Mirush Kabashi përlot me poezinë kushtuar Nënë Terezës: Krenari e Shqipërisë

Diaspora

Mirush Kabashi përlot me poezinë kushtuar Nënë Terezës: Krenari e Shqipërisë

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 21:44
Mirush Kabashi

Personalitete të shquara të artit nga Shqipëria e Diaspora si dhe përfaqësues të pushtetit vendor janë bërë bashkë në Berat për të përkujtuar 5-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Magjik ka qenë aktori i madh Mirush Kabashi, i cili i ka përlotur të gjithë gjatë recitimit të një poezie kushtuar shenjtores Nënë Tereza.

“Ka bërë kaq shumë jo vetëm për Beratin por për të gjithë Shqipërinë. Është krenari e Shqipërisë. Duhet t’i ulemi në gjunjë për faktin se ka thënë gjithmonë se jam shqiptare. Pasi e kam lexuar jam shokuar. Me të vërtetë.

Jo vetëm për bëmat e Nënë Terezës por për gjykimet e saj. Ajo është një madhështi, jashtëzakonisht e motivuar për ato që ka bërë. Do përmbledh disa vargje e cila tregon motivimin e saj dhe marrëdhënien e saj me vendlindjen me Shqipërinë. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, është shprehur ai.

Shkrimtari Ndue Ukaj në kumtesën e tij në hapje të aktivitetit ka theksuar se është shumë e vështirë të gjesh një rast tipik në botë që një grua të ketë përvetësuar zemrat e të gjithëve dhe të quhet “nënë”.

“Zoti zgjodhi një grua për barazi, për ta sjellë në jetë dhe që në kohët e luftërave e betejave ajo të kthehej në një nënë për të gjithë shqiptarët e për mbarë botën. Nënë Tereza ndërtoi një perandori të pafund të dashurisë për njeriun, ajo la testamentin madhështor të dashurisë dhe na mësoi ta duam jetën ashtu siç është, pa u rebeluar.

Dashuria është vlera më sublime që kemi dhe me të cilën mund ta ndryshojmë botën. Kur mori çmimin Nobel në Oslo Nënë Tereza tha që ishte shqiptare, duke e gdhendur emrin e Shqipërisë në mbarë botën. Këshillat e saj të thjeshta dhe domethënëse janë thesar për shpirtin e njeriut, çdo herë dhe në çdo kohë”, ka thënë Ndue Ukaj.

Eda Zhiti,e cila ka shkruar e botuar edhe një libër për shenjtërimin e Nënë Terezës, ka folur në lidhje me eksperiencat që kanë ndarë me të në Vatikan personalitete të shquara e të afërta me Nënë Terezën.

“Unë isha në Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës, isha pjesë e trupit diplomatik dhe e ndjeva se kisha një detyrë, të dëshmoja mesazhet e grave përfaqësuese nga bota për shenjtën tonë dhe kështu bëra, u mora nga një përshtypje grave ambasadore dhe bashkëshorteve të ambasadorëve dhe bëra librin. Libri me përshtypjet për Nënë Terezën u botua në Vatikan dhe titullohet “Dita e shenjtë e Nënë Terezës”, ka thëne Eda Zhiti.

Për Visar Zhitin, Nënë Tereza ishte personifikimi i të mirës mbi të keqen dhe o gjithë sakrificave njerëzore. “Fuqia përbashkuese e saj na mblodhi për të përkujtuar në Beratin tonë nënën e mbarë njerëzimit”, ka thënë Visar Zhiti.

Don Lush Gjergji, i cili njihej nga afër me të, ka ndarë me pjesëmarrësit kujtimet e tij më të bukura.

“Për Gonxhen çdo njeri nuk ishte vetëm njeri por ishte edhe vëlla e motër, ishte vetë Jezu Krishti. Zoti e thirri atë për një mision dhe në 14 gusht 1928 Gonxhja u gjunjëzua dhe mori vendimin për tu bërë motër misionare, për të ndihmuar të varfrit në mbarë botën, kur ishte vetëm 18-vjeçe. E varfra e botës, që nuk kishte asgjë i dha më së shumti botës ,i dha veten e saj. Ajo thoshte gjithmonë se nëse nuk mund të bënte dot gjë për njerëzit do kërkonte fuqinë e zotit për të vdekur mes tyre”, ka thënë Don Lush Gjergji. ABCnews

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat