Flet vajza e shqiptarit që humbi jetën në Greqi: Na e morën babin nga duart

Diaspora

Flet vajza e shqiptarit që humbi jetën në Greqi: Na e morën babin nga duart

Më: 3 prill 2021 Në ora: 10:20
Aleks Bruka

Vajza e  45-vjeçarit shqiptar, i cili humbi jetën dy ditë më parë, pasi u godit nga rryma elektrike ka thënë se gabimi nuk ishte i babait të saj, por i personave që po punonin me të.

Në një deklaratë që ka bërë për mediat greke, Kerta, ka thënë se babai i saj e bënte këtë punë prej 15 vitesh, sakaq kërkon nga autoritetet që ta hetojnë mirë ngjarjen.

 “Po jetojmë në një çmenduri. Po mundohemi të organizojmë udhëtimin e fundit të babait për në Shqipëri. Këtë punë e bënte prej shumë vitesh. Në fakt, këtë vit do të mbaronte shkollën e elektriçistit, do të diplomohej dhe nuk do të ngjitej më nëpër shtylla.

Për fat të keq, të tjerët e bënë gabimin, të tjerët nuk e dinin punën dhe na e morën babain nga duart. Shpresoj që autoritetet ta hetojmë mirë këtë çështje sepse asgjë nuk ka ndodhur papritur. Nuk ishte hera e parë që babai im bënte këtë punë. Është ngjitur nëpër shtylla për të paktën 15 vite. E dinte mirë këtë punë”, ka thënë vajza 20-vjeçare e shqiptarit.

Ngjarja e rëndë, ndodhi dy ditë më parë, ku shqiptari i identifikuar si Aleks Bruka, u godit nga rryma 20 mijë volt, ku dhe mbeti i vdekur në vend. Së bashku me shqiptarin humbën jetën dhe dy persona të tjerë me origjinë greke, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar tre persona. Mediat greke, bëjnë me dije se në pranga kanë rënë përgjegjësja, inxhinierja përgjegjëse e projektit, por edhe mbikëqyrësi i punimeve, të cilët po përballen me akuza për vrasje nga pakujdesia.

Autoritetet e policisë që kanë ndërmarrë hetimet, konsiderojnë se dëshmia e 32-vjeçarit të plagosur do të jetë e rëndësishme, të cilit do t’i kërkohet të japë detaje për ngjarjen në ditët në vijim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat