Murati: Bashkatdhetarët mundohen të ruajnë identitetin e tyre

Diaspora

Murati: Bashkatdhetarët mundohen të ruajnë identitetin e tyre

Më: 12 korrik 2017 Në ora: 12:54
Ministri në detyrë i Diasporës, Valon Murati me rastin e hapjes së panairit “Ditët e Diasporës 2017", në sheshin “Zahir Pajaziti”

Ministri në detyrë i Diasporës, Valon Murati tha sot se mërgimtarët janë gjithmonë të prirë që të ruajnë identitetin e tyre pavarësisht ku ndodhen.

Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së panairit “Ditët e Diasporës 2017", në sheshin “Zahir Pajaziti”, në organizim të Ministrisë së Diasporës.

Murati me këtë rast tha se bashkatdhetarët mundohen të ruajnë dhe promovojnë identitetin e tyre duke kultivuar ushqime dhe veshje tradicionale shqiptare në komunitetet ku jetojnë.

Murati: Panairi po bëhet aktivitet tradicional

“Sot po e hapim panairi tradicional të veshjeve kombëtare, të ushqimeve tradicionale dhe shqiptare, i cili tashmë është bërë një aktivitet tradicional i aktiviteteve që bëjmë ne për muajt e diasporës, të cilin e kemi tash besoj e dini me moton “Ti je pjesë e atdheut”. Këtu kemi mbi 60 tenda, njerëz që kanë ardhur dhe i ekspozojnë prodhimet e tyre nga të gjitha viset shqiptare dhe janë pjesë e aktiviteteve tona të mirëseardhjes për bashkatdhetarët tanë, të cilit këta muaj të verës vijnë dhe mbeten përkundër të gjitha sfidave të jetës shqiptar në identitetin e tyre dhe janë shumë të prirë që do të thotë gjërat tradicionale qoftë ushqimet, qoftë veshjet t’i kultivojnë edhe atje ku janë dhe ta ruajnë identitetin e tyre të fëmijëve të tyre, por në anën tjetër edhe të promovojnë këtë identitet dhe këtë kulturë edhe te komunitetet ku ata jetojnë”, tha Murati.

Përpunuesja e ushqimeve tradicionale, Ilmihane Avduallu nga komuna e Lipjanit e cila tha se merr pjesë çdo vit në këtë panair, është shprehur e kënaqur me këto mundësi që po iu ofron Ministria e Diasporës, mirëpo kërkoi nga institucionet komunale që të mbështesin më shumë bizneset e tyre.

Avdullahu: Nuk jemi mjaftueshëm të kënaqur me mbështetjen e institucioneve

“Qe pesë vite merrem, viti i pestë nuk i ka pesë. Merrem me ushqime tradicionale, konservime. Me mbështetjen e institucioneve jemi të kënaqur, por jo boll, sepse nuk janë duke na mbështet boll qysh jemi duke punuar. Duhet të na përkrahin pak më shumë, sidomos komuna jonë duhet të na përkrahë pak më shumë”, ka thënë Avdullahu.

Pjesëmarrëse në këtë panair është edhe Xhiliana Noci nga Shkodra, e cila tha se këtë punë e ka të trashëguar nga familja dhe nga kjo punë jetojnë. Për Nocin, e cila merret me punime dore tradicionale, nuk është hera e parë që merr pjesë në këtë panair dhe është shumë e kënaqur me mirëpritjen.

Noci: Jetojmë nga kjo punë

“Unë e kam trashëgimi prej familjes, jam marrë qysh në moshën e re qysh 15- vjeçe me këtë punë edhe kam mësuar tërë familjen, nuset, fëmijët e vajzave. Jemi të gjithë që merremi me punë. Kjo punë nuk të lenë pa punë kurrë dhe trashëgimi e të parëve tonë, bëjmë mbulesa, shalle, çarçaf, çorape...”, tha Noci.

Në panair po marrin pjesë biznese të ndryshme që merren me punime artizanale, ushqime tradicionale, nga të gjitha trojet shqiptare. Panairi “Ditët e Diasporës 2017” do të jetë i hapur deri më 15 korrik. Ndërkaq më datën 14 korrik do të organizohet edhe projekti i ri “Sofra”, ku do të prezantohet muzika tradicionale shqiptare. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat