SHH „Medvegja“, shpreson, se një ditë, Shqipëria dhe Kosova, do ti ndihmojnë shqiptarët në Medvegjë

Diaspora

SHH „Medvegja“, shpreson, se një ditë, Shqipëria dhe Kosova, do ti ndihmojnë shqiptarët në Medvegjë

Nga: Dashnim Hebibi Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 10:09
Valisi, Zvicër

Nëpër tërë diasporën shqiptare, këtë fundjavë, ka pasur aktivitete të ndryshme për dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Secili e ka shënuar në mënyrën e vet. Por, SHH „Medvegja“, si gjithmonë edhe kësaj here këtë dhjetë vjetor të pavarësisë së Kosovës e kremtoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ishin mbledhur bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare së bashku me medvegjasit nga katër anët e Zvicrës, për ti treguar e dëshmuar medvegjasëve, se së paku ne mërgata jemi së bashku dhe nuk e harrojmë ate etni shqiptare. Pak kush e kishte menduar nga medvegjasit, se sivjet, SHH „Medvegja“, do ta shënoj këtë përvjetor, sepse është ndarë nga jeta, veprimtari i njohur, Musa Neziri, themeluesi i SHKA „Medvegja“, pastaj, babai e nëna e kryetarit të SHH „Medvegja“, z.Zenel Neziri. Por, amaneti, që e kishte lënë veprimtari, tash më i ndjerë, Musa Neziri, që festat nuk guxojnë të ndalen edhe nëse vdes sonte, sepse Medvegja është më e madhe se të gjithë dhe për hirë të rinisë që po rritet në diasporë, në vend të huaj, duhet të mbahen, që të mos e harrojnë gjuhën amtare e traditën tonë kombëtare. Edhe kështu e kishte paralajmëruar edhe vëllau i tij, z.Zenel Neziri, kryetar i SHH „Medvegja“, në tubimin përkujtimor që iu organizua këtij veprimtari para të pranishmëve të shumtë që ishin mbledhur. Kuptohet, se nuk ka qenë e lehtë të mbahet ky manifestim nga të gjithë, por amanetin duhej përcjellur në vend. Dhe ashtu ndodhi, ishin mbledhur këtë të shtune, më 17.02.2017, në Fully të Valisit, medvegjasit, për të shënuar këtë ditë të madhe, dhjetë vjet shtet të Kosovës. Skena si zakonisht, ishte me flamurin kombëtar, ate të Kosovës dhe i shtetit mikë të kombit tonë Zvicrës. Nuk mungonte edhe portreti i Skënderbeut, Ismail qemajlit, Adem Jasharit dhe Presidentit Historikë të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova. Jo si herave tjera ishte atmosfera në fillim, sepse dihej, kishte dhimbje, por në ballë të mikëpritjes, qëndronte Zenel Neziri, vajza e të ndjerit Musa Nezirit, zonjusha Shqipja, vajza e të ndjerit Musa Neziri të ndihmuar nga miqtë medvegjas, si Zejnullah Namani, Sulejman Musliu, kryetar i SHKA „Medvegja“,  Mevlan Thaqi, Sadik Baftiu, Sabit Abazi etj, etj. Manifestimi filloi ashtu si ishte lajmëruar dhe salla ishte e përmbushur përplot, kur dihet, se vetëm në këtë pjesë të Zvicrës, ishin mbi tre manifestime, por SHH „Medvegja“, nuk harrohet nga veprimtarët. Manifestimi filloi me intonimin e hymnit të Kosovës, ku të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe së bashku me SHKA „Medvegja“ që ishin në skenë, ishte edhe kryetari i kësaj shoqërie z.Sulejman Musliu, i cili me përkushtim të madh, po punon, që kjo shoqëri të vazhdoj me sukses për të mirën e traditës e gjuhës sonë kombëtar. Manifestimin e moderoi zonjush Sofie Namani dhe e filloi me këto fjalë:  „Të nderuar të pranishëm, motra dhe vëllezër, të dashur fëmijë, mirë mbrëma dhe mirë se keni ardhur në festën e 10 vjetorit të pavarësise së Kosovës, në emër tim dhe në emër të kryesis së Shoqatës Humanitare Medvegja ju uroj 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës shtetit më të ri në europ. Të nderuar të pranishëm, siç dihet, për të ardhur deri te kjo ditë është dashur mund dhe sakrifica të mëdha, andaj ftoj kryetarin e Shoqatës Humanitare Medvegja që me një fjalë rasti ta hap manifestimin dhe menjëher vazhdohet me vallën e pavarësisë. Kryetari i SHH „Medvegja“, z.Zenel Neziri edhe pse kishte përjtuartre vdekje, brenda pak muajve, ndarja nga jeta e nënës, vëllaut dhe e babës, ai u mbajt dhe doli në skenë si zakonisht për ti përshëndetur të pranishmit. E njohim këtë veprimtarë për guximin që ka dhe punën e madhe kombëtar e humanitare që e ka bërë ndër vite, por vërtet, qëndrimi i tij në skenë edhe kësaj here, ishte me plot dhimbje, por dëshmoi, se Medvegja është mbi të gjithë dhe duhet vazhduar e mos u ndaur kurrë. Z.Neziri i përshëndeti të pranishmit me këto fjalë: 

„„Vëllau im, Medvegja është më e shenjtë se gjithsecili prej nesh. Mos e ndalni manifestimin kushtuar Pavarësisë së Kosovës. Se si po shihet, do të ndahem nga kjo jetë. Por, dijeni, se po ta lë këtë amanet, mos u ndalni për ate tokë, Thuaja edhe shokëve, se nuk ka me u ndal shoqata, por punoni e të jeni bashkë gjithmonë“. E fillova këtë fjalim timin, me fjalët që mi tha vëllau im, tash më i ndjerë, Musa Neziri. Shumë flm kryesi, miqë, shokë e dashamirë, që na keni kërkuar, që të mos e mbajmë këtë kremtë të madhe të Pavarësisë së Kosovës. E di, se nuk e keni pasur të lehtë, sepse ishim bashkë nëpër shumë sfida, por ne duhet vazhduar. Shumë kush, nuk e ka besuar, se do të jem sonte në mesin tuaj, sepse brenda pak muajve na ndodhën tre vdekje, por i kuptojmë ligjet e zotit dhe ne ishim e do të jemi bashkë në të mirë e në hidhërim. Mirënjohje për secilin veç e veç. Përkulem para veprës së shenjtë të dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën, Dardaninë e lashtë. Zoti i bekoftë familjet e tyre e i përjetshëm kujtimi. Lavdi. Nga ky vend shumë larg atdheut, shoqata jonë, më 17 shkurt të vitit 2008, e patë kremtuar pavarësinë e Kosovës, po këtu në këtë restaurant. Ishte rastësi, por ja që e kishim me zemër, sikur ta dinim. E dini e ju kutohet, sa gëzim të madh kemi pasur të gjithë. Të dashur fëmijë, e ardhmja e kombit, kryesi, anëtarë të shoqatës, zonja e zotërinjë, miqë të të gjitha trevave shqiptare, miqë zviceran, që ju kemi në shpirt për përkrahjen tuaj të përhershme, ju urojmë këtë ditë të madhe, 10 vjet shtet Kosova jonë e dashur. Jemi mbledhur sonte, për të festuar dhe njëherit, për ti mos harruar të gjithë ata që sakrifikuan me pushkë e dije për të mirën e atdheut. Edhe ne si mërgatë kemi meritat tona. Edhe ne si shoqatë, kemi kontribuar, jo pakë, për të mirën e Kosovës me vepra, e për këtë jemi krenarë.  Të dashur vëllezër e motra, Kosova e dijmë se ka ende punë, por një është e sigurt, se ajo drejtohet nga shqiptarët, e jo nga serbët. Kosova dita, ditës po përparon e do të përparoje. Shumë jeta janë dhënë, shumë prindër kanë mbetur pa fëmijët e tyre, shumë fëmijë kanë mbetur pa prindër, por, Kosova u bë e pavarur dhe e njohur nga shumë shtete. 

Kemi pritur, se do ta nderoj shoqatën tonë, presidenti apo kryeministri i Kosovës me një mirënjohje punën e shoqatës. Por nuk ndodhi. Se si duket kanë pasur punë shumë. Të mos e harrojnë diasporën tonë.

E thash, se kemi pritur, sepse ka bërë jo pak shoqata jonë. Është nder i madh dhe një copë letre, mirënjohje, që ti bëhet me dije gjeneratës së re, që po rritet e edukohet larg atdheut, se të parët e tyre, nuk janë ndalur për tokat shqiptare dhe nuk duhet ndalur. Kemi besim, se një ditë, një mirënjohje do ti ndahet punës së madhe të shoqatës sonë, e cila jo më pak se mbi 30 vjet, kurrë nuk ka pushuar e as që do të pushoj për tokat shqiptare. Jemi mbledhur sonte të festojmë dhe të vazhdojmë festën. Shpresojmë shumë, se do të vije dita, që edhe Kosova, të veproj më fortë për ato treva që kanë mbetur hije e mëshirës, Lugina e Preshevës, e sidomos Medvegja jonë. Kemi dy shtete shqiptare dhe padyshim, se një ditë, do të bëhet edhe më mirë në ato toka shqiptare. Kemi besim dhe kurrën e kurrës nuk do ta humbim besimin. Shiko këta fëmijë, se si po vallëzojnë, e këndojnë dhe recitojnë, do të këndojnë gjithmonë, sepse shqipja jonë është e ëmbël, është gjuhë e bukur dhe këtë gjuhë do ta rujamë për jetë të jetëve. Të punojmë më shumë, të çmohemi ndërmjet veti më shumë, të lihen inatet me një anë, sepse vetëm bashkimi e bënë fuqinë. Zoti i bekoftë familjet e dëshmorëve. I përjetshëm qoftë kujtimi edhe për presidentin Historikë të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, Prof. Zekeria Cana, zonjën Nekibe Kelmendi, Tahir Zema, Agim Ramdani, vëllezërit Haradinaj. I përjetshëm kujtimi për komandantin legjendar Adem Jashari dhe për të gjithë Jasharët që ranë për të mos vdekur kurrë. Dëshmorët i kemi në këtë flamur kuq e zi, sa herë që e shikojmë, e dijmë, se ata janë në flamur. Brez pas brezi kanë luftuar, që ta kemi Kosovën e pavarur, e tash e kemi edhe ate të përkrahur nga miqë të shumë ndërkombëtarë, por na duhet edhe më shumë të punojmë, që vërtet Kosova të lulëzoj me të mira. Të nderuar të pranishëm, gëzuar festa dhe mos u ndalni së festuari. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin shqiptarë, zoti i bekoftë tokat tona shqiptare, Medvegjën tonë Dardane. Mos u ndafsha nga kjo botë, pa e parë Medvegjën time, ashtu si ishte dikur. Gëzuar! „. Drejtuesja e programit, zonjusha Namani, e vazhdoi pas fjalës së kryetarit programin me këto fjalë:“ Po festojmë 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, brenda këtyre 10 viteve disa persona nga bota akademike, shkencore, sportive dhe kulturore kanë ndrruar jetë. Në mesin e këtyre personave është edhe i ndjeri Musa Neziri, anëtar i Shoqatës Humanitare „Medvegja“ dhe themelues i Shoqëris Kulturo Artistike „Medvegja“. Dikush ndoshta do të thonte, se nuk është dashur të organizohet kjo fest, na besoni, se Z. Musa Neziri gjithherë thoshte, se edhe nëse vdes dikush nga ne, puna duhet të vazhdoj, sepse kombi, tradita dhe kultura janë mbi të gjitha, e me një farë mënyre, na i la amanet, që të vazhdojmë me organizimin e festave. Të nderuar të pranishëm në mbledhjen përkujtimore, që e mbajtëm më 21 janar 2018 për të ndjerin Musa Neziri, Shoqata Humanitare „Medvegja“, vendosi, që grupi Folklorikë i Shoqëris Kulturo Artistike „Medvegja“ të emërohet me emrin “Grupi Folklorikë „Musa Neziri”, andaj kam nderin dhe kënaqësin ta ftoj në skenë grupin Folklorikë „Musa Neziri“ me disa këngë për pavarësinë e Kosovës.

Me të filluar së kënduar ky grup me këtë emër të veçantë, Zenel Neziri, doli në skenë dhe i përqafoti miqtë e tij, anëtarët e këtij grupi dhe emocionoi gjithë të pranishmit çka ishin në skenë, sepse dha një simbolikë se po  e përqafon vëllaun e tij, që e deshti dhe ishte shumë i lidhur me te. Ky grup, me shumë përkushtim i kënduan Kosovës, Shqipërisë e dëshmorëve të kombit. Grupi i fëmij¨sve dhe të rinjve me një program modest madhështuan festën e Pavarësisë, si dhe kryetari i shoqërisë kulturo artistike „Medvegja“, z. Sylejman Musliu e këndoi këngën e tij të njohur kushtuar Medvegjës, ku disa herë edhe pati duartrokitje gjatë këndimit. Si edhe herave të tjera edhe kësaj here, musafirët zviceranë nuk munguan, ishin përfaqësues nga Komuna e Fully dhe disa këshilltarë kantonal ku edhe i përshëndetën të pranishmit në gjuhën frenge duke i uruar për këtë ditë të madhe për Kosovën. Pas këtyre fjalimeve dhe programit shumë të pasur me këngë e valle, recitime, radha ishte për këngëtarët e ftuar që të mbajnë atmosferën festive, Demsa Ajazi, Anjeza dhe Valdet Haxhimustfa me përcjellje të sintit Shaban Hiseni. Krejt në fund të këtij manifestimi, kushtuar dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, u ndalëm edhe për të bashkëbiseduar me kryetarin e SHH „Medvegja“, z.Zenel Neziri, ku bisedën në tërësi do ta japim së shpejti, por ai ndër të tjera na tha, se Medvegja kurrë nuk është ndalur për Kosovën në situata të ndryshme dhe as që do të ndalet, por po shpresojmë, se një ditë, do të kujtohet edhe Kosova për Medvegjën, ate tokë shqiptare, që ka mbetur në mëshirën e perendisë. Shoqata jonë, tha ai ndër të tjera, se ka kontribuar me vite e vite dhe besoj, se është dashur të nderohet edhe nga të parët e vendit, ashtu sikurse bënë shpesh Shqipëria, që ish presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z.Bujar Nishani dhe tash, presidenti aktual, z. Ilir Meta, i fton përfaqësuesit e shoqatës sonë për 28 nëntor. E Kosova, si duket, na ka harruar. Qeveria dhe presidenti i Kosovës, do të duhej, që të kërkoj nga BE dhe faktori në përgjithësi ndërkombëtar, që Medvegja dhe Lugina e Preshevës, ti gëzojnë të drejtat që i takojnë dhe jo të jenë në ate pozitë që janë. Ne ishim Dardani e jemi Dardani, shoqata jonë kurrë nuk do të ndalet, sepse ka pasur, ka e do të ketë veprimtarë rreth vetes për të mirën e tokave shqiptare. Lutemi për dëshmorët e kombit, që dhanë jetën për atdhe, lutemi për familjet e tyre, veteranët, invalidët e luftës, nuk duhet harruar, por edhe të pagjeturit, që janë afërsisht 2.000 persona. Kosova ka ende punë për të bërë dhe ne presim ditë më të mira, theksoi ndër të tjera, z.Zenel Neziri në fund të manifestimit. Vlenë të përmendet, se SHH „Medvegja“, është njëra ndër shoqatat që ka dhënë kontribut më të madh për të mirën e atdheut edhe ate mbi 30 vjet me radhë. Është përmendur e përmendet me fakte, se kjo shoqatë, ka dhënë për atdhe, jo më pak se mbi pesë milion franga. Mesazhi i medvegjasve në këtë mbrëmje për këtë dhjetë vjetë shtet të Kosovës ishte, që një ditë, Shqipëria e Kosova, të ngrejnë zërin për ata vëllezër që kanë mbetur në pozitë të rëndë. Të gjithë u ndanë duke u përshëndetur me njëri tjetrin, me shpresë, se për 20-të vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do ta mirëpresim më mirë, me pozitë më të mirë të Kosovës, Medvegjës e Luginës së Preshevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat