Nektari i dashurisë në trojet e Skandinavisë

Diaspora

Nektari i dashurisë në trojet e Skandinavisë

Nga: Baki Ymeri Më: 23 tetor 2020 Në ora: 16:49
Kopertina e librit

Libri është testamenti i jetës dhe kështjella e dashurisë ndërmjet njeriut e universit. Poeti është i zgjedhuri i Zotit ndërsa poezia është balsam i shpirtit dhe univers energjishë hyjnore. Poezia është një dritare e hapur në zemër të qiellit dhe nata me puthje të zjarrta. Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, aq kohë sa drita e ndriçon duke krijuar një forcë magnetike emocionesh që e sajojnë fjalorin e mençurisë. Poeti shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën, për kuptimin e jetës dhe pavdekësinë. Poezia është drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të krijohet një cvepër e mirë pa vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Dashuria është subjekti elementar i frymëzimeve të poetit të dashurisë (Remzi Basha): „Nëse prej meje mendja s'të hiqet/ Nëse për mua zemra të digjet/ Atëherë afrohu dhe më prit pak mua/ Se do të vij ngadalë/ Të të them se të dua!”

Der Kraft kommt aus dem Herzen, thonë gjermanët (Fuqia vjen nga zemra.) Thonë e ç’nuk thonë. Thonë se ilaçet bëhen nga shpirtërat e njerëzve të mirë. Vallëzimi është sport, meditim, shpirt dhe poezi. Muzika është rruga më e mirë, për të arritur në shpirtin e një femre. Mjeti më i mirë për përsosjen e shpirtit, është nxitja e trupit. Edhe vetura ka shpirt, po qe se e parkon para diskotekës së Dan Dinit në Shipkovicë. Po qe se i hedh ca vaj, ajo e lyen shpirtin e saj. Limuzina e Lulzimit. Kur vjen fjala për një femër të bukur, i pari e shet shtëpinë, i dyti e shet veturën, i treti e shet shpirtin. Po ku je mor shpirt? i thot gruaja burrit kur kthehet nga kurbeti me limuzinë. Po ti ku je ti moj loçka jeme? ia kthen mërgimtari i përmalluar, për ta ndjerë shpirtin e saj, para se ta shohë shpirtin e fshatit. Shpirti i fshatit është shpirti i kombit. Kaq sa për shpirtin sot, ngase mund të na marrë mësysh ndonjë klerik, që ende se ka kuptuar, se shpirti shqiptar, është një vlerë hyjnore.

Një nga mertitat letrare që ka autori i kësaj vepre është imagjinata e bujshme dhe fluturimi i tij në botën e yjeve: „Vetëm në Luginën e Vajtimit/ Jam i lumtur të jem/ Më i madh se Fuqitë e Qiellit/ Për të mbledhur yjet një nga një/ Dhe për t’i mbajtur në pëllëmbë./ Yjet po digjen në pëllëmbën time,/ Qielli i zi dhe i zbrazët qan./ Vetëm atje mund të bëj/ Një Luginë të Luleve.” Shpirti është shkenca supreme. Asgjë nuk mund të qëndrojë përmbi këtë shkencë. Qenja e shpirtit është tejet e thellë. Sipas Heraklitit, atë s'mund ta gjesh, edhe po qe se e kërkon përgjatë krejt rrugëve të botës. Na e merr mendja se në Ballkan mund të bëhesh filozof, edhe pa e studjuar filozofinë. Qëllimi elementar i saj është fisnikërimi i shpirtit, shëndeti i tij. Hareja, gëzimi, kënga dhe muzika ishin veti e përditshme e dardanëve.

Arti poetik lind nga imagjinata ndërsa muzika është kënaqësia e shpirtit. Thonë se leximi ushqen trurin, poezia shpreh shpirtin e njeriut, ndërsa letërsia shpreh shpirtin e kohës. Sytë janë pasqyra e shpirtit. Ato janë mjet i jashtëzakonshëm, për të depërtuar në shpirt. Shpirt i trazuar, shpirt i frymëzuar shpirt i shenjtë. Thonë se edhe fjala ka shpirt. Nuk të shërojnë ilaçet, sa të shërojnë fjalët. Shqiptarit i ka hije fjala dhe pushka. Fjalët e bukura janë si një hoje mjalti: të mira për shpirt dhe të shëndetshme për eshtra. Libri është shëndeti i shpirtit. Shpirti i fshatit, shpirti i gjumit, trupeshpirt, shpirt’ i dashurisë. Cilat janë specialitetet e shpirtit? Shpalimi i gjirit të femrës është ilaç i mirë për shpirtin, ndërsa beli i bukur, ushqim i shijshëm për ndjenjat: „Dola në dritare/ Bilbili po këndon/ Po ç’më duhet jeta/ Kur ti më mungon/ Një zemër qan/ Një zemër qesh/ Por zemra ime/ Vetëm për ty vdes!”

Në vargjet e Remzi Bashës mungon trishtimi. Trishtimi është pjesë e asaj shtrëngate që depërton nëpër labirinthet më të thëlla të ndjenjës, duke e nënshtruar atë. Gruaja është si një mëtaforë,të cilën po nuk e përdor me vend atëherë fjalia në të cilën e përdor del jashtë çdo lloj kuptimi. Burri është si një vazo uji e zbrazur, që po ta mbushësh do rëndojë. Derisa ta mbashë të zbrazur nuk do të ndryshojë peshë. Një plak i tha një tjetri: U mplakëm! Po i afrohemi vdekjes! Ndërsa tjetri iu përgjigj: Mua më duket se po i afrohem edhe një herë fëmijërisë, sepse e mbaj mend nënën që më vishte në fëmijëri, në të njëjtën mënyrë siç më vesh bija ime sot. Dinjiteti është pjesë e pasqyrës së njeriut. Po të thyhet ajo pasqyrë, atëherë njeriu s´ka më se ku ta shohë vetëveten. Remzi Basha nuk din të urrejë, por ai din vetëm të dojë dhe të ndihmojë.

Remzi Basha ka mbledhur para për Adem Jasharin dhe është i pari që ka dhënë kontribut në Skandinavi për organizimin e luftës në Kosovë. Për familjen e Jusuf Gërvallës, Zt. Remzi Basha e ka dhënë në disponim banesën e babait të tij në Malmo. Derisa Naimi është poet i kombit, Lasgushi është poet i shpirtit. Derisa Ali Podrimja është vlerë nacionale e Kosovës, Xhevahir Spahiu, Azem Shkreli, Sali Bashota dhe Sabri Hamiti janë vlera universale. Le të na shajë kush të dojë, dhe le të na lavdërojë kush të dojë, por vlerat e tyre e dëshmojnë këtë argument të bindshëm e të prekshëm. Derisa Kosova e Aliut është gjaku im që nuk falet, në vargjet e Saliut ndjehen përshpëritjet e truallit shqiptar, ndërsa në vargjet e Remzi Bashës ndjehen dy gjëra elementare: dashuria ndaj atdheut dhe dashuria ndaj femrës. Duke lexuar vargjet e tij, kuptojmë se shtati i saj përkulet si një hark i shenjtë. Gjinjtë e saj lëkunden si dallgë deti. Para hijeshisë së saj mbetesh pa fjalë. Majmëri e brishtë, dhe bukuri e çveshur. I këndon trupi nga bukuria. I dridhen gjinjtë nga majmëria, dhe brishtësia, e ëmbëlsia.. (Bukuresht, 20 Tetor 2020)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat