“Një popull nuk shkatërrohet derisa flet, mendon dhe ndien gjuhën e vet amtare”

Diaspora

“Një popull nuk shkatërrohet derisa flet, mendon dhe ndien gjuhën e vet amtare”

Nga: Rukie Rama Më: 17 korrik 2017 Në ora: 12:34
Fëmijët shqiptar në Bruksel

Kjo thënie është mëse e përshtatshme për të kujtuar cilindo prind që është larguar nga vendi i vet,i detyruar apo nga dëshira dhe që lind e rrit fëmijë në vend të huaj.Populli thotë që gjuha shkon aty ku dhëmb dhëmbi dhe është mëse e vërtetë. Sapo erdha në Belgjikë ,nga të qenurit mësuese e pasionuar pas zanatit , një detyrë që e desha me gjithë shpirt ,e pashë si domosdoshmëri që të angazhohem dhe këtu në vend të huaj për tu mësuar gjuhën tonë fëmijëve të shqiptarëve.

Kuptohet se nuk mund ta bëja vetëm, gjeta një gadishmëri tek vëllezërit e mi shqiptar të cilët kishin lënë vendet e tyre për arsye të ndryshme dhe që në vend të huaj u rrezikohej asimilimi i fëmijëve të tyre. Është fillimi i viteve 90  kur me të njejtin pasion fillova mësimdhënien duke u sjellë eksperiencën e punës time shumëvjeçare ,ndonëse hienat komuniste ma prenë në mes jetën ,më rrëzuan përtokë por nuk më gjunjëzuan ,u përpoqën të më injoronin por përkundrazi më shtuan vlerat dhe m’u shumëfishua ndjenja për arsimin falë ish-nxënësve të mi që më mbështetën edhe kur isha në burg.

Për mua këtu nuk kishte ngjyrë politike,ishte ndjenja e përgjegjësisë për tu mësuar gjuhën e dashur shqipe nxënësve të mi.Kam patur ëndërr të punoj me kolegë të mi ,mësues që nuk jetonin brenda  28 mijë km katror ,që përjetuam një ndarje të pameritë,por ndjenja e gjakut ,dashuria për vendin tonë ,ndjenja e respektit dhe të kryerit e detyrës sipas rilindasve na mobilizoi dhe hapëm shkolla kudo në Belgjikë.

Ky aktivitet i gjerë është pasqyruar në një libër ku janë cituar dhe shkollat ku unë dhashë mësim siç janë vitet e para të kësaj pune.Zenepe Ahmeti, Myrvete Hoti, Aziz Zekolli, Isuf Zenuni, Bislim Arifi, Ismet Çollaku dhe Bardhul Xhafa, mësues të vërtetë dhe të arsimuar për këtë profesion,të mbështetur nga intelektualë të atyre viteve që vunë në dispozicion gjithçka duhej për shkollën shqipe duke mundësuar lokalet, likujduar detyrimet, duke populluar shkollën me fëmijët e tyre dhe duke vënë në dispozicion dhe mjete transporti për aktivitete siç janë vëllezërit Islamaj që na shoqëruan në festivale të ndryshme.

Gjetëm një gadishmëri të veçantë nga një aktiviste, siç është rasti i Hyre Laçit e cila na ndihmoi duke plotësuar të gjithë dokumentacionet që na duheshin dhe duke e kërkuar deri në ministri të drejtën për mësimin e gjuhës amëtare .Janë aq shumë prind që sollën fëmijët e tyre në shkollën shqipe që nga 1994 deri më sot, saqë e kam të vështirë ti përmend të gjithë me emra por dua ti falenderoj përzemërsisht pasi falë tyre unë u pagëzova për herë të dytë me emrin mësuese.

Image

Gjëja më me vlerë për mua është dhe ngelet se këtu nuk pati ndarje territoriale.Disa nga mbiemrat e nxënësve të mi Shala, Krasniqi, Sheta, Kokaj, Gashi, Bytyci, Qerolle, Demiraj, Abdullahaj, Bekaj, Halilaj… e shumë të tjerë  sa shumë moral e krenari më dhanë ,sa ma shtuan jetën,sa me mall i kujtoj të gjithë.

Si mund të harroj dy motrat Haxhiaj apo Sefaj,apo  me dhjetëra nxënës të tjerë që ndonëse sot janë bërë prindër unë prekem para tyre, e sot ata kërkojnë të sjellin fëmijët e tyre në shkollat shqipe.

Një rast tjetër për tu vlerësuar është aktiviteti i shkollës shqipe në Saint Jose dhe grupi i vallëtarëve të kësaj shkolle ,këngëtarët e vegjël dhe tepër të apasionuar që me interpretimin e shkëlqyer të tyre entuziazmoi aq shumë burgmestrin e kësaj zone dhe deputetin Emir Kir saqë hyn në skenë dhe i takon të gjithë një për një këtë grup artistësh të vegjël.

Një tjetër krenari për mua është se m’u dha mundësia që tu mësoj dhe të huajve gjuhën tonë  të bukur .Jasna një vajzë e bukur mu prezantua para shumë vitesh duke mu lutur ti mësoja gjuhën shqipe.Më bëri kurioze dhe e pyeta pse kërkonte një gjë të tillë: Jam regjizore dhe dua të realizoj një film për luftën e Kosovës –  m’u përgjigj. Në të vërtetë ajo e realizoi filmin  « Dy Motrat »,ku trajtonte deminimin e kufirit dhe filmoi që nga Hasi deri  në shpellën e Zogademit në Sulbicë dhe punën që bëhej për deminimin e Kosovës. Sa krenare e ndjeva veten kur prezantohej dhe emri im aty si profesore e gjuhës shqipe për regjizoren.

Këtë krenari ma jep dhe Anabeli, një vajzë me origjinë spanjolle që e lidhi jetën me një shqiptar dhe që mësoi gjuhën shqipe me qëllim që kur të shkonte në Shqipëri të komunikonte shqip.Ka tre vjet që vazhdojmë mësimin e gjuhës shqipe në shkollën Franc Fisher, si rezultat i punës së Burim Demirit,këshilla ne komunën e Skarbegut.Unë jetova dhe atë sistem me të mirat dhe të këqijat e veta, që tani e etiketojmë siç na vjen për shtat.Jam dhe ngemlem me bindje që punonjësit që i shërbyen atij sistemi në ekzekutiv,që bënë  ç’është e mundur për të nxirë jetën e popullit të vet vetëm pse kishte një dokument partie në xhep, që nuk kishte asgjë në karakter, sot dalin me parullën që janë demokrat dhe nuk lënë gjë pa bërë për të realizuar planet e tyre të mbrapshta si militantë.

Në një arë mund të punojë cilido,mjafton të ketë forcë fizike te përdorë kazmën,në një pyll mund të  pres dru cilido ,mjafton të ketë sopatë, por para nxënësve duhet të jenë mësues profesionistë dhe jo militantë partiak.Dikur në sistemin e Hoxhës në organizime të ndryshme ishte dhe fronti demokratik.Aty përfshihej turma e tërë dhe merrte pjesë gjithsecili.Mjerisht kjo po manifestohet shpesh dhe në emër të arsimit këtu,ku po mblidhen instruktore partie, ish punonjës sigurimi,agjentë të fshehtë ,njerëz me diploma të blera  dhe soj e sorollop dhe po spekullojnë para nxënësve duke u prezantuar si mësues.

Është e drejta e secilit por si mësuese e vjetër dhe me 22 vjet eksperiencë në shkollat e Belgjikës ndjehem e fyer ta quaj veten palë me këtë soj njerëzish.Po përdor një fjalë të urtë që thotë : « Njeriut i duhen dy vjet që të mësojë të flasë dhe 60 vjet që të mësojë të heshtë ». Pra njeriu mund të heshtë pasi i madhi Shekspir thotë : « Njerëzit që kanë shumë për të thënë flasin pak ».

Një person që nuk ka dhënë mësim kurrë në jetën e tij, që nuk i është nënshtruar asnjëherë një provimi pedagogjie ,sot  pretendon që është mësues.Dante Aligeri thotë : « Ndiq rrugën tënde dhe lëre botën të flasë »

Nuk i uroj askuj të matet me hijen e mëngjesit dhe ti dalë për zot punës së huaj duke përfituar në qafa të veçanta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat