Drejtoresha e VOA viziton Ballkanin

Diaspora

Drejtoresha e VOA viziton Ballkanin

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 22:30
Amanda Bennett, Drejtore e Zërit të Amerikës

Uashington – Drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennett do të bëjë një turne në pesë vende të Ballkanit, ku do të flasë mbi rolin e Zërit të Amerikës dhe ndikimit dhe efektivitetit të programeve të tij për rajonin.

Drejtoresha Bennet do të takohet me përfaqësues të mediave partnere të Zërit të Amerikës, gazetarë vendas dhe zyrtarë qeveritarë në Serbi (18-19 shtator), Bosnje Hercegovinë (20-23 shtator), Mal të Zi (24-26 shtator), Shqipëri (26-28 shtator) dhe Kosovë (28-30 shtator). Drejtoresha Bennett shoqërohet në këtë turne nga Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euroazisë, Alen Mlatisuma, Redaktor Përgjegjës për Internetin në Divizionin e Euroazisë, Dzeilana Pecanin, Shefe e Shërbimit Boshnjak të Zërit të Amerikës dhe Arben Xhixho, Shef i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës. 

Dr. Biberaj tha se vizita e drejtores Bennett është e para në Ballkan e një drejtori të Zërit të Amerikës. Gjatë vizitës në pesë vende të Ballkanit, drejtoresha Bennett do të shpjegojë se si po i përgjigjet Zëri i Amerikës sfidave  të sotme me të cilat ndeshet media, si dhe ndryshimit të panoramës mediatike. Sipas Dr. Biberaj, drejtoresha Bennett do të theksojë se misioni i Zërit të Amerikës nuk ka ndryshuar që nga dita e transmetimit të pare, para 75 vjetësh – të tregojë të vërtetën, të jetë i saktë dhe i balancuar dhe të njohë audiencat me Amerikën.

Dr. Biberaj thotë se “në një botë ku besimi tek media po bie, Zëri i Amerikës vazhdon të luajë një rol jetik, si një prej burimeve më të besuara të lajmeve. Zëri i Amerikës ofron alternativën e njoftimit të bazuar në fakte, përballë propogandës, shërben si një mjet ku mund të gjesh alternativat që ofron opozita, si dhe debatin publik, duke nxitur zhvillimin e shoqërive të lira e të drejta.”

Shërbimet e Ballkanit të Zërit të Amerikës ofrojnë programe cilësore, në platforma të ndryshme, dhe kanë një ndikim dhe ndjekje të lartë në rajon, duke ofuar lajme dhe informacion të paanshëm dhe të besueshëm, që shtypi i politizuar vendas nuk është gjithmonë në gjendje ta japë.

Zëri i Amerikës ndiqet nga 12% në Serbi, 13.4% në Bosnje Hercegovinë, 26.5% në Mal të Zi, 60.5% në Shqipëri dhe 64% në Kosovë.

Amanda Bennett, është autore librash, fituese e çmimit Pulitzer dhe ka punuar në gazetarinë hulumtuese. U emërua drejtore e Zërit të Amerikës në mars 2016. Gjatë vitit 2013 ka qenë kryeredaktore e rrjetit të lajmeve Bloomberg News, ku krijoi dhe drejtoi një ekip global gazetarësh dhe redaktorësh hulumtues. Ka qenë bashkë-themeluese e projektit të rrjetit Bloomberg News për Gratë. Nga qershori 2003 deri në nëntor 2006 ka punuar si redaktore e gazetës The Philadelphia Inquirer, ndërsa para kësaj, redaktore e Herald-Leader në Leksington të Kentakit. Ka qenë gjithashtu tre vjet kryeredaktore projektesh për gazetën The Oregonian në Portland. Pas diplomimit në Harvard College, Bennett ka punuar si korrespondente e gazetës Wall Street Journal për më shumë se 20 vjet. Ajo ka patur aty role të ndryshme, si: reportere për industrinë e automobilëve në Detroit në fund të viteve 70 dhe në fillim të viteve 80, reportere për Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit, korrespondente dhe kryeredaktore e zyrës në Pekin, korrespondente kombëtare për ekonominë dhe, më në fund, shefe e zyrës së kësaj gazete në Atlanta deri në vitin 1998, kur kaloi me gazetën The Oregonian.

Bennett fitoi, së bashku me kolegët e saj të gazetës Wall Street Journal, çmimin Pulitzer të vitit 1997 për raportim mbi tema të vendit. Në vitin 2001 drejtoi një ekip të gazetës The Oregonian, që fitoi çmimin Pulitzer për shërbimin publik. Projektet e ekipeve për gazetarinë hulumtuese, ku ajo bënte pjesë në Bloomberg News, kanë fituar ndere të shumta, si: çmimin Loeb, Polk, Barlett & Steele, çmimin Headliners Award, çmimin Society of American Business Editors and Writers Award dhe çmimin Overseas Press Club.

Bennett ka qenë anëtare e bordit të çmimeve Pulitzer nga viti 2003 deri në 2011 dhe ka shërbyer si bashkëkryesuese e Bordit Pulitzer në vitin 2010. Ajo ka shërbyer gjithashtu në bordet e çmimeve Loeb, të Shoqatës Amerikane të Redaktorëve të Lajmeve, të Fondit për Gazetari Hulumtuese, të bordit të këshilltarëve për shtypin në Universitetin Temple, të bordit të drejtorëve të rrjetit jofitmprurës të lajmeve Axis Philly dhe të Muzeut Rosenbach, një muze librash të rrallë në Filadelfia.

Ajo është autore e gjashtë librave si In Memoriam (1998), bashkë-autore me Terence B. Foley; The Man Who Stayed Behind (1993), bashkë-autore me Sidney Rittenberg; Death of the Organization Man (1991) dhe The Quiet Room (1996), bashkë-autore me Lori Schiller. The Cost of Hope, një libër me kujtime për betejën që ajo dhe bashkëshorti i saj i ndjerë, Foley, bënë kundër kancerit të veshkave, u botua në qershor 2012 nga Random House.

Së bashku me bashkëshortin, Donald Graham, ajo është themeluese e fondacionit TheDream.US, që ofron bursa universitare për fëmijët e emigrantëve pa dokumente.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat