Në Prekaz u mbajt manifestimi “Dita e Diasporës”

Diaspora

Në Prekaz u mbajt manifestimi “Dita e Diasporës”

Nga: Bota Sot Më: 2 gusht 2017 Në ora: 10:03
Pamje nga manifestimi

Mbrëmë, në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nën patronazhin e Ministrisë së Diasporës u mbajt manifestimi tashmë tradicional “Dita e Diasporës”.

Manifestimi, siç njoftn MD, filloi me homazhet në varrezat e familjes Jashari, me moton “Një lule për Jasharët”, përcjell Bota sot.

Më pas, para një numri të madh të bashkatdhetarëve dhe mysafirëve të tjerë, ministri i Diasporës, Valon Murati, mbajti një fjalë rasti.

 “Ju keni qenë pjesë e pandashme e rrugës për lirinë e atdheut. Pa punën tuaj, liria do të ishte shumë më vështirë e arritshme. Andaj, duke respektuar angazhimin tuaj dhe lidhjen që keni me lirinë e Kosovën, mblidhemi çdo vit për të shënuar ditët e mërgimtarëve edhe në Prekaz, si simbol i sakrificës së përbashkët.  Me punën tuaj të ndershme, me angazhimin tuaj në jetën politike, ekonomike, kulturore, arsimore e sportive të vendeve ku jetoni, po e lartësoni kombin shqiptar, shtetin e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare. Po i krijoni atdheut tuaj lidhje të rëndësishme në të gjitha sferat e jetës”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Aktiviteti qendror vazhdoi me programin kulturor, përgatitur nga grupi mjaft i suksesshëm shqiptaro-slloven “Kvali” nga Sllovenia, i udhëhequr nga muzikologia Alma Bejtullahu. Ky grup këndoi këngë të bukura shqipe. Vlerën këtij koncerti ia shtoi edhe ikona e muzikës qytetare shqiptare Nezafete Shala, e cila për të pranishmit këndoi këngë të vjetra shqipe.

Në këtë koncert u shqua për zërin e tij karakteristik edhe Alban Spahiu, një fëmijë shumë i talentuar nga diaspora, cili këndoi këngë për Adem Jasharin dhe për mërgimtarët./BS 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat