Mbi rolin e zogjve dhe ëndrrave në teatrin e dhimbjes

Diaspora

Mbi rolin e zogjve dhe ëndrrave në teatrin e dhimbjes

Nga: Marius Chelaru Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 23:36
Rexhep Kasumaj, Në emër të dhimbjes, Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2018

Të shumta dhe të komplikuara mund të jenë motivet për një njeri, të cilin fati e hedh në rrugët e jetës, dhe kështusoj arrin të shkruajë vargje herë pas here. Në rastin e Rexhep Kasumajt, pas studimeve universitare dhe viteve të punës në televizion, jeta e ka hedhur nga brigjet e Kosovës në zemër të Gjermanisë. Na vjen keq që s’e kemi njohur më parë, por në këtë seleksion vlerash lirike, ndjejmë se e prek largimi nga brigjet e vendlindjes në vende ku jeta i ka ofruar një strehim tjetër, ku e ndjen veten të huaj. Përse vuaj vallë, thot poeti duke shtuar me fjalë tjera: Ngase dielli, retë, stuhia dhe shiu më thonë: nuk të njohim! I huaj je! Kjo vërehet në disa nga tekstet e tij. Poeti ndjen mallin ndaj atdheut në çdo hap. Atdhe nuk janë vetëm gurët, krojet, malet ku dhimbja perëndon me diellin. Ja porta që i pret zogjtë nga larg, dhe lulet e vyshkura në ballkon!

Dhe gjithmonë, taverna plot me fjalë e pret në brigjet e vetmisë, atje ku e pret një gotë e mbushur me përmallim. Edhe pse gjendet në një vend ku, pranë portave të panumërta të Berlinit, ku të gjitha gurët mbajnë emrin e vet, historinë e dhimbjes, kurse njerëzia nuk i shkel në shenjë nderimi, për poetin, dhimbja e të gjithave nuk është më e rëndë se sa ajo e gurëve të vendit të vet. Në vazhdim flet për atë se si e sheh ai fatin e Shqipërisë, vuajtjet e shqiptarëve për shkak të defekteve të historisë, për shëmbëlltyrën aspak të pëlqyeshme të politikanëve të sotëm, mafiokracia politike e të cilëve, kurrfarë të mire nuk u sjell njerëzve.

Në lirikën e këtij mërgimtari të frymëzuar mund të ritakohesh me mitet, me historinë e lashtë të atdheut, me atë urë guri e shndërruar në murosje, si një ëndërr, si një ofshamë, tani e një mijë vjet. Histori e dhimbshme dhe e bujshme, e përshkruar me krahasime që kanë lindur nga hapat e fjalës në fletoret e poetit. Poeti flet edhe për dashuri, për rolin e përjetshëm të saj në dramën e botës, për njeriun që degdiset, por vetëm dashuria është ajo që mbetet. Autori flet për pritjet, për dëshirat e pa/përmbushura  apo për vdekjen e shpresës për të qenë së bashku në pisk të natës, „kur gozhda e fundit e mbyll arkivolin e dashurisë sonë”. Apo për dashurinë ndaj Zotit, për besimin. Sa i bukur duket rikthimi i pritjes, natyra e përflakur, e dashurisë ndaj teje o Zot! Rrjedha e përngutshme e kohës, shpeshherë i bren ëndrrat, duke u degdisur diku në atdheun e tij.

Herë tjera ndalet në aspekte të përditshmërisë banale, por të ngarkuara me kuptime që meritojnë t’i mbajmë mend, që faktikisht e përshkruajnë jetën në dollapin e vjetër me erëtimë plisash të dheut, apo për një njeri e një qen, „miq të vjetër” që shkojnë së bashku në parkun me gjethe, apo për dëshirën për të dëgjuar trokëllimën e dashnores kur vjen muzgu. U ballafaquam disa herë edhe me peçeta ngjyrash, tejet interesante në lulishten e përjetimeve të fjalëve të Rexhep Kasumajt, kur shkruan për dëshirën për ta shkulur barin e keq në kopshtin e zemrës. Apo për traditat e vjetra në trojet e shtëpisë, si do zakone të motshme që e kërkojnë hijeshinë, madje edhe në sytë e vdekjes.

Lexuesit tonë do ta çmojnë këtë njeri edhe për angazhimin e zjarrtë, për faktin se si flet për lirinë, por edhe për revoltën e atyre që i shqetson situata a palakmuar në vendin e tij. Siç duket nga ky seleksionim, poeti nuk rend pas fjalëve të krekosura, nuk i anashkalon as figurat e stilit. Autori është i preokupuar ta thotë atë që e ka në shpirt, atë që e ndjen lidhur me vendlindjen, me lirinë, me dashurinë, me jetën e ditëpërditshme. Shqiptari i Berlinit shkruan për rolin e zogjve dhe të ëndrrave në teatrin e dhimbjes, për vendet dhe momentet e jetës në botën e sotme. Rexhep Kasumaj është mbi të gjitha një emër i shquar i ekzilit kosovar. Vargjet e tij të seleksionuara dhe rikënduara për lexuesin tonë nga Baki Ymeri, e pasurojnë peisazhin bashkëkohor të poezisë shqipe, tashmë e „vizatuar” me ngjyrat e gjuhës rumune. (Jash, 15 Shkurt 2018). 

Image                                   
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat