Britania në shtetrrethim, mjeku shqiptar tregon masat dhe situatën e COVID-19

Diaspora

Britania në shtetrrethim, mjeku shqiptar tregon masat dhe situatën e COVID-19

Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 13:29
Adrian Fandi

Adrian Fandi, mjek shqiptar në një urgjencë në Londër komentoi për Euronews Albania masat e fundit të ndërmarra nga qeveria britanike kundër pandemisë dhe deklaratën e kryeministrit Boris Johnson.

Britania e Madhe vendosi të shtunën të nisë nga java e ardhshme mbylljen e dytë për shkak të COVID-19. Qytetarëve do t'u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi, ndërkohë që shkollat nga ana tjetër nuk janë mbyllur.

“Fëmijët kanë virulencë [të ulët], pak ose aspak simptoma, dhe në momentin e parë kur u mbyllën nuk u pa ndonjë diferencë e madhe në përhapjen e virusit dhe për mendimin tim nuk ka shumë rëndësi mbyllja në këtë periudhë, por parandalimi duke mbajtur maskat, sepse mbajtja e maskës pengon virusin të depërtojë,” – tregoi mjeku Fandi duke shpjeguar politikat e ndërmarra në Britani.

“Mbyllja e klubeve ka rëndësi, sepse njerëzit në klube nuk i vendosin maskat, në një mjedis me muzikë të lartë njerëzve u duhet të bërtasin dhe në këtë mënyrë shtojnë spërklat e hedhura ndaj njëri-tjetrit duke shtuar rrezikun për infeksion,” – analizoi Fandi.

I pyetur se si duket gjendja, mjeku i urgjencës në një spital në Londër tha se më me rëndësi për raportimet ditore nuk janë të infektuarit, apo rastet, por “numri i pacientëve në spitale”.

“Deri para një jave në spital mund të shikonim një ose dy në ditë që kishin nevojë për oksigjen dhe duheshin shtruar në spital, çuditërisht nga e enjtja e deri sot kemi pasur dy-tre raste çdo orë. Si shpjegohet kjo? Mund të jetë periudha e kohës, rritja e virulencës në bazë të klimës, por nuk e dimë fiks, po ta dinim saktë do të kishim vepruar, por mendimi im është, maska, mbajtja e maskës saktë mund ta parandalonte,” – tha mjeku, i cili vuri në dukje se në Britaninë e Madhe nuk është me detyrim mbajtja e maskës.

I pyetur për gjendjen e spitaleve dhe a i ka kapacitetet Britania e Madhe për ta përballuar fluksin, mjeku shqiptar tha se ditët e fundit ishte konstatuar një vonesë e pacientëve për të gjetur shtretër të lirë në hospitalizim.

“Kjo po ndodh nga bumi i menjëhershëm, shumë njerëz vijnë të sëmurë, mesatarisht 40-70 vjeç që janë më aktivë dhe moskokëçarës. Nga deklarata e Boris Johnson më bëri përshtypje se shprehja e tij se mjekët janë në gjendjen ku duhet të përzgjedhin pacientët, situata nuk është kaq e rëndë, nuk e di se si e ka thënë, nëse i ka shpëtuar apo e ka thënë seriozisht, por është diçka e rëndë, sepse unë [si mjek] nuk mund të vendos kush do të vdesë e kush jo, unë si mjek do të luftoj që të shpëtojnë të gjithë, pastaj fatit nuk i dihet,” – u shpreh Fandi.

Në Britaninë e Madhe po përflitet se deri në periudhën e Krishtlindjeve nëse vijohet me këtë fluks mund të mos ketë më kapacitete të trajtimit shëndetësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat