Gjahtari italian vrau të riun në Shqipëri, pas 15 vjetësh gjykata italiane i njeh dëmshpërblimin familjes

Diaspora

Gjahtari italian vrau të riun në Shqipëri, pas 15 vjetësh gjykata italiane i njeh dëmshpërblimin familjes

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 09:34
Gjithçka pati fillim në 2003-shin, kur një italian, për gjah në Shqipërinë e mesme, vrau një djalë 15 vjeç

Pas thuajse 15 vjetëve nga vrasja e djalit 15-vjeçar, një familje shqiptare ka parë drejtësinë të shkojë në vend: gjykata civile e Vicencas ka vendosur që vrasësi, një shtetas italian, t’i japë dëmshpërblimin maksimal që njeh ligji italian në këto raste.

Gjithçka pati fillim në 2003-shin, kur një italian, për gjah në Shqipërinë e mesme, vrau një djalë 15 vjeç. Drejtësia shqiptare akuzoi italianin për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”. Dënimi përfundimtar (pas tre shkallëve të gjykimit), 3 vjet burg, u dha në vitin 2009, në mungesë, pasi italiani ndërkohë ishte kthyer në vendlindje. U shpall në kërkim e menjëherë u kërkua që dënimi penal shqiptar të njihej nga drejtësia italiane.

Në Itali, familja i beson çështjen gjyqësore avokates Ilda Beqo që rrëfen këtë ngjarje për shqiptariiitalise.com dhe që për të mbrojtur familjen e 15-vjeçarit nuk dëshiron të japë të dhëna për identifikimin e viktimës dhe të vrasësit.

“Në Itali na u desh të ndiqnim dy rrugë paralelisht, nga njëra anë njohjen e vendimit penal të drejtësisë shqiptare e nga ana tjetër të ngrinim gjyqin civil në mënyrë që familjes t’i njihej një dëmshpërblim i denjë”.

Pas shumë vitesh, vjet u arrit njohja e vendimit të gjykatës shqiptare, pra edhe në Itali vrasësi i 15-vjeçarit njihet tashmë fajtor për vrasje nga pakujdesia. Por, gjithsesi, nuk ka bërë asnjë ditë burg. “Kanë kaluar shumë vjet nga ngjarja e ndërkaq në Itali ka pasur edhe dekrete falje dënimesh, kështu që për tre vjetët e dhëna në 2009-tën nga gjykata shqiptare, italiani ndoshta nuk ka për të hyrë ndonjëherë në burg” shpjegon avokatja. “Por për palën e lënduar njohja e vendimit penal shqiptar ishte shumë e rëndësishme sepse na lehtësonte punën në gjyqin civil për njohjen e dëmshpërblimit”.

E vendimi i shkallës së parë për dëmshpërblimin arriti më 31 janar. “Edhe pse askush nuk u kthen më djalin, më në fund familja do të marrë dëmshpërblimin më të lartë që njeh ligji italian” thotë avokatja Ilda Beqo.

Në fakt, si rrallëherë, gjykata i ka njohur familjes dëmshpërblimin maksimal, pa u ndikuar nga fakti që viktima ishte shqiptar e që familja jeton në Shqipëri, siç ka ndodhur herë të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat