Onkologia nga Kosova shpërblehet me çmimin prestigjioz në Angli

Diaspora

Onkologia nga Kosova shpërblehet me çmimin prestigjioz në Angli

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 12:11
Ernese Xhafa – Hamiti

Se sukseset e shqiptarëve në botë s’kanë të ndalur po na vërtetohet çdo ditë. Së fundmi një të tillë e ka arritur edhe onkologia Ernese Xhafa – Hamiti, e cila jeton në Londër.

 Ajo, është dekoruar me mirënjohje nga Hospital Corporation of America (HCA), për punën dhe dedikimin e saj në spitalin me renome botërore në Londër, Wellington Hospital.

 Bëhet fjalë për çmimin prestigjioz “Frist Humanitarian Award”, i cili u ndahet doktorëve në fusha të ndryshme mjekësore për punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

 Ky spital është krijuar nga Dr Thomas Frist në vitin 1968 ndërsa mirënjohja është ndar nga djali i til, Dr Thomas Frist jnr.

 Asaj ky çmim i është ndarë në nivel kombëtar nga rrjeti i spitaleve me renome HCA Healthcare UK, që përfshin Wellington Hospital, Harley Street clinic and LOC (Leaders in Oncology Care), vendin ku Xhafa – Hamiti kryen punën e saj si doktore.

 Ajo është doktoresha e parë që pranon këtë çmim në Angli nga një sektor ku pacientët me kancer trajtohen me tretman antikancerozë në spital dhe departamentin ditor të kemioterapisë.

 Dr Ernesa Xhafa – Hamiti, gëzon një eksperiencë të kamotshme në fushën e mjekësisë. Ajo tashmë ka mbushur shtatë vite në punën e saj si Onkologe.

Ajo, është trajnuar dhe specializuar në spitalet më me nam të Londrës, si: UCLH NHS Trust Hospitals dhe Imperial NHS Trust Hospitals që janë pjesë e referimeve të rasteve shumë komplekse të formave të ndryshme të kancerit jo vetëm nga Mbretëria e Bashkuar po edhe nga mbarë bota. Dr Ernesa së fundi ka kompletuar studimet postdiplomike në Insitute of Cancer Reasearch (ICR) në Londër.

 Ajo, përveç tjerash vazhdon të jap kontributin e saj sa herë që kontaktohet nga koleget e saj nga vendlindja, Kosova.

 E krejt kjo shumë e të hollave që i është ndarë në formë mirënjohje, doktoresha me origjinë nga Kosova ka vendosur që t’ua dedikoj fëmijëve me kancer në Kosovë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat