjerë. Ka shumë shokë, që thotë, se kur pi kafe në Gjilan, më kënaqet shpirti. E atdheu, atdheu. Nevzadi na tha, se jam i Kosovës, por jeta po më kalon në Zvicër, apo më kaloi. Ai gjatë bisedës sonë që e patëm në Winterthur, dëshiron, që gjeneratat e reja, që po rriten dhe edukohen në Zvicër, të punojnë si kërkohet këtu, por të mos humbin rrënjët me vendin e të parëve. Kur flitet për pleqërinë i largohet temës, sepse thotë, kur ndihesh mirë dhe kur e ke zemrën e bardhë, nuk ndjenë pleqëri.

Dita e parë si pensionist?

Jo edhe e lehtë. Jo edhe e mirë. Jo ashtu si e kam menduar. Jo pa emocione. Jo pa lotë. Jo pa kujtime. Po falënderues. Deri në momentet e fundit të jetës sime, do ti jem falënderues babës e nanës, bashkëshortes, familjes sime të ngushtë motra e vëllezër, fëmijëve të mi, shoqërisë që ma kanë ëmbëlsuar jetën gjithmonë. Kurrë nuk do të ndalem për të mirën e tokës Dardane. Gjithmonë falënderues Zvicrës. Punë dhe vetëm punë. Të punojmë edhe më shumë për gjuhën tonë të ëmbël shqipe, të kontribuojmë sa të mundemi për të mirë në vendin tonë dhe gjithandej botës. Nuk isha e as që jam në ndoj subjekt politikë. E dua Kosovën edhe më mirë. Respekoj të gjithë ata që punojnë drejt. Sa e përfunduam këtë bashkëbisedim me z.Nevzad Selimi, ai u kthy nga unë edhe njëherë dhe ma bëri me dorë, se do të shihemi gjithsesi, edhe ate shumë shpesh e në sytë e tij shihja, mall dhe në anën tjetër gëzim, një jetë në punë dhe tani do ta gëzoj pensionimin. Gëzuar miku im! Jetë të gjatë! Ti dhe shumë mërgimtarë të tjerë, jeni shembulli më i mirë në Zvicër, se me punë dhe sinqeritet, arrihen të gjitha. Por, do ti mungosh të gjithëve në punë, sepse fjala jote e bardhë e ëmbël si mjalta, shqip e shqip, do të mungoj. Respekte e perendia të bekoftë. Gëzuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat