40 të rinj pjesëmarrës në kampin veror të diasporës

Diaspora

40 të rinj pjesëmarrës në kampin veror të diasporës

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 14:38
Në këtë kamp verorë po marrin pjesë 40 pjesëmarrës të moshave 14 deri në 17 vjeç nga diaspora, Shqipëria dhe Kosova.

Është bërë hapja e kampit verore me të rinjtë nga diaspora, Kosova dhe Shqipëria, organizim ky i Ministrisë së Diasporës dhe OJQ “Toka”. Në këtë kamp verorë po marrin pjesë 40 pjesëmarrës të moshave 14 deri në 17 vjeç nga diaspora, Shqipëria dhe Kosova.

Në hapjen e kampit veror për të rinjtë nga diaspora ishte edhe Ministri në largim i Diasporës, Valon Murati, i cili tha se ky kamp është në vazhdën e politikave të ministrisë për të ofruar të rinjtë e diasporës me atdheun.

Murati: Po ofrojmë të rinjtë me atdheun

“Kampi që sot fillon dhe do të përfundoj më 28 korrik është në vazhdën  politikave të ministrisë për të ofruar të rinjtë, fëmijët dhe nxënësit nga diaspora me atdheun, për t’i njohur me bashkëmoshatarët e vetë nga Kosova, nga Shqipëria në mënyrë që çfarë do barriere që mund të krijohet për shkak të largësisë për shkak të rritjes në ambiente të ndryshme të filloj të shuhet. Ministria e Diasporës në vazhdimësi organizon aktivitete të tilla dhe ne do të bëjmë përpjekje që këto aktivitete në të ardhmen t’i rrisim, t’i intensifikojmë sepse i konsiderojmë jashtëzakonisht mekanizma dhe instrumente të dobishme për të afruar të rinjtë me diasporën”, tha ai.

Murati tha se kjo është në funksion të përpjekjeve të tyre për ta ruajtur identitetin kombëtarë të të rinjve të diasporës, por edhe për të ofruar sa më shumë të rinjtë me Kosovën.

Ndërsa, drejtoresha e OJQ-së “Toka”, Jehona Gjurgjeala, tha se ky është viti i dytë i këtij organizimi, ku edhe këtë vit qëllimi i kampit është krijimi i raporteve sa më të shumta në mes të të rinjve prej diasporës, Kosovës dhe rajonit.

Ajo bëri të ditur se janë 40 pjesëmarrës të cilët do t’i kalojnë pesë ditë në këtë kamp, ku për këto ditë këta pjesëmarrës do të vizitojnë qytete të ndryshme të Kosovës.

Image

Gjurgjeala: Do të shkojmë në parkun e mbyllur Blinaja

“Më e bukura e kampit është ajo që krijohet prej vetë pjesëmarrësve, veç e shihni pas meje që po shoqërohen, po bisedojnë dhe po lidhen qysh tani. Ndërsa, pjesën tjetër të programit që e organizojmë ne janë disa ekskursione që thash e ofrojmë më të mirën e Kosovës, do të shkojmë në parkun e mbyllur Blinaja i cili është afër Aeroportit të Prishtinës, të cilin shumë pak edhe në Kosovë e njohin, është vërtetë një përvojë e veçantë. Do të kemi një vizitë dhe një darkë tradicionale në muzeun tonë etnologjik në Prishtinë, pastaj do të shkojmë në ujëvarën e Mirushës ku do ta bëjmë një ngjitje me ekipin alpin profesionist. Për fund e kemi Florent Abrashin i cili e ka fituar The Voice of Albania, i cili do ta mbajë një koncert”, tha ajo.

Linda Shala, është një nga 40 pjesëmarrësit e këtij kampi. Ajo jeton në Norvegji dhe ka ardhur në këtë kamp për të mësuar më shumë për historinë e Kosovës.

Shala: Të mësoj më shumë për Kosovën

“Se mu ka dok si një organizatë shumë e mirë, me u njoftua me fëmijët shqiptarë se nuk njoh shumë njerëz edhe kam dëshirë të bëjë aktivitete në natyrë. Po më duket që kam me mësua për disa vende të reja, pak për historinë e Kosovës”, tha ajo.

Ndërsa, për herë të dytë do të vijojË këtë kamp Blerta Osmani nga Mitrovica, e cila thotë se duke u bazuar në herën e kaluar ka pritshmëri të larta për këtë kamp.

Image

Osmani: Është hera e dytë që marrë pjesë në kampin Toka

“Është hera e dytë që marrë pjesë në kampin Toka, përkatësisht kampin diaspora dhe arsyeja se pse kam vendos me u kthye është se ka qenë eksperiencë e paharruar, kemi vizituar shumë vende, bukuri natyrore dhe më ka lënë shumë mbresa të mira dhe kom vendos që ja vlen me u rikthye përsëri me ardh në këtë kamp, kam takuar njerëz të ri dhe ka qenë e eksperiencë e paharruar. Kam pritshmëri të larta besoj se ka me më ndihmua që me taku më shumë moshatarë të mijë prej vendeve tjera me pa ide të ndryshme, karaktere të ndryshme thjeshtë me u zhvillua si person, si individ”, tha ajo.

E edhe Florent Mehmeti nga Komuna e Prishtinës, për shkak të eksperiencës nga viti i kaluar ka vendosur të jetë pjesëmarrës edhe këtë vit.

Mehmeti: Vitin e kaluar kam kaluar shumë mirë

“Vitin e kaluar kam kaluar shumë mirë, pasi që kam takuar njerëz nga diaspora dhe arsyeja se pse kam ardhur edhe këtë vit dëshiroj ti takoj prapë edhe njerëz të rinj, me mësua kulturat e Kosovës më shumë. Këtë vit pres me takua njerëz më shumë prej shteteve të tjera, jo vetëm të Kosovës por edhe prej diasporës”, tha ai.

Kampi verorë me të rinjtë nga diaspora organizohet në qendrën rekreative “Gërmia” i cili që nga dita e sotme do të zgjasë deri me 28 korrik.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat