Krijimi i lobeve të shqiptarëve në botë do të eliminonte përçarjet në mesin e mërgimtarëve

Diaspora

Krijimi i lobeve të shqiptarëve në botë do të eliminonte përçarjet në mesin e mërgimtarëve

Nga: Jahja Lluka Më: 16 shtator 2017 Në ora: 17:53
Jahja Lluka

Me politikat e veta Qeveria duhet të krijojë mundësi dhe lehtësime, që mërgimtarët biznesmenë të investojnë në projekte ekonomike afatgjata , kurse me krijimin e një fondi, një ekipë e mësimdhënësve të Gjuhës Shqipe të shkojnë në mërgim për t’u ligjëruar fëmijëve të mërgimtarëve tanë. - Një Komision vlerësues do ta mundësonte kthimin dhe punësimin në vend të qindra studentëve, që kanë diplomuar nëpër universitetet e njohura evropiane.-Kontaktet duhet shpeshtuar me mërgatën e madhe në Turqi, Greqi, Skandinavi, Amerikë, Australi, sepse nëse nuk bëhet diçka në ketë drejtim është rrezik, që pas dy gjeneratave, kjo pjesë e madhe e kombit  të asimilohet.

Duke ditur që numri i bashkatdhetarëve, jashtë trojeve shqiptare është tejet i madh, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të luajë një rol bashkëpunimi dhe ndërlidhjeje me këtë pjesë të kombit në mënyrë që të mos shkëputen kontaktet me këtë pjesë të kombit. Përveç lidhjeve shpirtërore me bashkatdhetarët tanë në të gjitha skajet e botës, duhet të krijohet dhe një urë e bashkëpunimit institucional, në shumë fusha, sepse përfitimi dhe rezultatet mund të jenë të shumëanshme.

Politika lehtësuese për mërgimtarët biznesmenë

Me politikat e veta Qeveria duhet të krijojë mundësi dhe lehtësime, që mërgimtarët biznesmenë të investojnë në projekte ekonomike afatgjata, sepse brenda një viti nga mërgimtarët në vend hyjnë, në mënyrë direkte apo indirekte, mbi një miliard euro në vendin tonë. Me ato mjete ndihmohen familjet nga familjarët e tyre në vende të ndryshme të botës. Këto mjete në bashkëpunim me Qeverinë do të duhej  të kanalizoheshin në investime të ekonomive familjare për krijimin e vendeve të reja të punës , që do të ndikonte dukshëm në zvoglimin e papunësisë.

Qeveria jonë, është mëse e urgjente të krijojë projekte konkrete bashkëpunimi me mërgatën tonë, duke stimuluar bizneset e vogla dhe ato të mesme, në mënyrë që të krijohet një treg i vogël ekonomik në vend me qëllim të zvoglimit të papunësisë. Ajo, duhet të ndërmarrë nismën për ndryshimin e Ligjit zgjedhor për t’ua mundësuar mërgimtarëve të marrin pjesë në procesin zgjedhor, drejtpërdrejt nëpër ambasada, konsulata dhe nëpër qendrat e tyre kulturore, ku jetojnë e veprojnë. Ky veprim është në funksion të realizimit te të drejtës kushtetuese që kanë mërgimtarët , për të votuar dhe për t’u zgjedhur, duke e përcaktuar qartë edhe të drejtën e mërgimtarëve për përfaqësimin e mërgatës, nëpërmjet vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nëpërmjet një Komisioni vlerësus duhet t’u mundësohet kthimi dhe punësimi në vend qinda studentëve, që kanë diplomuar nëpër universitetet e njohura evropiane, në mënyrë që  njohuritë e marra atje t’i fusin në funksion në vendin tonë për t? mirën e vendit.

Duke i dhënë mundësi dhe motiv trurit jashtë, vendi ynë do të përfitojë shumë për faktin se të rinjtë tanë të shkolluar jashtë do t’i sjellin përvojat e vendeve në fusha të ndryshme, qofshin ato në arsim, ekonomi, shëndetësi, diplomaci, kulturë e të ngjashme dhe në këtë mënyrë do të kryheshin edhe reformat e suksesshme dhe shumë të domosdoshme në fushat e përmendura.

Investimet nga mërgata mund koncentrohen jo vetëm në qendra urbane por dhe në ato rurale, sepse nëpër qinda fashtara të vendit mungojnë ambulancat, kurse banorët bëjnë kilometra të gjata për të shkuar në qendra komunale e qytete për një kontroll mjekësor.

Ka edhe shumë fusha tjera, ku mund të krijohet bashkëpunimi, por arsimi, shëndetësia dhe ekonomia janë fusha kyçe dhe me shumë potenciale.

Edhe muaji dhjetor t’ju kushtohet mërgimtarëve

Përveç kohës së zakonshme, kur mërgimtarët me numër të madh vijnë në pushime në muajt korrik - gusht, është mirë që  edhe muaji dhjetor t’u kushtohet mërgimtarëve, sepse edhe gjatë këtij muaji regjistrohet valë e madhe e bashkëatdhetarëve që vijnë në vendlindje.

Qeveria e Kosovës është mirë ta krijojë një fond në mënyrë që një ekipë e mësimdhënësve të gjuhës shqipe të shkojë në mërgim për t’u ligjëruar fëmijëve të mërgimtarëve tanë.Kësaj ekipe, në bashkëpunim me Qeverisnë t’ju jepen kompetenca për riorganizimin e arsimit tashmë të brisht në mërgatën tonë, për fëmijët, por edhe për të rriturit shqiptarë, që kanë lindur jasht dhe nuk e dijnë gjuhën shqipe. Veç gjuhës shqipe, atje duhet të ligjërohen edhe kultura dhe historia shqiptare. Nëse këto lëndë nuk mund të mbahen nëpër shkolla është mirë që të organizohen kurse. Për këtë qëllim, nevojitet një bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në veçanti me Ministirinë e Diasporës së Shqipërisë.

Duke parë që ka shumë talentë shqiptarë në fusha të ndryshme duhet të krijohet një fond i posaqëm ku do mund të siguroheshin të ardhura materiale dhe të stimuloheshin talentet e rinj, jo vetëm në mërgim, por edhe këta që jetojne në Kosovë.

Gjithsesi është i domosdoshem krijimi i lobeve të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, Evropë,Turqi, Greqi dhe Australi me qëllim të eliminimit të përçarjeve që kanë shkaktuar grupet e partive politike dhe të shoqatave të shumta e kjo mund të realizohet me një bashkëpunim me qeverinë dhe shoqërinë civile.

Veç tjerash, kontaktet duhet shpeshtuar me mërgatën e madhe në Turqi, Greqi, Skandinavi, Amerikë, Australi, sepse nëse nuk bëhet diçka në ketë drejtim është rrezik që pas dy gjeneratave kjo pjesë e madhe e kombit do të asimilohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat