Për mërgimtarët shteti duhet të bëjë më shumë

Diaspora

Për mërgimtarët shteti duhet të bëjë më shumë

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 13:01
Ministria e Diasporës me rastin e ardhjes së mërgimtarëve ka organizuar një varg aktivitetesh nëpër komunat e Kosovës

Pritjet e gjata në kufi, mos zgjidhja e çështjes së kartonit të gjelbër, mos organizimi jo i duhur për të iu uruar mirë se ardhje mërgimtarëve po shihen si disa nga problemet që po i shoqërojnë bashkatdhetarët që kanë zgjedhur të vizitojnë Kosovën gjatë sezonit të verës.

Ministria e Diasporës me rastin e ardhjes së mërgimtarëve  ka organizuar një varg aktivitetesh nëpër komunat e Kosovës.

 Panairi tradicional me punime artizanale, veshje kombëtare, ushqime tradicionale, koncerte, sofra me muzikë popullore, vizita të  monumenteve të trashëgimisë kulturore, orë letrare, festivalet për filma dhe muzikë si  “Pri Film Fest”, dhe “Into the Park Festival 2017” janë disa nga aktivitetet që ka organizuar Ministria e Diasporës për mërgimtarët.

 Por këto aktivitete nuk janë të mjaftueshme për Jahja Llukën që është kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur.

 Mos zgjidhja e kartonit të gjelbër dhe pritjet e gjata në kufi Lluka i sheh si disa ndër telashet e mëdha që ballafaqohet diaspora gjatë vizitës së tyre në Kosovë.

 Lluka: Kartoni i gjelbër problem për bashkatdhetarët

  “Po me siguri që nuk është e mjaftueshme, ardhja e mërgimtarëve ka shumë probleme fillimisht duke hyr në Kosovë dihet tashmë çështja e kartonit të gjelbër i cili është i pazgjidhshëm për shumë mërgimtarë, pritjet e gjata në kufi për çka nuk është bërë asgjë me gjithë premtimin që do të bëhet pagesa online e disa premtime tjera të cilat besoj që me mandatarin e ri do të zgjidhen shumë shpejt. Kartoni i gjelbër mund të zgjidhet shumë shpejt me ndërmjetësimin e ndonjë shteti mik ose të Shqipërisë ose të rajonit, këtu normalisht nuk po mendoj të Serbisë”,  tha Lluka.

 Sipas Llukës Ministria e Diasporës në bashkëpunim me komunat e Kosovës duhet të zgjas orarin e punës nëpër administrata gjatë këtyre ditëve kur mërgimtarët kanë nevojë për rregullimin e ndonjë dokumenti me qëllim që ata mos të presin gjatë në radhë.

 Lluka: Duhet të rritet orari i punës nëpër administratat komunale

“Orari i administratës nëpër komuna duhet të jetë më i lartë, njerëzit që vijnë këtu mos të kenë peripeci të presin në radhë për një dokument meqenëse edhe na vetë po kemi kaniher mundësi që të presim në radhë, mirëpo ata vijnë për një pushim të shkurtë dhe t’i trajtojmë ashtu siç e meritojnë ata sepse e kanë dhënë kontributin e vet, shpesh herë na po dimë edhe t’i ofendojmë për arsye se po na duken se ata vijnë me makina të mira normalisht edhe vijnë për një kohë të shkurtë edhe nuk po i trajtojmë ashtu siç duhet por edhe me disa ofendime të pa nevojshme”, ka shtuar më tej Lluka.

Sipas tij nuk mjafton organizmi i një koncerti apo ndonjë aktiviteti të ngjashëm për mikpritje meritore për bashkatdhetarët tanë.

Lluka tha se Ministria e Diasporës me qëllim të njoftimit të të rinjve që jetojnë në  diasporë me Kosovën dhe trojet shqiptare duhet të organizoj paketa turistike, ekskursione nëpër vende të ndryshme si dhe të organizohet mësimi plotësues në vendet ku ata jetojnë.

 Mirëpo mërgimtarët që po e vizitojnë Kosovën gjatë kësaj vere janë shprehur të kënaqur në përgjithësi.

 Bashkatdhetari, Albert Basha i cili jeton në Belgjikë thotë se çdo vit po bëhet  më mirë në vendlindjen e tij. Sidomos ai ka lavdëruar punën që po e bën qeverisja e Prishtinës.

 Basha: Shumë më mirë se çdo vit

“Shumë mirë, çdo vjet është ma mirë ndoshta edhe kryetari i ka marr punët ma seriozisht po punon, kesh në komunë i ndreqa do letra, shumë ma mirë se përpara ishalla shumë ma mirë.....mbrëmë  kam qenë këtu kam pa diçka filma me metrazh të shkurt diçka kom përcjell aty dhe shumë në rregull”, tha Basha.

 Festa Camaj e cila po ashtu jeton jashtë vendit tha për KosovaPress se janë të kënaqur me mikpritjen që u bëhet. 

Por ajo tha se më shumë i  përkushtohet familjes dhe se  nuk merret me aktivitetet që organizohen për mirëseardhjen e tyre.

Camaj: Jemi të kënaqur me mikpritjen

“Për mikpritje gjithmonë jemi të kënaqur këtu në Kosovë, aktivitete s’bajmë diqka kshtu....jo me ato s’jemi në dijeni çka ka organizu se kur vijmë këtu zakonisht kalojmë kohën me familjarë“, tha ajo.

 

Ajet Sumaj, bashkatdhetar nga Franca, ka thënë se Kosova po ndërtohet, dhe po zhvillohet çdo ditë e më shumë.

 Sumaj: Kosova dhe Shqipëria kanë shumë talentë

“Ka shumë ndryshime në Kosovë, i kanë rregulluar rrugët, është ndërtuar shumë. Kur kam ardh pas 3 viteve në Fushë Kosovë nuk më besohej se sa e bukur ishte bërë Fushë  Kosova, për vetëm 3 vjet. Ka aktivitete mirëpo, kemi nevojë për më shumë. Kosova ka shumë talente në lëmi të ndryshme prandaj kemi nevojë për më shumë aktivitete ku ata të shfaqin talentet e tyre”, tha Sumaj.

 Fjalë të mira ka edhe Lindon Hashani që jeton në Belgjikë por që sipas tij politika po e pengon vendin që të zhvillohet

 Hashani: Politika e keqe po e pengon vendin të zhvillohet

 “Kosova është zhvilluar shumë dhe ka pësuar ndryshime shumë, mirëpo me këtë politikë e ka të vështirë”, tha Hashani.

 Përveç aktiviteteve që u përmendën më lart Ministria e Diasporës ka hapur edhe kampin veror ku marrin pjesë të rinj nga diaspora, dhe trojet shqiptare./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat