Befason mësuesi nga diaspora: Si e festuan nxënësit semimaturën në Gjermani, e çka pashë para tri javëve në Kosovë!

Diaspora

Befason mësuesi nga diaspora: Si e festuan nxënësit semimaturën në Gjermani, e çka pashë para tri javëve në Kosovë!

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 30 qershor 2017 Në ora: 23:01
Nxënës në Gjermani

Sot (Premte) në një shkollë reale në Gjermani, ku po mbaja mësim, nxënësit e klasave të dhjeta festuan mbarimin e klasës së dhjetë dhe kalimin në një shkallë tjetër të shkollimit, ku do të bëjnë maturën apo do të kryejnë shkolla të tjera profesionale sipas afiniteteve të tyre. Ata në oborrin e shkollës kishin vendosur ca tenda të vogla, (sepse i druheshin shiut), kishin marrë edhe zgarat për të pjekur mish dhe bashkë me ta ishin prindërit dhe mësuesit. Nënat kishin sjellë ndonjë ëmbësirë a sallatë dhe e gjitha bëhej në një mënyrë shumë festive, pa ndonjë stres dhe pa ndonjë sforcim social.

Përse përmenda fjalën stres?

Para nja tri javëve (se në Kosovë janë të zotë dhe shkollat fillojnë herët me pushimet e verës!!!) një mbesë e imja mbaroi klasën e nëntë dhe prindërit e saj ishin në hall se si t' ia bëjnë shpenzimeve për natën festive të semimaturës së saj. Përse?

Sepse atje shkollat organizuakan mbrëmje semimaturantësh nëpër hotele e nëpër restorante. Si pasojë e kësaj fëmijët duhet të vishen mirë, madje duhet të blejnë extra rroba për atë mbrëmje ku do të paguajnë pastaj paratë për të përballuar shpenzimet e hotelit a të restorantit, sepse kështu duan mësuesit dhe kështu do dhe lejon edhe drejtoria e shkollës, madje edhe drejtoritë arsimore komunale.

Image
Sylejman Salihu

Prej nga ky luks i madh i mësuesve, që të detyrojnë nxënësit të festojnë mbarimin e nëntëvjeçares, përderisa dimë se papunësia dhe standardi i jetës së njerëzve tanë atje është mizerabël?

A thua ka ndokush që këtë problem social e ka trajtuar ndonjëherë, qoftë edhe në ndonjë mbledhje të Këshllit të Prindërve apo të Këshillit të Arsimtarëve?

Ky problem kërkon një trajtim më serioz dhe duhet të gjenden forma më të lehta e më të përballueshme që mbarimi i semimaturës të festohet simbolikisht dhe fare natyrshëm në kushtet që ofron shkolla dhe bashkë me prindërit dhe mësuesit edhe nxënësit të ndjejnë kënaqësinë e mbrëmjes.

Duhet të mësohemi të festojmë mirë e lirë pa mendejmadhësinë dhe fodullllëkun e personelit arsimor shkollor, se përderisa nxënësit gjermanë e bëjnë këtë përmbyllje krejt natyrshëm, pa krijuar shpenzime dhe pa krijuar edhe dallime sociale te nxënësit, pse nuk mund ta bëjë edhe Kosova kështu ose përafërsiht kështu.

Kosova është e varfër për të festuar dytyrimisht në luks.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat