Vaksina AstraZeneca funksionon, mjeku Fandi shprehet se Londra po i kthehet normalitetit

Diaspora

Vaksina AstraZeneca funksionon, mjeku Fandi shprehet se Londra po i kthehet normalitetit

Më: 8 mars 2021 Në ora: 10:06
Adrian Fandi

Mjeku shqiptar që jeton dhe punon në Londër, Adrian Fandi tha se që nga fundi i janarit, kur procesi i vaksinimit atje kishte nisur dhe masat kufizuese janë shtuar, numri i personave që shtrohen në spitale është më i vogël.

“Kanë filluar të vijnë në spital edhe njerëz me pneumoni normale, bakteriale, jo vetëm pneumoni nga COVID. Kjo tregon që avash-avash gjendja po kthehet në normalitet,” – sqaroi Fandi.

Në intervistën për Euronews Albania ai u shpreh se vaksina e parë që u përdor ishte Pfizer, më pas Moderna dhe në fund u aprovua dhe AstraZeneca teksa sqaroi se secila vaksinë ka dhënë efektin e saj.

Ditën e sotme në Londër, siç tregoi mjeku janë hapur dhe shkollat që është diçka shumë pozitive dhe kështu do të vijojë me gjithë masat kufizuese.

Sa i takon skepticizmit për AstraZeneca, mjeku Fandi tregoi se është një vaksinë klasike dhe është duke vepruar.

“Ne vaksinën e bëjmë që të krijojmë antitrupa dhe niveli i antitrupave, flas me AstraZeneca por edhe me vaksinat e tjera është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Kjo do të thotë që e ka dhënë atë shtyrjen për rritjen e anti trupave njëkohësisht edhe te njerëzit që nuk e kanë kaluar COVID më parë. Kështu që vaksina funksionon, pastaj nga ana politike se cila është më e mirë apo më e keqe, ky është një diskutim i kotë që nuk ka vend,” – u shpreh Fandi.

Sakaq sa i takon vaksinimit të emigrantëve mjeku tha se ekziston një ndrojë te ta pa lënë pas dhe apelin për ndihmë, duke dhënë dhe shembullin e tij personal që në një studio tijën Adrian Fandi vetë ka ndihmuar emigrant shqiptar të cilët kanë qenë me COVID dhe kanë pasur nevojë për kurim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat