Aktivitetet e kryetarit të degës të LDK-së të Beneluksit në Kosovë

Diaspora

Aktivitetet e kryetarit të degës të LDK-së të Beneluksit në Kosovë

Nga: IDRIZ ZEQIRAJ Më: 1 shtator 2017 Në ora: 13:53
Nga e majta: Brahim Avdyli, Idriz Zeqiraj, Bahtir Kastrati, Xhafer Murtezi, stërnipi i Mursel Ahmet Delisë

Dega e LDK-së në Beneluks, përveç veprimtarive në Mërgatë, vazhdon aktivitetet e organizuara edhe në Kosovë. Kryetari i Degës, Bahtir Kastrati, i shoqëruar edhe nga veprimtarë të tjerë nga Zvicra e Gjermania, përkatësisht Xhevat Rexhaj e Idriz Zeqiraj si dhe moderatori i njohur i Radiao-Forntanës, me seli në Istog, Zeqir Mehmetaj, vizituan kullat historike të Drenicës.

Koordinimin për vizitat në qendrat e rezistencës në Drenicë, e bëri drejtori i Arsimit të Komunës të Skënderajt, në epokën e Dr.Ibrahim Rugovës, Xhafer Murtezi, së bashku me Profesor Brahim Avdylin me shokë. Këtij aktiviteti iu bashkuan edhe kryetari i LDK-së në Klinë, Fadil Gashi me bashkëpunëtorët e tij.

Vizita e parë u bë në fshatin Aqarevë, në kullën e ushtarit të djeshëm të UÇK-së dhe dëshmorit të sotëm, Ismet Rrahmanit, i vrarë në gusht të vitit 1998. Kjo kullë është një investim i qeverisë Mustafa, në respekt e nderim për luftëtarin e përkushtuar, për lirinë e Kosovës. Ismet Rrahmani ishte drejtor i Shkollës fillore në Aqarevë, emrin e të cilit, sot, e mban, krenarisht, shkolla e këtij fshati.

Image
Oda e Pritjes në Kullën e Ismet Rrahmanit

Kulla e dëshmorit Ismet Rrahmani, është një kullë tipike drenicase, e ngritur në truallin familjar, e punuar mjeshtërisht, e kompletuar, si një kompleks memorial, përkujtimor. Në një kënd të këtij kompleksi, ësht ngritur një pllakë madhore, me fotografi dhe mbishkrimin për dëshmorin. Përballë kësaj pllake, qëndron një pllakë e thjeshtë drusore, në vend-vrasjen, me emrin e mbiemrin dhe datën e rënies.

Ke dera e kompleksit përkujtimor na priti vëllai i dëshmorit, Ramush Rrahmani, arsimtar vendor dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ai foli për angazhimin në luftë të familjes Rrahmani dhe vrasjen e Ismetit, duke treguar edhe vend-vrasjen. Ai rrëfeu edhe për ngritjen e kullës, duke e falenderuar qeverinë e Isa Mustafës, njëherit edhe kryetar i LDK-së, për këtë vepër, e cila përjetëson vëllain tonë dëshmor.

Përmes shkallëve të jashtme të kullës, vizituam Odën e Pritjes, e ilustruar, në katër anësoret e mureve, me eksponate fotografish. Përzgjedhja e fotografive është mirë e studjuar, të ndara në periudha historike, që nga Skënderbeu, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, rezistenca kombëtare kundra-komuniste dhe deri ke lufta e fundit në Kosovë. 

Kuadri arsimor Xhafer Murtezi dhe Profesor Bahim Avdyli, folën për idenë dhe realizimin e ngritjes të kësaj kulle dhe të kompleksit përkujtimor. Një rol të veçantë, përveç familjes Rrahmani, ka pasur edhe Xhafer Murtezi, i cili, në gjallje të Ismetit, kanë qenë kolegë, bashkëpunëtorë të suksesshëm, në kushte të rënda të pushtetit serbo-sllav. 

"Qeveria e Kosovës, në kuadrin e e ruajtjes të pasurive kulturore dhe historike, në trevën e Drenicës, nën përkujdesjen direkte të ministrit Kujtim Shala, ka investuar ndërtimin edhe të kësaj kulle",- thotë njeriu i mirë, Xhafer Murtezi. 

Për punën e madhe dhe shumë profesionale, të bërë nga familja e nderuar Rrahmani, folën me respekt e konsideratë të veçantë mysafirët e pranishëm, të cilët bënë shumë shkrepje të aparateve, në veçanti, moderatori i Radio-Fontanës, Zeqir Mehmetaj, i cili i bie kryq e tërthuar të gjithë etnikumit shqiptar, pra, atje ku frymojnë shqiptarët, në Ballkanin barut-gadi.

Image
Kompleksi përkujtimor i Familjes Jashari, në Prekaz

Prej andej, pikësynimi i delegacionit tonë ishte Prekazi, ansambli hapsinor, ku prehen anëtarët numerikë të familjes Jashari, të renditur përballë kullës të plakut trim e fisnik, Shaban Jasharit, i rënë dëshmor për lirinë e Kosovës.

Pelegrinazhi në këtë ansambël memorial është i çdoditshëm, por stina verore shquhet për shumësinë e vizitorëve, falë mërgimtarëve tanë të bollshëm. Vërtet, projekti i ansamblit përkujtimor, kushtuar luftëtarëve dhe viktimave të familjes Jashari, në Prekaz, është gjetje e mirë dhe i realizuar për mrekulli.

Përkundrazi, kjo nuk ka ndodhur në Skënderaj, ku është ngritur e vetmuar shtatorja e Adem Jasharit. Të kuptohemi, shtatorja-skulpturë e punuar nga kryemjeshtri gjithëshqiptar, akademik Muntaz Dhrami është realizuar shkëlqyeshëm. 

Por, porosia që kjo shtatore të bëhet e vetmuar, e ndarë nga vëllai lindak dhe bashkëluftëtari i pandarë, Hamëz Jashari, është vendim politik dhe diabolik, djallëzor. Dhe, ky vendim është qendror dhe assesi lokal, komunal.

Të ndashë Hamzën nga Ademi, është jo vetëm idiotizëm i shkallës sipërore, por edhe akt kriminal dhe shumë armiqësor, karshi familjes të nderuar Jashari. 

Hamëz Jashari njihet për shkollim të mesëm, për pjekuri dhe maturi admiruese. Ademi kishte një karakter më ekspresiv, kishte bërë edhe stervitje njëmujore ushtarake, në Surel të Tiranës. Përndryshe, nga bashkëluftëtarët konfirmohet se ishin gjithnjë bashkë dhe të pandarë me Hamzën.

Rrjedhimisht, Adem Jashari nuk ka hedhur asnjë pushkë, asnjë plumb më shumë se sa vëllai i tij Hamza. Dhe, po të mos ishte së bashku me Hamzën, Ademi nuk mund të ishte ai që sot vlerësohet. Pra, nuk do të shquhej nga dëshmorët tjerë të lirisë. Andaj, pse duhej ndarë e trajtuar veçmas Ademin nga Hamza?!

Skulptorin e Popullit, Muntaz Dhramin e kam njohur në vitet '70, kur isha student në Universitetin e Tiranës. Nusja Lumnije e tij ose teta Lume, siç e thërras unë, një piktore e talentuar, ishte tezake e tri nuseve të djemëve të Kosovës, dy syrësh vuajtën burgun e gjatë politik. 

Pozita politike e Profesor Dhramit, u vu në dyshim e përgjim të Sigurimit, Partisë. Por, skulpturat për Enver Hoxhën, ishte mburoja e tij. 

Studio e Muntaz Dhramit, e Kristaq Ramës dhe e ndoca skulptorëve të tjerë, ishin përballë banesës time. E kam parë nismën e shtatorës të Ademit në bocetë. 

Në udhëtimet, nga Tirana në Skënderaj, për të parë lokacionin për shtatoren dhe takimet që kishte me kryetarin e atëhershëm të komunës, Ramadan Gashi, e shoqëronte nipi im, Ismet Rexhaj. Për fjetje ndalonte në familjen tonë, në Banjë të Istogut. E pyeta, pse duhet ndarë Ademi nga Hamza? "Nuk e di, unë kam porosi vetëm për shtatorën e Ademit", - u përgjegj skulptori Dhrami.

Nuk ka asnjë dyshim se ndarja e dy vëllezërve të barazvlershëm, është thellësisht politike, me qëllim të goditjes të dikujt tjetër. Mendje-shkurtët, mendje-mushkët, dështuan në qëllimin që kishin, sepse mendësia moniste-staliniste e tyre, pësoi fiasko, përgjakshëm e turpshëm. Prandaj, historia nuk mund të falsifikohet, ashtu siç ndodhi në Shqipërinë tonë, për afro gjysmë-shekulli.

Është detyrë e Familjes Jashari, ta korrigjojë krimin, tashmë, të bërë nga stalinistët e dhunshëm në pushtet, mjerisht, bijtë bastard të Drenicës, të cilët, në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë Drenicën heroike, këtë kështjellë kombëtare të Shqiptarisë. 

Është kjo pjellë shëmtake e UDB-së dhe e Sigurimit të Enver Hoxhës, të strehuar në LPK-në, degëzimin armiqësor, kundër Lëvizjes të Jusuf Gërvallës, që goditi familjet e mëdha nacionaliste në Drenicë dhe gjetkë në Kosovë.

Dhe, hapi i parë që duhet të bëjë familja Jashari, është bashkimi në bronz të vëllezëve Jashari: Hamzës dhe Ademit, në sheshin e Skënderajt si dhe të gjitha emërtimeve, me emrin e Ademit, t'i bashkohet edhe emri i Hamzës.

Me këtë rast, duhet të bëhen edhe korrigjime tjera emërtuese, që janë anakronike, paradoksale e skandaloze, që vetëm mendja idioteske e rrugaçërore e pushtetarëve injorantë, fodullë e kriminelë, mund t'i imaxhinojë e sakatojë!!

Image
Pllaka përkujtimore për viktimat e SHIK-ut në Skënderaj

Buzë rrugës kryesore në Skënderaj, është ngritur një permendore e përbashkët, për dëshmorët-viktima të dorës së zezë, SHIK-ut, me fotografitë, emrat dhe datimet e lindjes dhe të ekzekutimeve. 

Të gjithë të ekzekutuar në pusira, në prita, ditën për diell dhe natën në errësirë: Bekim Kastrati, Besim dajaku, Haki Imeri, Xhafer Behrami, me djalin e tij, Baki Behrami, Azem Ahmeti, veprimtarë të LDK-së të Ibrahim Rugovës. Pothuajse, të gjithë janë pinjollë të familjeve të njohura nacionaliste, kombëtare si të Shaban Polluzhës, Ahmet Delisë dhe të atdhetarëve tjerë.

Në Prekaz delegacioni vizitoi kullën e Nebih dhe Tahir Mehës, ku, babë e bir, në vitin 1981, bënë rezistencën e armatosur kundër forcave policore serbo-sllave, të cilët sulmuan shtëpinë-kullë të Mehajve. Me këtë rast, sipas informimit zyrtar, u vranë, të paktën 4 (katër) policë dhe u plagosën disa të tjerë. Në mungesë të municionit, mbetën të vrarë edhe Nebih e Tahir Meha.

Qeveria e Kosovës vendosi ngritjen, rishatzi, të kullës së Mehajve, si dëshmi e rezistencës ndër shekuj të brezave shqiptarë, për ta "ruajtur pragun e shtëpisë", siç dha kushtrimin Presidenti Rugova, në vjeshtën e vitit 1997, në prag-luftën e Kosovës. Kjo kullë ruan të gjitha elementet e kullës së moçme të rrënuar.

Në rrugën për ke Kulla e Ahmet Delisë, ndaluam tek pllaka përkujtimore, e ngritur buzë rrugës. Prapa saj, kulla e rrënuar, por murët janë ruajtur. Më 25 dhjetor 1912, kur meshkujt kishin shkuar në xhami, për të falur Bajramin, bandat çetnike serbe kishin hyrë në shtëpi, për të grabitur e tmerruar familjen, të mbetur në gra dhe fëmijë. 

Britma e grave dhe fëmijëve, ishin dëgjuar deri ke Kulla e Ahmet Delisë. Dhe, me sopata mjete tjera rrethanore, Ahmet Delija me të birin Murselin, Ramë Islamin me të birin Jetullahun, u ndeshën dhe u përgjakën me bandat çetnike, për ta mbrojtur nderin e Shqiptarisë.

Në Galicë, pikërisht, në vend Kullën e Azem Bejtës, është ngritur kulla e re, duke ruajtur tiparet e kullës së moçme. Në oborrin e Kullës është ngritur edhe Pllaka Përkujtimore, me emrat e të gjithë bashkëluftëtarëve të Azem dhe Shote Galicës.

Para Kullës janë edhe varret, pranë e pranë, të Azemit dhe të Shotës, por, ky i fundit, pa trup, eshtra, pasi ajo është varrosur në fshatin Derven të Fushë Krujës. Dhe, kjo na kujton varret e tre Vëllezërve Frashëri, në Parkun e Madh të Tiranës, por, varri i Samiut e ka vetëm emrin, pa trup. eshtra, pasi qeveria turke nuk pranoi tërheqjen nga varrezat e Stambollit.

Kulla e fundit, që delegacioni ynë vizitoi, është ajo e Halit Bajramit, shok armësh i Azem Bejtë - Galica. Me keqardhje, kulla është ngritur, por në mungesë të fondeve, ka mbetur e pa rregulluar, e papërfunduar së brendshmi. 

Njeriu i apasionuar, i përkushtuar, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të Drenicës dhe tërë Kosovës, Xhafer Murtezi dhe bashkëpunëtori i tij, Profesor Brahim Avdyli, shpresonin në ndihmën e Komunës të Skënderajt dhe të Qeverisë të Kosovës, pse jo, edhe donatorëve nga Mërgata, për ta rregulluar e hijeshuar edhe këtë Kullë, të lavdisë së Drenicës dhe të Shqiptarisë.

Gadi një ditë të tërë e kaluam në Drenicën stoike, e shquar për rezistencë e trimëri, përgjatë një shekulli. Në këtë reportazh përmendëm, kryesisht, kullat historike të Drenicës. Por, ne ndaluam dhe nderuam edhe shumë objekte, pllaka përkujtimore dhe komplekse memoriale, të varrezave masive, viktima të një ploje barbare serbo-sllave, anekënd Drenicës të përkallur, por, gjithmonë krenare.

Me kryetarin e Degës të LD-së në Beneluks, Bahtir Kastartin, vizituam Degën e LDK-së, përkatësisht, kryesinë e saj, e cila, ishte në përbërjen komplete. Edhepse kohë e vaposjes ekstreme, kryesia e Degës, e prirë nga kryetari i saj fisnik, Fadil Gashi, ishte mbyllur, përgjatë gjithë ditës, në një mbledhje maratonë, duke debatuar për refoma të thella partiake, brenda kësaj Dege.

Në mbledhjen e kësaj Dege, e ndjemë vetën si në mbledhjet tona, në Mërgatë. Debate pa cenzurë, pa ndrojtje, të çiltra dhe vetëm në interes të LDK-së dhe të Kosovës.

Kur i pari i familjes prinë si duhet, shtëpia shkon së mbari. Kryetari i Degës të LDK-së, në Klinë, Fadil Gashi, jep shembullin personal: "Unë nuk do të kandidoj për kryetar të komunës. Duhet ta propozojmë një kuadër të ri". 

Dhe, pas debatesh të lira e konsultative, u vendos për kandidimin e Besim Hotit, një djalë energjik e komunikativ, i provuar në përkushtimin e tij, për LDK-në, në veçanti, dhe progresin e komunës së Klinës, në përgjithësi.

Nisma personale e kryetarit të LDK-së, në Klinë, Fadil Gashit, kuadër i luftës, për të reformuar Degën, duke mos u kandiduar për kryetar komune, krijoi kushte e mundësi, për të mos rikandiduar asnjë nga ansamblistët komunalë paraprakë. Pra, u propozuan të gjithë kandidatë të rinj, si freski dhe impuls, që do t'i japin fushatës për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Ne ishim të parët që mësuam për kandidimin e Besim Hotit dhe uruam nga zemra për fitore e suksese! Ne, si mysafirë nga Mërgata, në mesin e kësaj kryesie, ishin të privilegjuar dhe folëm, ndoshta, më shumë se sa duhej, në një mbledhje pune. 

Por, si pjesëmarrës në fushatat parazgjedhore, lokale e qendrore, në Kosovë, shprehem mendimet tona dhe premtuam se nuk do të mungojë as mbështetja e Mërgatës për Degën e Klinës dhe LDK-në në Kosovë. 

Kuadrot, veprimtarët e Mërgatës, në kërkesat e tyre të ligjshme, drejtuar udhëheqjes Qendrore të LDK-së, ka shprehur shqetësimin se anashkalimi i parë nga fryma rugoviane, është mungesa e debatit brenda partisë dhe vendimmarrja në rrethet vicioze. 

Dhe, në vend të korrigjimeve të nevojshme, ne, jemi keqkuptuar, madje, edhe anatemuar, krejt padrejtësisht. Megjithatë, ngushëllohemi se në ndoca mjedise, në bazë, është ruajtur tradita e debatit dhe e vendimmarrjes kolegjiale. Këtë e pamë me sy dhe e dëgjuam me veshë, pikërisht, në Degën e LDK-së në Klinë.

Kryetari i Degës të LDK-së, në Beneluks, Bahtir Kastrati, si drenicar që është, e njeh kodin kanunor, se nuk bënë të anashkalohet Kulla e Bajraktarit të Drenicës. Një vizitë në Odën e Vëllezërve Geci, është si një faltore kombëtare, të cilët ishin në luftë, përkrah Hamëz e Adem Jasharit dhe gjithnjë në shoqërim e roje të Presidentit Historik, Dr.Ibrahim Rugovës.

Familja Geci, në mbrojtje të parimeve demokratike dhe të lirisë njerëzore, u përball me banda e banditër, gjatë dhe pas luftës. Meshkujt e Familjes së madhe, LDK-së, ushtarakët dhe bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës u ekzekutuan. 

Vrasësit kurrë nuk u penduan, nuk kërkuan ndjesë, nuk kerkuan as besë, nuk dërguan as pleq për pajtim, për krimet makabre e seriale të bëra. Përkundrazi, vazhduan provokimet dhe kërcënimet, duke kërkuar nga LDK-ja, "t'i harrojë vrasjet e meshkujve, të heshtë, se ne ju vrasim përsëri!" 

Dhe, ishin Vëllezërit Geci, të cilët, në mungesë totale të drejtësisë, pasi vrastarët urdhërdhënës, janë në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, u sakrifikuan për LDK-në, në vetëmbrojtje, duke mos pasur asgjë personale me askënd, duke stopuar banditët, në krimet e tyre të mëtejme.

Kadidimi për deputete i pinjollës të kësaj Familjeje, Fitore Geci, ishte një rast për anëtarësinë e LDK-së, ta dëshmojë fisnikërinë mirënjohëse, duke e votuar masivisht atë. Por, nuk ndodhi kjo! "Sa poshtë ka rënë katundi",- thotë një urtësi popullore.

Kryetari i Degës të LDK-së për Beneluks, Bahtir Kastrati, vizitoi edhe Selinë e LDK-së, në Prishtinë. Në takim morën pjesë: Ismet Beqiri, sekretar i LDK-së, Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar i LAA-së, Sali Morina, koordinator i LDK-së Për Diasporë, Anton Quni, Naser Rugova, Doruntinë Maloku, Driton Selmanaj, deputetë të LDK-së, Remzi Azemi, zëdhënës i LDK-së, Valon Murtezi, zëvendës-ministër i jashtëm.

Pritja e ngrohtë, nga kuadrot e LDK-së në Qendër, i mundësoi kryetarit Bahtir Kastrati, ta bëjë një ekspoze të punës dhe të veprimtarisë, jo vetëm të Degës në Beneluks, por edhe të LDK-së në Mërgatë, në përgjithësi. Ai kërkoi nga Qendra një trajtim më dinjitoz dhe bashkëpunim më të çiltër dhe pa paragjykime, me Degët e LDK-së në Mërgatë.

Mërgata e donë një LDK-e të fortë e kompakte. Ne nuk i ndajmë kuadrot partiakë në të rinj dhe të vjetër, as deputetet në populistë dhe të tjerë afër shefit. Kur dobësitë pasqyrohen me mungesën e fitores, ndryshimet, reformat janë e vetmja mundësi, për të dalë nga kriza. Dhe, këtë e pret Mërgata nga ju.

Mbështetja e Degës të LDK-së në Beneluks, por, edhe e Degëve të tjera në Mërgatë, nuk ka munguar asnjëherë dhe nuk do të mungojë as në të ardhmen, për udhëheheqjen e LDK-së në Qendër. Kërkesa jonë e gjithëmonshme është që LDK-ja, Kryesia e saj, të jetë zëri i vërtetë i anëtarësisë së gjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat