Zonja Daka, unë nuk ju urrej - unë kërkoj përgjegjësi nga ju

Diaspora

Zonja Daka, unë nuk ju urrej - unë kërkoj përgjegjësi nga ju

Nga: Gëzim Muçolli Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 14:56
Gëzim Muçolli

Dje duke folur me dëshpërim në mbledhjen e radhës në KQZ , e pamë kryetaren e këtij institucioni të rëndësishëm zonjën Valdete Daka duke u  arsyetuar sikur i penduari pas fajit, por me dallimin se asnjëherë deri më tani nuk e pranoi se kush është përgjegjës për situatën e krijuar me mohimin e të drejtës së votës mijëra qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në mërgim.

Zonja kryetare Daka tha se ndihet keq se me fajin e të tjerëve qenka shëndërruar në "personalitetin më të urryer në tri javët e fundit"!

Faji edhe këtë herë u dashka të mbetet jetim!

Jo more!

Zonja Daka, këtë herë jetim mbetën 28.068 (njëzetetetë mijë e gjashtëdhjetë e tetë) qytetarë që ende i besojnë Republikës dhe e respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Edhe pse fati i ka shpërndarë nëpër botë ata vazhdojnë ta duan vendin e vet dhe ti përgjigjen sfidave dhe përgjegjësive ndaj atdheut.

Zonja kryetare Valdete Daka , ju garantoj se unë nuk ju urrej. Urrejtja është ndjenjë që njerëzve ua heq dinjitetin dhe madhështinë, dhe duke i bërë të vuajnë ua heq edhe bukurinë e shpirtit njerëzor.

I madhi Arthur Schopenhauer thoshte se "Urrejtja vjen nga zemra, respekti vjen nga koka; e asnjë ndjenjë nuk është totalisht nën kontrollin tonë".

As ju zonja kryetare nuk po dëshmoni se e keni gjendjen nën kontrollin tuaj. As emocionet tuaja. Gjetët arsyetimin e pafajësisë së pretenduar dhe gjynahin e të qenurit të urrejtur. Vazhdimisht duke u fshehur nga faji i përgjegjësisë së munguar.

Mungesa e emrit tim dhe të familjarëve të mi në Listën e votuesve nga Mërgata është shkelje e ligjit. Ligji pretendohet se është shkelur edhe 28.068 herë, aqë sa është numri i qytetarëve që kanë aplikuar për tu regjistruar për të votuar dhe që nuk iu doli emri në Listën e votuesve jashtë vendit për zgjedhjet për Parlamentin e Republikës së Kosovës me 14 shkurt 2021.

Zonja kryetare Daka, institucioni që ju udhëheqni ka shkelur Nenin  45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Nenin 21 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Shkelje e cila nuk duhet të kalojë pa dhënien e përgjegjësisë nga të gjithë ata që paguhen nga shteti për organizimin e zgjedhjeve të lira.

Është për keqardhje se si shumë veta ranë në kurthën e polarizimit selektiv politik duke menduar se votat e mërgatës kanë vetëm një ngjyrim elektoral. Mërgata kosovare është e pasur politikisht siq ka qenë gjithmonë e pasur me atdhedashuri. Individë dhe familje mërgimtarësh kanë shprehur dhe shprehin lirshëm afinitetin e tyre ndaj partive që ata i duan dhe nuk ka njëmendësi as njëpartizëm politik në votat e mërgatës.

Ka mërgimtarë të kohëve më të hershme që ende votojnë Ldk-në, ka veteranë e kontribues të Luftës në Kosovë që nuk hezitojnë të votojnë Pdk-në, ka mërgimtarë që nuk lëkunden nga traditat regjionale kur padyshim direkt votojnë për partinë Aak,  janë edhe punëtorët e kantiereve të presidentit të Akr-së që ndihen se i dalin borxhit punëdhënësit të tyre kur familjarisht e votojnë, e poashtu edhe mërgimtarët nga Malisheva votojnë për Nismën e tyre. Edhe numri i konsiderueshëm që theu rekordet e aplikimit për  pjesëmarrje në votim e që mendohet se do të votojnë për Vv janë qytetarë të cilët e duan Kosovën edhe më të mirë e më të bukur.

Pra mërgata është Ylberi i shumëngjyrshëm i shprehjes së lirë të bindjeve e të besimit në programe zgjedhore dhe kandidatë seriozë duke qenë të pavarur nga kushtëzimet e ndryshme që mund ti ketë një votues në Kosovë. E kapërcimi symbyllur  i këtij ylberi polikromatopolitik natyrisht se nuk sjell te demokracia perfekte por dëshmon mjerimin dhe dekadencën e sistemit të vlerave qytetare dhe shoqërore në Kosovë.

Në fund zonja Daka ju jeni përgjegjësja kryesore por nuk jeni e vetmja që ka faj. Edhe liderët e partive politike në Kosovë është dashur ti marrin përgjegjësitë e veta dhe të mos fillojnë fushatën zgjedhore deri në çertifikimin e votuesit të fundit sepse vota e lirë është themeli i demokracisë.

Mungesa e 28.068 votave është mungesa e dinjitetit politik dhe qytetar të politikës kosovare dhe derisa në vende të ndryshme mashtrimi elektoral ndodh gjatë votimit ose gjatë numërimit të votave, sivjet mashtrimi elektoral në Kosovë ndodhi para shkuarjes në votim. E kjo natyrisht se nuk i bën nderë as historisë së shtetit më të ri në Europë.

Duke kërkuar dorëheqjen e kryetares Valdete Daka dhe gjithë anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së

Kosovës, do të krijohej mundësia e krijimit të një institucioni të vërtetë demokratik që mbron të drejtën e votës së lirë të çdo qytetari të Republikës.

Ka kohë ende deri me 14 shkurt, sepse nuk mund ti lëmë vend urrejtjes aty ku kërkohet përgjegjësia.

Pa harruar asnjëherë se dita e 14 shkurtit është dita e dashurisë e jo dita e urrejtjes.

Gëzim Muçolli, 6 shkurt 2021 Padova, Itali

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat