Valentina Shabani-zë i veçantë i poezisë shqipe nga diaspora

Diaspora

Valentina Shabani-zë i veçantë i poezisë shqipe nga diaspora

Nga: Zymer Mehani Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 19:27
Kopertina e librit

Përmbledhja poetike “Mos ma shkel lotin” e autores Valentina Shabani, përveç se është e pasur me poezi të shkëlqyera, ajo sjell edhe përjetime të vetë autores nga jeta, ku gjejmë filozofinë e saj për jetën dhe andrallat që i shkakton ajo në të gjitha fushat e saj, e përshkruar me emocione dhe me lirizëm muzikor, kur shkruan për virtytet apo veset, me të cilat karakterizohen njerëzit.

Poezitë e kësaj përmbledhjeje do ta nxisin lexuesin të meditojë për ato tema që ka shkruar autorja, e frymëzuar, por ndoshta edhe e dëshpëruar me shoqërinë njerëzore, për varfërinë apo skamjen (poezia Lypësi), për plagët e shoqërisë shqiptare, siç është kurbeti (poezia Kurbeti), për kafshët e buta (poezitë Dikur dhe Për qenin tim) etj.

Valentina Shabani lajtmotiv të poezive të saj e ka dashurinë, prandaj ajo mund të identifikohet edhe si poete që i këngëton dashurisë. Ajo e sheh dashurinë si ndjenjën më fisnike të njeriut, por edhe si një burim energjie dhe nxitje për vargjet e saj. Ajo e bën të shenjtë dhe të përjetshme dashurinë nëpërmjet vargjeve, ku e trajton këtë motiv. Këto poezi janë krijime komplekse, po aq sa vetë ndjenja e dashurisë, sepse autorja me fjalët e zgjedhura në vargjet e poezive të veta ka përcjellur tek ne si lexues thellësinë e dashurisë, por edhe esencën e ndjenjave të përziera në të. Poezi dashurie të tilla mund të japin në pak vargje të gjithë pasionin, dëshirën, vuajtjen, trishtimin, xhelozinë dhe ndjeshmërinë që kemi ndaj një personi.

Poezia e poetes Valentina Shabani ka edhe ngjyra dhimbjeje a dëshpërimi (poezia Pleqërinë s’e do njeri). Ajo përmban ʺdoza helmiʺ, por edhe të humorit, që e pasuron edhe më shumë vargun e saj poetik (poezia VVjehrrVjehrra e Vjehrra e nusja).

Poezitë e autores Shabani, gjatë leximit të tyre na dhurojnë përjetim të gjendjeve shpirtërore, siç janë dhimbjet, vuajtjet, gëzimet dhe brengat. Autorja në poezitë e saj ka përdorur fjalorin dhe një gjuhë të thjeshtë, pa komplikime, si dhe me një emocionalitet të veçantë. Dashuria në poezinë e kësaj autoreje na shfaqet herë si dashuri e pastër ndaj femrës apo mashkullit (poezitë Dashuri, Ti më thua se më ke xhan, Dashuri e hënës etj), herë si dashuri prindore (poezia Të jesh babai im, Je princeshë e babit, Mundi i nënës) e ndonjëherë me motive tjera, ku dashuria ndoshta nuk është në plan të parë, mirëpo përmes vështrimit të subjektit lirik, arrin që elementin e dashurisë ta bëjë bosht të poezisë së saj (poezitë Ah, moj hënë, Yllit ëndrrën do t’ia them, A di të dashurosh? e ndonjë tjetër).

Autorja Shabani jo gjithmonë di të jetë e lumtur, sepse kemi raste kur ajo shfaq edhe pikëllimin. Gjendja shpirtërore ndikohet nga dhimbja që i japin çastet (poezitë Mos ma shkel lotin, Ke kujdes, Vetmi, Vuaj etj. Në këto poezi ne shohim zemërimin, dhembjen, trishtimin.

Kali është një nga kafshët më të dashura, që di të jetë mirënjohës dhe shpesh herë mik i mirë, prandaj autorja Shabani kësaj krijese do t’i kushtojë vargje të bukura (poezia Dikur), sikurse edhe qenit, si kafsha më besnike për njeriun (poezia Për qenin tim).

Libri poetik “Mos ma shkel lotin” është një prurje e re në poezinë e sotme shqipe, e cila do të mbetet gjithmonë e freskët dhe me vlera estetike.

Më vëllimin poetik “Mos ma shkel lotin”, autorja Shabani shpalli sfidën e saj të re të mjeshtërisë krijuese, ngase poetika e saj është plot humor (poezia Vjehrra e nusja, plot dashuri (p.sh poezia Bëhu frut i dashurisë), plot tipare njerëzore (poezia Ndaloni marrëzinë), plot thurje dhe mall elegjiak për të afërmit, që vijnë sa nga realiteti i gjallë, i ngritur madhërishëm në art poetik, po aq edhe nga fiksioni brilant i autores (poezitë Motra m’u bë engjëll dhe Filiz i këputur).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat