Murati: Bashkatdhetarët po e lartësojnë Kosovën

Diaspora

Murati: Bashkatdhetarët po e lartësojnë Kosovën

Më: 1 gusht 2017 Në ora: 21:45
Ministri i Diasporës, Valon Murati

Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nën patronatin e Ministrisë së Diasporës, sonte u mbajt manifestimi tradicional “Dita e Diasporës”, në të cilin morën pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve.

Manifestimi filloi me homazhe te varrezat e familjes Jashari, ndërsa fjalën hyrëse e pati ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili vlerësoi lart punën e ndershme të mërgimtarëve. Ai tha se një ngjarje si Epopeja e Jasharëve, rënia e një familjeje, ishte bërë shembull në Evropën e gjysmës së dytë të shekullit 20-të dhe ka shënuar ngritjen e popullit shqiptar.

Murati shtoi se mblidhen në Prekaz për të lidhur diasporën me vendlindjen.

Murati: Ne mblidhemi për të çimentuar lidhjen e diasporës me vendlindjen

"Të dashur bashkatdhetarë, ju vet keni qenë pjesë e pandashme e urës për lirinë e atdheut. Tërë jeta juaj ka qenë në shërbim të lobingut politik, të ndihmave financiare, të ndihmave logjistike dhe në fund, edhe në pjesëmarrjen fizike të luftës çlirimtare. Pa punën tuaj, liria do të ishte shumë vështirë e arritshme. Andaj në respekt të angazhimit tuaj dhe të lidhjes që e kemi me lirinë e Kosovës, ne mblidhemi çdo vit këtu për të shënuar ditët e mërgimtarëve edhe në Prekaz, si simbol i sakrificës së përbashkët për të çimentuar lidhjen e diasporës me vendlindjen", tha ai.

Ministri Murati shtoi se bashkatdhetarët me të drejt janë kritikë, pasi që ata dëshirojnë një atdhe të zhvilluar. Ai theksoi se bashkatdhetarët sjellin në Kosovë çdo vit 1.5 miliardë euro.

Përfaqësues i familjes Jashari, Rifat Jashari, falënderoi të pranishmit, e posaçërisht bashkatdhetarët që sipas tij nuk i lanë asnjëherë vetëm.

Image
Përfaqësues i familjes Jashari, Rifat Jashari

Jashari: Bijtë dhe bijat tona më të mira derdhën gjakun për lirinë

"Mire se keni ardhur të gjithë. Ju faleminderit që keni gjetur kohë që sonte sadopak t'i harrojmë brengat tona dhe dhimbjet tona për bijtë dhe bijat më të mira të kombit tonë shqiptar, që derdhën gjakun e njomë për lirinë të cilën e gëzojmë ne sot dhe për të cilën jemi bashku dhe jemi sot këtu", është shprehur Jashari përderisa ka shprehur mirënjohje që populli shqiptar iu qëndroi gjithmonë pranë.

Manifestimi u mbyll nën  tingujt e grupit muzikor vokal “Kvali” nga Sllovenia, i udhëhequr nga muzikologia Alma Bejtullahu, ikona e muzikës së vjetër qytetare Nezafete Shala & grupi muzikor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat