Shqiptarët shqetësojnë gjykatësin anglez: Vijnë këtu nëpër kamionë, përfshihen në trafik droge dhe paguajnë avokatët më të shtrenjtë?

Diaspora

Shqiptarët shqetësojnë gjykatësin anglez: Vijnë këtu nëpër kamionë, përfshihen në trafik droge dhe paguajnë avokatët më të shtrenjtë?

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 13:37
Britania e Madhe

Bandat shqiptare dhe shtimi i aktivitetit të tyre kriminal është shndërruar në një problem real për autoritetet në Britaninë e Madhe.

Një gjykatës i lartë në Bradford, në Britaninë e Madhe, Richard Mansell, e ka ngritur këtë shqetësim duke ngritur pyetjen: “Pse shqiptarëtë, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Britani dhe janë kapur duke kultivuar kanabis në ferma kanë mundësi financiare të përfaqësohen në gjyqe me avokatë privatë?“

Sipas mediave lokale,  shqetësimi i gjykatësit erdhi pasi ai refuzoi të revokonte urdhrin e përfaqësimit të një të riu shqiptar, Agzon Kortoci, 19 vjeç.

Sipas mbrojtjes së 19-vjeçarit, ai është trafikuar në Britani dhe ka qenë i detyruar të punonte për një bandë kriminale.

Por ai pyeti se si mund të ndodhte që Kortoci dhe të tjerët në një pozicion të ngjashëm, të cilët ishin futur në vend të fshehur nëpër kamionë, për një jetë më të mirë, kanë mundësi të paguajnë fatura të shtrenja për mbrojtje ligjore.

“Ka diçka shumë, shumë shqetësuese në lidhje me këtë“, citohet të ketë thënë gjykatësi.

Sipas tij, ose familjarët e tyre kanë para që  i kanë marrë nga aktivitetet e paligjshme të fëmijëve të tyre, ose janë vet bandat kriminale që investojnë.

“Unë jam duke referuar disa raste për të parë se çfarë po ndodh këtu”, vijon ai.

Pas çështjes, deputeti i Shipley, Philip Davies, kërkoi hetim të aktivitetit të bandave që fusin në Britaninë e Madhe të rinj, të cilët më pas merren me aktivitete të paligjshme.

Kohët e fundit ka pasur një varg aksionesh policore në zonën e Bradfordit, ku janë ngritur ferma kanabisi dhe janë arrestuar shumë të rinj.

Në fillim të këtij viti, një hetim i një gazete kombëtare pretendoi se drejtuesit e bandave shqiptare të drogës trafikonin në Britani të Madhe njerëz të pambrojtur, duke përfshirë fëmijë, të cilët detyrohen të skllavërohen në tregun e drogës.

Shqiptarët arrijnë të futen ilegalisht në Britaninë e Madhe të fshehur për orë të tëra nëpër kamione ose duke siguruar pasaporta false të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat