Rekuiem për këngëtarin Ismet Peja

Diaspora

Rekuiem për këngëtarin Ismet Peja

Nga: Uk Lushi Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 06:28
Ismet Peja

"Për me le e për me dekë, Zoti ditën ta ka shkru"-- është një varg nga shumë këngë të Orfeut Ismet Peja. Ismet Pejës dita e vdekjes i erdhi dje. Por me Ismet Pejën në botën tjetër nuk do të shkojnë asnjëherë këngët e tij. As kujtimet e bukura për të. Këngët e tij dhe kujtimet për të do të mbeten përgjithmonë me të gjallët.

Ndonëse nuk e takuam Ismet Pejën as nëna ime dhe as unë ndonjëherë në jetë, me Pejën për herë të parë dhe shumë e shumë hera sa ishte gjallë më prezantoi nëna ime.

Më kujtohet kur isha fëmijë, ndërsa piqte bukën e grytë dhe përgatiste gjellët në kuzhine, nëna e kishte zakon të lëshonte radion Grundig nga ku vinin këngë e melodi të magjishme që emetoheshin në kanalin e RTP-së. E kisha veneruar se ajo ngazëllehej dhe kënaqej kur këndonte një këngëtar me zë të ëmbël dhe aristokrat dhe që përcillej me melodi shumë origjinale. Zëri dhe meloditë më pëlqenin edhe mua, veçse vëmendja ime e njomë luante kalakiç herë me lodrat para meje, e herë me ëndërrimet me sy hapur fëmijërore, dhe, prandaj vazhdimisht nuk arritja ta kapja emrin e këngëtarit skofiar kur spikeri i radios njoftonte titullin e këngës dhe këngëtarin.

Një ditë e pyeta mamanë time të mirë kështu: "Pse të pëlqen ky këngëtar?!"

Ajo sikur të ma kishte lexuar mendjen m'u përgjigj për krejt çfarë doja të dija: "Quhet Ismet Peja. Më pëlqen sepse këgët e tij janë shqiptare dhe vijnë nga loçka e dheut tonë."

Nuk e kuptova nënen time çfarë deshi të thoshte me "këngët e tij vijnë nga loçka e dheut tonë." Por nuk e shqetësova me pyetje shtesë.

Pas gati një gjysmë shekulli, vetëm dje, në ditën e vdekjes së Ismet Pejës, më në fund, ndërsa po dëgjoja këngë të tij në YouTube, pata sukses të dekodoj mesazhin e përshkrimit të këngëve të Ismet Pejës nga nënokja ime.

Këngët e Pejës burimin e lindjes së tyre e kanë në lashtësinë e pararadhësve tonë, kompozimin dhe ekzekutimin në kontinuumin e një tradite popullore ndryshe nga çdo tjetër dhe thelbin ato e kanë në gjenetikën e kulturës shqiptare. E mora vesh poashtu që Ismet Peja nuk ishte nga Peja si kisha supozuar gabimisht bazuar në mbiemrin e tij për gati 50 vjet, por ishte nga Gjakova, vendburim i muzikës origjinale shqiptare.

Nëna ime në atëbotë fëmijënore kur pafajësia ishte si një mrekulli më kishte treguar të vërtetën pse i pëlqenin këngët e Ismet Pejës. Të vërtetën reale se ato vijnë nga loçka e dheut shqiptar. Dheut që para gati pesë vitesh e mbuloi dhe mbështolli mëmën time. Dheut që dje e mori në gji edhe Ismet Pejën. Dheu i mëmës apo mëmëdheu, si çdo bir apo bijë të veten, dje mori prapa atë që kishte dërguar të na këndonte nga loçka e zemrës.

Lamtumirë mjeshtër Ismet Peja! Le të të përkujtojmë duke dëgjuar këngët tua sepse jeta jetohet kur lë kujtime dhe këngë prapa! Të faleminderit Ismet Peja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat