U mbajtën takimet Letrare “Festivali i Letërsisë dhe Ditët e Diasporës” në Podujevë

Diaspora

U mbajtën takimet Letrare “Festivali i Letërsisë dhe Ditët e Diasporës” në Podujevë

Nga: Zymer Mehani Më: 20 korrik 2017 Në ora: 23:48
Festivali i Letërsisë dhe Ditët e Diasporës

Sot më 20 korrik 2017, në Sallën e Kulturës në Podujevë OJQ PROKULT, me drejtor Mr. Fatmir Halimi, organizoi Takimin Letrar “Festivali i Poezisë dhe Ditët e Diasporës”, ku morën pjesë krijues nga tërë Shqipëria Natyrale dhe nga diaspora (afro 90 poetë).

Në këtë takim u bë promovimi i romanit “Dy vdekjet e një jete” të shkrimtarit Fatmir Halimi dhe pastaj vazhdoi me orën letrare, ku vargjet e tyre i lexuan afro 90 poetë nga e tërë Shqipëria Natyrale dhe nga diaspora!

Moderatore në këtë takim ishte Tringa Jetullahu, e cila vërtet ishte nlë nivel të detyrës.

Takimin e përshëndeti edhe veprimtarja nga Brukseli, Ermira Qerimi, me një mesazh të dërguar, ku ndër tjerash thuhej:

“Miq, Vllazen, Bashk'kombas, 
Tashm asht' ba nji tradit, festivali i poetve t'diaspores, organizume pergjiat' korrikut, nga shoqata PROKULT e Podujeves ne Kosov', qi padyshim asht' nji guxim i zanit t'ri per percjelljen e muzes poetike t'bilve tan' qi jetojn' larg kombit...

DIASPORA dhe trojet autoktone jan' gjymtyret e perbashkta t'trupit ton' kombtar t'cilat kurrnjiheri nuk munen me jetu pa njana tjetren dhe aq ma pak t'ecin n'vazhdimsin' e percjelljes se brezave pa njana tjetren.... 

Ju lutem,pra, percillni ne kte bashkngjitje fjalen pershendetse me rastin e aktivitetit t'guximshem dhe aq t'domosdoshem t'organizume prej shoqates PROKULT drejtume prej shkrimtarit Fatmir Halimi e poetit Zymer Mehani, me poetet dhe per poetet e diaspores ne diten tashm' tardicionale t'fetsivalit t'poeteve t'diaspores, sot me 20 Korrik 2017-te..
Padyshim ftesa e dergume nga miqt' tan' t'PROKULT, jasht' nji nder per na, dhe qi n'pamundsi per t'kenun t'pranishem po mundohena sadopak t'mushim kte boshllik me fjalen ton' pershendetse.

Ju urojm' veçse suksese dhe gjith'her' pertej muzes poetike duhet t'jena t'guximshem ne respektin reciprok t'fjales t'kena bashkpunime reciproke per kombin ton'!
E jueja Ermira.”

Me një fragment nga romani “Dy vdekjet e një jete” nga aktori Dibran Fylli nisi promovimi i librit.

Një pjesë nga romani e deklamoi bukur edhe e bija e shkrimtarit  Halimi, Saranda Halimi.

Për romanin “Dy vdekjet e një jete” referuan Merita Januzi, Zymer Mehani dhe Milazim Kadriu.

Referuesi Zymer Mehani, ndër të tjerash tha “Romani “Dy vdekjet e një jete” i shkrimtarit Fatmir Halimi kryekëput është roman i tipit postmodern. Romani përmban gjithçka lokale, por edhe universale, prandaj i ndërtuar si i tillë, paraqet një sintezë mjaft të çuditshme të formantit bashkëkohor të artit letrar përgjithësisht, e në veçanti të prozës postmoderne. Proza e Halimit përshkohet me fuqi kozmike dhe me dimensionin kozmopolit. Kësaj proze i jep hijeshi magjia e fjalës së matur. Atë e ushqen forca sugjestive e fjalës, ngase nëpër të depërton fluidi filantropik dhe ideja për forcën e besimit ndaj të mirave njerëzore, siç janë edhe liria dhe dashuria, por edhe qëndresa dhe mospërulja ndaj situatave të rënda, në të cilat mund të gjendemi në jetë. Mbi të gjitha, në prozën e Halimit peshon a rëndon tema për një dashuri me të gjitha specifikat dhe fshehtësitë e pazbuluara tërësisht, dashuri kjo përplot vuajtje, krajata e peripeci. Në të gjitha fonemat, morfemat, leksemat, stilemat dhe semantemat reflekton vetëm dashuria dhe kënga a himni për dashurinë ideale. Kjë është një dashuri e zjarrtë, plot sinqeritet, por në fund e ndërprerë pamëshirshëm dhe padrejtësisht. Pra, rrethanat qenë asofare që protagonisti i romanit, Astriti të ketë dy dashuri: e para tejet e madhe, madje që peshon më rënd se tërë planetët, dashuri mbi çdo dashuri tjetër-ATDHEU dhe çlirimi i tij; dhe tjetra dashuri, e gjerë sa deti, sa qielli e Gjithësia, dashuria ndaj femrës, ndaj Valberës së bukur.”

Referuesja, Merita Januzi konstatoi “

”Gjatë betejës së Koshares ai nuk paska vdekur, por në varrin e tij gabimisht kanë varrosur një ushtar të panjohur që nga familjarët ndoshta llogaritet si i zhdukur”,- citat nga romani. 

Kjo vdekje ishte vdekja e parë e pesonazhit, Astrit Gashi, ndërkaq e dyta dhe e vërteta, vjen si pasojë e plagës së pashëruar, të cilën e kishte marrë në betejen e Kosharës. Romani “Dy vdekjet e një jete” është një sprovë e kaluar me sukses nga shkrimtari Fatmir Halimi. Ky roman ka për motiv periudhën e luftës së fundit në Kosovë dhe pasojat e saj, të cilat transmetohen nëpërmjet fateve të dy personazheve kryesoresi: Astritit dheValberës, dy të dashuruar marrëzisht që i ndau lufta.

Plagët e luftës dhe ato të dashurisë, lidhen mjeshtërisht brenda narracionit e që lexuesin/ dëshmitar të luftës,  e kthen në përjetimet e dhembshme të eksodit biblik, të krimeve e gjenocidit që iu bë shqiptarëve nga pushteti ushtarako-policor i Millosheviqit, ndërkaq brezave të tjerë, vendas e të huaj, u tregon ç`përjetoi ky popull. Krahas kësaj, reflektohet edhe mbi fatin e të pagjeturve, por edhe ballafaqimin e luftëtarëve me shtresën e njerëzve burokratë që aq lehtë i gëzuan privilegjet e jetës. Fundi tragjik dhe dhënia e besës për t`u bashkuar në botën tjetër, japin kulmin e dhembjes dhe emocionit që e përshkon romani.

Gjuha e figurshme, struktura dhe rrjedha e rrëfimit për luftëtarin artist, citatet, lajmet e shkëputura nga radio, tv dhe gazetat, këtij romani i japin gjyrime postmoderne.

“Dy vdekjet e një jete” është një Roman i strukturuar dhe i ndërtuar mbi kategoritë stilistike postmoderne,  i cili lexuesin e mban pezull deri në faqen e fundit të tij”.

Ndërsa Milazim Kadriu përfundoi “Në romanin “Dy vdekjet e një jete“ rrëfehet historia e dashurisë së Astritit dhe Valberës ku mishërohen të gjitha vuajtjet e dashurisë për njëri tjetrin.

Halimi në rrëfimin e tij na ka sjellë një dashuri të sinqertë të dy të rinjve por që ajo dashuri për shkak të rrethanave të atëhershme ndërpritet në mes të rrugës.

Astriti pati dy dashuri të cilat e mbanin në jetë dashuria që ta çliroj atdheun nga armiku dhe pastaj në liri të kurorëzoj dashurinë me Valberën.

Në roman rrëfehen edhe shumë ngjarje tjera si aktivitetet e grupeve ilegale që vepruan në trasimin e rrugës për lirinë e Kosovës, lufta e lavdishme e UÇK-së, largimi i popullatës nga trojet e veta si dhe plaga  që e rëndon edhe sot e kësaj dite  shoqërinë tonë, çështja e të zhdukurve, si dhe rrëfimet për jetën e pasluftës.

Fundi i romanit është mjaft tragjik ku Astriti posa fillon të adaptohet në jetë dhe të merr veten i vjen vdekja e vërtetë  dhe në momentin e fundit pranë tij gjenden të gjithë ata që ai  deshi ti ketë pranë. Janë shumë prekëse fjalët që ia thotë  Burimit që ai të kujdeset për Valberën në këtë jetë por nëse ka jetë në atë botë Valbera do të jetë e imja. Ndërsa Valberës i thotë se unë edhe pse po i përjetojë dy vdekje të kësaj jete në botën tjetër do të jesh e imja përgjithmonë.”

Në orën e madhe letrare lexuan poezi afro 90 poetë. Prej tyre u shpërblyen tre poetë me çmime.

Juria e përbërë nga Zymer Mehani, kryetar , Elhame Gjyrevci anëtare, Rami Kamberi, anëtar vlerësoi:

Çmimi III për poetin Shaban Pllana nga Podujeva;

Çmimi II për poeten Mevlyde Myezini-Saraçi nga Gjakova;

Çmimi I për poetin Nikolla LOKA nga Tirana.

Me një koktej  të organizuar nga nikoqiri OJQ PROKULT, ky manifestim me kaq u përmbyll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat