Metamorfoza e dashurië në trojet e Skandinavisë

Diaspora

Metamorfoza e dashurië në trojet e Skandinavisë

Nga: Baki Ymeri Më: 23 shtator 2020 Në ora: 13:01
Kopertina e librit

Libri është testamenti i jetës dhe kështjella e dashurisë ndërmjet njeriut e universit. Poeti është i zgjedhuri i Zotit ndërsa poezia është balsam i shpirtit dhe univers energjishë hyjnore. Poezia është një dritare e hapur në zemër të qiellit dhe nata me puthje të zjarrta. Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, aq kohë sa drita e ndriçon në shpirtin tonë dhe jetën tonë. Vëllimi respektiv vjen para nesh si një forcë magnetike emocionesh që sajojnë fjalorin e mençurisë. Poeti shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën, për kuptimin e jetës dhe pavdekësinë.

Poezia është deklaratë dashurie, drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa poseduar vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Dashuria është subjekti elementar i frymëzimeve të poetit të dashurisë, Remzi Basha. Në vargjet e tij zotëron parfumi i dashurisë, erëtima e luleve të kajsisë, buzëqeshja e fjalëve, puthjet e derdhura në shtatin belhollë e të ëmbël si sherbet për bakllava, zalisje dhe harlisje, ëndrrat e rinisë me takime në trojet e vashërisë, shkëlqim, shkëlqim dhe vetëm shkëlqim.

Remzi Basha dëshmon në edhe në këtë vëllim, i njeh sekretet e saktësisë së vargut të qartë. Derisa arriti këtë saktësi, poeti kohë pas kohe hedh nga një grusht predhash për të dëshmuar se din ta godasë në supe në një mënyrë të urtë, të butë, miqësore dhe elegante. Poezia është kapriçioze si një grua që ka një shpirt të mirë dhe që duhet ta presësh për të vajtur së bashku në përjetësi. Një femër e bukur që thot: Jam llokum, llokum me arra, nuk ka kush t’më del përpara! Duke u përballur me hijeshinë, poeti arrin të shkurtojë rivalitetin e heshtjes në favor të tij. Që nga krijimi i botës, poeti identifikohej me poezinë dhe nuk ishte e lehtë për të. Pse? Sepse ai duhej të shiste gjarpërinjtë, të grabiste momentet e tymit që binin në rrugë. Ai duhej të priste te dera, çdo natë, kalin e bardhë dhe dinak të Trojës që mbante në vete metafora dhe fjalë - ushtarë dinakë - të njohur vetëm nga poeti. Në turmat e qytetit, në një mjedis me tre karrige dhe një dollap, me tym dhe tym përsëri, me baltë dhe baltë përsëri, poezia e Remzi Bashës është një rreze në stuhinë e gjakut të Dardanisë në trojet e Skandinavisë. Lirika e poetit dardan është si një ylber i pastër dhe i pakthyeshëm.

Poezia e shëron shpirtin e lexuesit me medikamente të bukura. Poezia është pjesë e qenies së brishtë. Remziu dhe poezia. Sa dialog i mrekullueshëm! Ai kurrë nuk është ndjerë pa praninë e kësaj dhuntie hyjnore në shpirtin e tij. Herë pas here, poeti flet me vetëveten: Unë do të largohem një ditë, por poezia do të qëndrojë pas meje për një kohë, duke i numëruar hapat e mi, që nga rinia e deri në pleqëri. Poeti nuk mplaket kurë kurse unë shpesh pyesja për poezinë: Nga buron ajo: Pse më mrekulloi syri i saj i etshëm për ajrin dhe dritën? Ju kurrë nuk do të dini nga të filloni! Poezia nuk ka kufij. Fjalët e saj shërojnë plagët, hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta ruajnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Fryn murlani me stuhi, por poeti nuk ka frikë, sepse jeton, ëndërron dhe e përjeton jetën me dashuri dhe atdhedashuri.

Buka është fjalë, drita është fjalë, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërojnë dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësohen. Çdo zog në gjuhën e tij zhduket, por edhe ne njerëzit jemi të tillë. Nevoja për fjalë është një nga nevojat më të nxehta dhe më të domosdoshme të njeriut, së bashku me nevojëm për dritë, për ushqim, për veshmbathje, për vërtetësi dhe drejtësi. Skulptori para ajrit shqipton fjalët, piktori dhe muzikanti veprojnë njësoj. Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Numrat janë specialiteti i autorit, por kur ato shprehin mendime, ndjenja dhe ide, ato shndërrohen me kujdes në shkronjat që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë. Grafika, nga ana tjetër, amplifikon mesazhin që dëshiron ta përçojë për të kënaqur syrin e shikusit.

Remzi Basha e ndjen dhe e sheh bukurinë aty ku askush nuk e vëzhgon. Fjalët kanë fuqinë t'i japin jetë një universi të pafund. Ato mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund të ideve dhe ndjenjave. Pra, imagjinoni se keni në dorë një violinë që e keni marrë si dhuratë nga prindërit tuaj, domethënë një shpirt të ndjeshëm dhe delikat. Përmes telave të violinës, ju keni aftësinë për të transmetuar dridhjet e dashurisë në fund të botës. Por kjo varet nga mënyra se si e mësuat artin e transferimit në realitetin e ndjeshëm të aspiratave fisnike të shpirtit. Mendimet e Remzi Bashës janë flutura të metamorfizuara në fjalë dashurie. Të gjitha këto shndërrime dhe mendime krijojnë dhe përshkruajnë një profil lirik origjinal. Nga fryti i ëndrrave të tij, ju i ndjeni tingujt e psherëtimave tuaja! Poezia e autorit është e ngarkuar me një imazh specifik, i cili shpreh jo vetëm ide, por edhe tema shpeshherë të befasishme. Krijimet poetike shëmbëllejnë me zbulimet filozofike, sepse ato gjithmonë janë të veshura me relacionet e thjeshta të jetës së përditshme.

Përmes përshkrimit dhe bukurshkrimit të ndjenjave, gjendjeve dhe përjetimeve shpirtërore, poeti ka guximin të flasë të vërteta, të rikrijojë jetën nga fragmentet e ëndrrave dhe mistereve. Remziu nuk është poet i ashpërsisë rebele të dinamikës së rrëfimit, por ai është një misionar që din të tërheqë vëmendjen e lexuesit, të cilën ai e fton në meditim dhe në rikrijim të shpirtit. Dendësia e ideve gërshetohet me fuqinë verbale që zbulon një jetë të përditshme, të butë ose të trazuar, dhe mu kjo përfaqëson thelbin e saj. Remzi Basha është arkitekti i fjalëve që riorganizon poetikisht botën, sipas shpirtit të tij të thellë, elegant dhe delikat. Pronari i këtyre vargjeve është një poet i çliruar nga zhgënjimet dhe shqetësimet e jetës. Bukuria hyjnore në poezi zgjon shqisat e fjetura. Vargu i Remziut na i mbush shpirtrat me ndjenja të bukura. Pse? Sepse vetëm një gjë hyjnore zotëron në zemrën dhe në shpirtin e tij: Dashuria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat