LDSHM - letër e hapur zv. sekretarit të shtetit z. Wess Mitchell

Diaspora

LDSHM - letër e hapur zv. sekretarit të shtetit z. Wess Mitchell

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 06:01
Wess Mitchell

Përmes kësaj letre, ne diaspora shqiptare në SHBA dhe Evropa, duam t’ju përcjellim Ju dhe administratës tuaj shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për pozitën kushtetuese të shqiptarëve në IRJM në përgjithësi, dhe në veçanti lidhur me zhvillimet e fundit me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për emrin e IRJM në mes të dy qeverive, asaj Greke dhe te IRJM. 

Të zhgënjyer, konstatojmë se në veprimet e justifikuara që po ndërmerr bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe administratën e SHBA, për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur IRJM nga ndikimi rus, në mënyrë të pajustifikuar po anashkalohen dhe po flijohen interesat e shqiptarëve, miqve dhe aleatëve të padiskutueshëm dhe tradicional të SHBA në Gadishullin Ilirik.

I nderuari z. Mitchell, ne shqiptarët nuk përkrahim marrëveshjen për emrin në mes të Greqisë dhe IRJM, sepse kjo marrëveshje duke njohur identitetin e përvetësuar maqedonas nga sllavët, i imponon ata si të vetmit shtetformues dhe bartës të sovranitetit duke përjashtuar shqiptarët autokton që përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë.

Si njëra palë e bashkëqytetarëve tanë sllavë që nuk duan të heqin dorë nga identiteti i përvetësuar mbi 70 vite, ashtu edhe pala tjetër që pranojnë modifikimin duke shtuar atributet sllave, thiren në themelet e shtetit të ndërtuar në kurriz të shqiptarëve, me vendimet e partisë komuniste të Jugosllavisë, dhe ASNOM-it (Këshillit Antifashist Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë). Ky shtet, i ndërtuar në mënyrë të tillë, shqiptarëve u solli dhe vazhdon t’ju sjelli vetëm vuajtje, dhunë, terror dhe eksod, të cilës tani më duhet t‘i jepet fund. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të vazhdojë të zhgënjejë shqiptarët duke vazhduar me padrejtësitë ndaj tyre, që kanë rrënjët që në traktatin e Shën Stefanit më 1878 me, dhe vazhdojnë me vendimet e Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Konferencës së Paqes në Paris, vendimet e Jaltës më 1945, dhe tani më me përkrahjen e Marrëveshjes së Prespës, që trajton shqiptarët dhe territoret e tyre përsëri si plaçkë lufte që duhet ndarë midis grekëve dhe sllavëve, duke shpërfillur pakënaqësinë dhe vërejtjet e shqiptarëve për këtë marrëveshje.

Është brengosës fakti që, vazhdohen të merren vendime mbi të ardhmen e shtetit duke injoruar vullnetin e mirëfilltë të shqiptarëve, dhe duke abuzuar dhe manipuluar me votat e klasës politike shqiptare të kapur, të cilët votojnë nën kushte të padive të bëra publike nga ana e prokurorisë speciale publike e IRJM, siç janë rastet e fundit me funksionarë të lartë partiakë të BDI, parti në koalicion qeverisës me LSDM. Dhe akoma më shumë, e gjitha kjo ndodh në kushtet e një legjitimitetit të diskutueshëm të shtetit për shqiptarët, kur marrim parasysh faktin që shqiptarët bojkotuan referendumin për pavarësinë e IRJM, nuk votuan miratimin e kushtetutës së re më 1991 por në vend të kësaj votuan referendumin për “Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992, dhe nuk dolën në referendumin e fundit të organizuar nga qeveria e IRJM për të votuar marrëveshjen për emrin.

Bashkësia ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, të cilët shkelën ligjin bashkë me kolegët e tyre të VMRO që tanimë ballafaqohen me drejtësinë për t’u përgjigjur për shkeljet që kanë bërë, për shqiptarët jepen mesazhe te gabuara se rruga e tyre për integrime euroatlantike shkon nëpërmjet politikës dhe politikanëve të pandëshkuar të krimit që punojnë kundër interesave të shqiptarëve.

Bashkëjetesa nuk mund te ndërtohet mbi themelet e mashtrimit, imponimit dhe dhunës. Shpërbërja e Jugosllavisë është dëshmia më e qartë për këtë.

Ne konsiderojmë se mohimi i të drejtës së shqiptarëve për tu bashkuar në një shtet, si popull autokton që popullon në mënyrë homogjene territore të ndara me kufij absurdë shqiptaro-shqiptarë, është në kundërshtim me vlerat qytetëruese të SHBA dhe BE. Por, ne shqiptarët që jetojmë në IRJM jemi të gatshëm të bëjmë kompromisin duke pranuar të bashkëjetojmë me sllavët, por me kushtin e një shteti të ndërtuar sipas standardeve evropiane, dhe vetëm si të barabartë.

Deputetët shqiptarë nuk kanë legjitimitetin e popullit shqiptar për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga qeveria aktuale, të pa kushtëzuara me ndryshime kushtetuese që do të pasqyronin të drejtën e shqiptarëve për statusin e shtet formuesit, si dhe rregullimin shtetëror në përputhje me këtë realitet dhe me standardet Evropiane për shtete bashkësi popujsh. Nisur nga kjo, kërkojmë nga ju mbështetjen tuaj për ato subjekte politike që votën e tyre në parlament pro ndryshimeve kushtetuese, do ta kushtëzojnë me avancimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve.

Me respekt

Lidhja e diasporës Shqiptare për Maqedoni
SHBA / Evropë 
Çikago, 24.10.2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat