Diaspora e Kosovës mbetet shtyllë e fortë ekonomike për vendin

Diaspora

Diaspora e Kosovës mbetet shtyllë e fortë ekonomike për vendin

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 22:18
Ramush Haradinaj është takuar me bashkatdhetarët nga Kosova dhe Shqipëria

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se qeveria që ai drejton po punon në krijimin e kushteve që diaspora të bëjë investime në Kosovë, në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm.

Gjatë një vizite zyrtare në Britaninë e Madhe, Haradinaj është takuar me  një takim me bashkatdhetarët nga Kosova dhe Shqipëria të cilët jetojnë dhe veprojnë në këtë vend, duke iu premtuar se Qeveria e vendit do t'iu qëndrojë afër për ofrimin e zgjidhjeve që i preokupojnë. 

Haradinaj informoi bashkatdhetarët për të arriturat dhe sfidat me të cilët po përballet Kosova si zhvillimi ekonomik, çështja e dialogut, transformimi i FSK-së, liberalizimi i vizave si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, lehtësirat tatimore, fuqizimin e rendit dhe të ligjit dhe krijimin e një klime të favorshme për investitorët potencialë, të huaj dhe vendorë. 

"Si qeveri e vendit jemi duke bërë më të mirën për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Jemi të përkushtuar që t'ju ofrojmë kushte dhe mundësi që edhe ju bashkatdhetarët tanë në Mbretërinë  e Bashkuar të investoni në Kosovë dhe të jeni të suksesshëm", tha kryeministri Haradinaj. 

Duke përkujtuar rolin dhe kontributin e diasporës për Kosovën që nga lufta e deri më sot, kreu i Qeverisë së Kosovës tha se diaspora kosovare vazhdon të mbetet shtyllë e fortë ekonomike për vendin dhe pasqyrë e vlerave tona historike, kulturore e artistike në botë.

“Si kryeministër i vendit, do të vazhdoj të punoj për ambient të përshtatshëm për investime direkte të huaja, me theks për investime nga diaspora jonë. Bashkatdhetarët tanë në botë janë vlerë e pakontestueshme jona, vlerë që tregimin për Kosovën e kanë ndërtuar dhe vazhdojnë ta mbrojnë e pasurojnë në mënyrën më të mirë", tha  Haradinaj. 

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga komuniteti i biznesit, kulturës, miq anglezë të Kosovës, të cilët u shprehën të kënaqur me prezencën e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se janë të gatshëm që potencialin e tyre ekonomik në të ardhmen ta orientojnë kah Kosova. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat