Hazir Lulaj dhe mërgata shqiptare

Diaspora

Hazir Lulaj dhe mërgata shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 22:12
Hazir Lulaj

Mërgata ose diaspora shqiptare është term me të cilin përfshihen të gjithë shqiptarët të cilët jetojnë dhe veprojnë jashtë trojeve autoktone shqiptare. Motivet e mërgimit kanë karakter social, konfesional apo politik. Mërgata jonë me kalimin e kohës ka shkuar gjithnjë e më tepër duke u rritur. Konform burimeve elektronike, edhe tek shqiptarët, sikurse tek popujt tjerë të botës, ka pasur migrim të popullsisë. Nga këta banorë që kanë migruar për shkaqe të ndryshme në vende të ndryshme të botës, shpesh herë janë krijuar grupe të organizuara në shoqata kulturore.

Në historinë e kombit shqiptar, aktiviteti i këtyre grupeve të mërgatës, jo rrallë ka luajtur një rol të madh në vendimet e ndryshme historike e politike që janë marrë mbi qeverisjen e tokave shqiptare. Poashtu ka raste ku nga këto grupe janë iniciuar edhe veprime të cilat kanë ndikuar në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Qendrat e mërgatës shqiptare kanë lëvizur varësisht nga zhvillimet e përgjithshme botërore. Kështu, që nga fillimi i shekullit I, në pjesë të ndryshme të Italisë së sotme, bashkëvendësit janë organizuar në grupe të ndryshme. Disa nga këto grupe në fillim kanë pasur ndikim në vendimet e Romës e me kalimin e kohës kanë marrë pozicione qeverisëse në udhëheqjen e perandorisë Romake.

Një fazë tjetër e krijimit të grupeve të diasporës është perandoria e Bizantit. Edhe këtu, edhe pse në histori deri më tani nuk flitet për ndonjë organizim të diasporës, vetë fakti i prezencës së personave me prejardhje nga territoret shqiptare në qarqet e udhëheqjes së perandorisë Bizantine, krijojnë një formë të organizimit të këtyre personave, jo vetëm në Greqi por edhe në Konstantinopojën e dikurshe të vëllezërve Frashëri, apo në Stambollin e sotshëm. Me pushtimin e Ballkanit nga Perandoria Osmane, diaspora në Itali organizohet në atë shkallë saqë këtu mund të flitet për një koloni tejet aktive, ku pat vepruar ndër të tjerët edhe Jeronim de Rada, ku u botuan revistat dhe gazetat e shekullit 19.

Periodikët në gjuhën shqipe në Itali janë 25 dhe në pjesën më të madhe, dalin edhe në gjuhën italiane. Në Romë, Palermo, Bari e Corigliano Calabro, periodikët në gjuhën shqipe kanë pasur një jetë më të gjatë dhe kanë qenë më të shumta në numër, të shtyra nga aktiviteti i italo-shqiptarëve, të frymëzuara nga fjalët patriotike të Jeronim De Radës e Zef Skiroit, që me të drejtë, mund të cilësohen si bartësit direktë të idesë nacionale shqiptare. Kështu shkruante më 1 shtator 1939, suplementi kulturor mujor “La Lettura”, i gazetës italiane “Corriere della Sera”, në faqen 71 të tij, në një artikull të G. Silvano Spinetti, nën titullin ”I giornali di lingua albanese stampati in Italia”.

Artikulli, siç dëshmohet edhe nga vetë data e botimit, fliste nën dritën e entuziazmit fillestar të pushtimit italian të Shqipërisë, duke i bërë jehonë me këtë rast edhe propagandës fashiste, kështu që qysh në krye të herës, fjalët “kombi mik” apo “falë dëshirës së Mussolinit” janë pjesë përbërëse e tij. Por artikulli ka një vlerë të veçantë informative, pasi rendit me statistika të plota e të qarta, të gjithë historikun e periodikëve shqiptarë në Itali, duke ia nisur që nga mesi i shekullit të 19-të, kur ato nisën me “Shqiptari i Italisë” të Jeronim De Radës, e deri tek ato çka kishin mbetur, apo ishin sjellë përgjatë viteve e dekadave si prurje të reja nga komunitetet lokale apo sociale, shkencore, intelektuale e studentore shqiptare në Itali.

Në artikull veçohet fakti se kundrejt kontributeve të komuniteteve të tjera patriotike shqiptare në Stamboll, Bukuresht, Sofie e Egjipt, ai i komunitetit shqiptar në Itali kishte qenë më domethënësi dhe vinte në dukje edhe ndihmën që shteti italian i kishte vënë në dispozicion këtij të fundit për të arritur qëllimet e veta. Sigurisht, se në këtë kontekst, për ta nxjerrë edhe më në pah kontributin italian, roli negativ i osmanëve, serbëve e grekëve për ta bllokuar përhapjen e gjuhës shqipe e botimeve që do të duhej të pasonin në dekadat e fundit të pushtimit osman, barazohet edhe me atë të austro-hungarezëve, çka nuk është se përkon me të vërtetë, ose të paktën jo tërësisht.

Zotëri Hazir Lulaj është një djalë i ri i Dukagjinit, i lindur në Deçan, banor i fshatit Broliq. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren e ka kryer në Prapaqan, ndërsa të mesmen në Deçan. Qysh në moshë të re, si shumë të rinj të tjerë, për t’i bërë ballë varfërisë, qe i detyruar të largohet nga atdheu i tij, ngas Kosova kreshnike, për të vajtur në gyrbet, për të siguruar ekzistencën. Njësoj si kushëriri i tij, Neki Lulaj, Haziri është i rritur me ndjenja patriotike që në fëmijëri, gjithmonë me mendje e shpirt tek Kosova jonë e dashur.

Këtë e dëshmojnë edhe fotografitë prezente në revistën më të vjetër të diasporës shqiptare që del në Bukureshtin e rilindësve tanë, me një traditë 133 vjeçare të botimit me ndërprerje (1888-1903, 1993-2021). Duke qenë me prejardhje nga Belleja te malet e bardha, si çdo atdhedashës për vendin e tij, Zt. Hazir Lulaj shumë vjet jeton e punon në Itali, duke vepruar me të gjitha mundësit e tij për bashkimin e diasporës, gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit dhe të vendit tonë. Zotëria e tij merret me shoqata të ndryshme shqiptare në atdheun e Garibaldit, në Itali, duke bërë përpjekje maksimale për t’i bashkuar mërgimtarët tanë, së bashku me bashkatdhetarin tonë të respektuar, Dr. Vat Marashi, një aktivist dhe atdhetar me vlera të mëdha. (Bukuresht, 7 shkurt 2021).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat