Gazetari shqiptar tregon si arriti Kina të shmang valën e dytë të Covid

Diaspora

Gazetari shqiptar tregon si arriti Kina të shmang valën e dytë të Covid

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 10:31
Edison Myrteza

Edison Myrteza ka mbaruar studimet për gazetari në Shqipëri dhe prej vitesh jeton në Kinë. Në një lidhje skype mëngjesin e sotëm në emisionin “Wake Up”, gazetari shqiptar tregon se në Kinë virusi është zhdukur. Ndonëse pjesa më e madhe e botës po përjeton një valë të dytë të pandemisë në Kinë ka rinisur jeta dhe duket sikur virusi nuk ka ekzistuar asnjëherë. Myrteza tregon me detaje se si arriti Kina me 1 miliard e gjysmë banorë të mposht Koronavirusin.

Gazetari shqiptar tregon se masat janë të rrepta që në momentin që njerëzit hyjnë në Kinë, duke përmendur edhe menaxhimin që ju bë situatës gjatë “javës së artë” ku fluksi ishte i madh.

“Të paktën gjatë ‘javës së artë’, kanë qenë mbi 642 milionë udhëtime, pra një shifër jashtëzakonisht shumë e madhe. Protokollet jo vetëm në aeroporte, por edhe në tren, apo çdo pikë hyrje dhe dalje nga Kina duket se vazhdojnë të jenë të rrepta ashtu si edhe më përpara, pavarësisht se nuk ka më raste. Askush nuk lejohet të hipë në avion pa bërë tamponin. Në momentin që kanë menduar të udhëtojnë drejt Kinës duhet të bëjnë tamponin. Procesi është i gjatë, sepse pasi kanë kryer tamponin, ky dokument duhet çuar nëpërmjet postës zyrtare të ambasadat kineze në çdo vend të botës dhe më pas kthehet përgjigja që duhet të jetë negative. Më pas nisen drejt Kinës për udhëtimin. Askush nuk mund të hyjë direkt në Pekin, duhet të kalojë në një pikë tjetër, ndoshta Shangai apo pikë tjetër. Është e panegociueshme karantina 14 ditore kur mbërrin në Kinë. Gjatë këtyre ditëve të karantinës kryhen 3 procese tamponi, të cilat duhet patjetër të dalin negative. Edhe pasi mbaron tamponi dhe karantina dhe nëse duan të shkojnë në Pekin duhet të bëjnë 7 ditë karantinë dhe sërish tampon. Më pas mund të lëvizin të lirë”, bëri të ditur gazetari shqiptar në Kinë, Edison Myrteza.

Ai tregoi edhe dënimet për ata që shkelin rregullat: “Të menaxhosh 1 miliard e gjysmë banorë është shumë e vështirë. Masat drastike kanë qenë të shumta.

Në një qytet në Kinë, vetëm për 6 persona të infektuar 9 milionë banorë u futën në karantinë dhe kryen tamponin. Kjo ndodh në çdo qytet ose provincë ku ka raste, tregon Myrteza.

“Në zonat rurale vetë banorët bllokojnë banorët që nuk janë të zonës, për të mos lejuar qarkullimin e virusit. Kanë qenë shumë të rrepta dënimet. Për ata që nuk kryenin tamponin apo procesin e karantinës, dilnin jashtë. Policia i ka arrestuar dhe i ka futur me zor në karantinë. Veç gjobës, marrje me detyrim dhe në jo pak provinca punonjësit e shëndetësisë kanë futur në banesa dhe i kanë mbyll me çelës, madje i kanë ndryshuar çelësin. Ushqimet janë çuar nga autoritetet”, theksoi ai.

Përpos masave që janë marrë gjatë muajve që nga nisja e pandemisë, gazetari shqiptarë tregon se tashmë Kina e ka zhdukur virusin dhe duket se çdo gjë i përket të kaluarës, ndryshe nga pjesa tjetër e botës që po përballet me një valë të dytë të pandemisë.

“Këtu në Kinë maska nuk është më e detyrueshme, situata është mjaft e qetë dhe virusi është zhdukur, aq sa po harrojmë periudhën e vështirë që kaluam. Mund të shikosh sërish njerëz më maska, por kjo ndodh sepse në Kinë e kanë kulturë personale mbajtjen e maskave edhe në periudhë gripi normal. Përsa i përket jetës, gjithçka vazhdon në normalitet njësoi si para pandemisë së Covid-19”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat