Seminari i mësuesve në Bassano dhe institucionalizimi i mësimit shqip në Itali

Diaspora

Seminari i mësuesve në Bassano dhe institucionalizimi i mësimit shqip në Itali

Nga: Gëzim Muçolli Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 07:49
Seminari i mësuesve në Bassan

Fillimi i nëntorit të sivjetëm ishte caktuar si kohë më e mirë për të tubuar në një vend mësuesët nga shkollat e shumta të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Itali. Fillimi i vitit të ri mësimor në gjuhën e vendit nxit përherë dëshirën e fëmijëve shqiptarë që të vazhdojnë mësimet në gjuhën e nënës, aty ku i kanë lënë para pushimeve verore. E kjo motivon edhe prindër të tjerë që të angazhohen bashkë me veprimtarë të çështjes kombëtare të dalluar në veprimtari kulturore, politike e artistike për të prezentuar sa më bukur historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. E mbi të gjitha për të bashkëpunuar  në themelimin dhe hapjen e shkollave të reja aty ku ka mundësi dhe prani të theksuar të mërgatës shqiptare.

Ishte pikërisht Shoqata Kulturore “Bashkimi Kombëtar” nga qyteti i bukur verior, Bassano del Grappa ku u legalizua hapja e shkollës së parë shqipe në vitin 2001, që mori përsipër të bëhej nikoqir i Seminarit Didaktik me mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës shqiptare në Itali. Shkolla shqipe që funksionon në kuadër të kësaj shoqate patriotike gjithkombëtare në bashkëpunim me Këshillin e Mësuesve Shqiptarë të Regjionit Veneto mirëpritën mësuesit nga qytetet e ndryshme të Italisë në Seminarin Didaktik që u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e Kosovës.

Në hapësirat  e Hotel-restaurantit “Dalla Mena ” në ambientet piktoreske të malit Grappa në Romano D’Ezzelino të Bassanos , në mbrëmjen e të premtes me 2 nëntor 2018 u hap Seminari didaktik me fjalimin mirëseardhës të Z. Avdi Beqiri, kryetar i shoqatës së mirënjohur “Bashkimi Kombëtar”, si dhe me programin artistik-kulturor me recitime vjershash, këngë dhe valle popullore të përgatitura nga nxënësit e shkollave shqipe të Këshillit të mësuesve të Venetos.

Image

Mysafirët i përshëndetën duke iu uruar mirëseardhje dhe punë të mbarë studimore gjatë mbajtjes së seminarit, bartësit kryesor të organizimit dhe koordinimit të aktiviteteve mësimore didaktike  në shkollat e mërgatës shqiptare në Europë, z.Nuhi Gashi nga Ministria e Arsimit dhe z.Ymer Avdiu nga Ministria e Diasporës. Me ta gjatë gjithë seminarit ishte edhe prof. Nexhat Maloku nga  Qendra Projekte Ndërkombëtare të  Edukimit (IPE)  nga Shkolla e Lartë Pedagogjike e Cyrihut që është bartëse e zhvillimit të projektit të trajnimit të mësuesve shqiptarë lidhur me punën me kompletin e doracakëve didaktikë të mësimit të gjuhës së prejardhjes.

Pjesëmarrësit e Seminarit i nderoi me vizitën e tij në emër të autoriteteve italiane edhe kryetari i komunës Bassano del Grappa, z.Riccardo Poletto i cili duke i përshëndetur dhe uruar punë të mbarë foli edhe për përvojat e tij gjatë kohës së luftës në Kosovë kur ishte aktiv në misionin humanitar në Shqipëri për ndihmë refugjatëve kosovarë si dhe përvojën pas luftës kur kishte vizituar Kosovën.

Puna e semimnarit ishte e përqëndruar qysh nga fillimi edhe në ditën e dytë dhe të tretë në temat bosht si ajo e Kurikulës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë në raport me doracakët e institutit IPE, si dhe tema tjetër me interes si paraqitja e nismës-platformës dhe zbërthimi i interesit kulturor-arsimor për formimin e këshillit profesional të mësuesve shqiptarë në Itali me diskutime e kontribute me debat dhe formimi i grupeve përkatëse të udhëheqjes së procesit, të përgatitjes së dokumenteve të themelimit dhe caktimi i vendit dhe datës.

 Z. Ymer Avdiu dhe Prof. Nuhi Gashi trajtuan me hollësi aspektet teorike, praktike dhe ideore të kurikulës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe e cila ka domethënien edhe të projektit kombëtar për mësimin e gjuhës amtare si dhe ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar te brezat e rinj e sidomos te fëmijët e lindur jashtë duke e vënë gjithmonë shkollën në qendër të vëmendjes si institucioni më i rëndësishëm  e i përshtatshëm ku mësohen gjuha e kultura me edukim atdhetar me kompetenca gjuhësore dhe përkujdesje institucionale.

Kurikula është platformë e përgatitur me kujdes të veçantë nga ekspertët e ministrive të arsimit të qeverive në Tiranë dhe në Prishtinë duke pasur objektiva të arritshme meqë është hartuar për t'iu përshtatur kushteve dhe niveleve të ndryshme të zbatimit pratik duke u përpjekur të ketë lehtësi kuptimi, interpretimi dhe zbatimi.

Qëllimi përfundimtar i mësimit është që mësuesi t’ia mundësojë nxënësve përfitimin e njohurive

për letërsinë dhe artin, historinë dhe gjeografinë, kulturën dhe zakonet, si dhe të aftësohet ti komunikojë  në mënyrë korrekte diturinë e arritur.  Janë pesë tematika integruese dhe komplementare  të Kurikulës që shtjellohen: Identiteti im, Shqiptarët në hapësirë dhe në kohë, Kultura dhe shoqëria,  Një botë për të gjithë, Mësimi, puna, loja e koha e lirë.  Duhet të theksohet se tematikat shërbejnë me qëllimet që kompetencat e nxënësve të zhvillohen përgjatë tri niveleve mësimore, duke respektuar gjithnjë specifikat e niveleve të shkollimit të sistemeve të vendeve ku jetojnë në mërgim.

Image

Vlen të theksohet gjithashtu se kjo kurikulë është e hapur dhe e përshtatshme edhe për nxënësit e tjerë jo shqiptarë që shprehin interes për ta mësuar gjuhën dhe kulturën shqiptare bashkë me nxënësit shqiptarë.

Mysafiri nga Zvicra, Prof. Nexhat Maloku nga IPE i Cyrihut dhe profesoresha nga Tirana, Dr. Albana Tahiri  me shumë profesionalizëm shtjelluan temat e planifikimit të mësimit me grupmosha të ndryshme dhe parimi i diferencimit si dhe përkrahja e të folurit dhe të shkruarit në veten e parë të cilat u përcollën me vëmendje nga pjesëmarrësit e seminarit. Tema tjera të planifikuara ishin edhe Zhvillimi i kompetencës ndërkulturore si dhe përdorimi i dialektit dhe gjuhës letrare me qëllim  të arritjes së objektivave edukative-arsimore në klasë.

Kontribut të madh gjatë seminarit dha edhe intelektuali i shquar italian nga Bassano del Grappa, prof.Vittorio Andolfato, i cili njihet edhe për veprimtarinë mbështetëse ndaj shkollës shqipe të Bassanos dhe si mik i denjë i komunitetit shqiptar.Gjatë vizitës së organizuar në qendër të qytetit turistik të Bassanos të njohur në botë edhe për urën historike të ndërtuar nga Alpinët, ai duke i shoqëruar, seminaristëve si ciceron i vërtetë iu rrëfeu edhe historinë e qytetit që këto ditë ishte zbukuruar me flamuj meqë po shënonte në mënyrë festive çlirimin e Italisë nga Austrohungaria dhe mbarimin e luftës së parë botërore me armëpushimin e 4 nëntorit 1918.

Përveq pjesëmarrësve të paraqitur paraprakisht nëpërmjet aplikimit nga shkollat ku ata japin mësim, punimet e seminarit i ndoqën me interes të madh edhe veprimtarë të dalluar nga shoqatat kulturore shqiptare të Venetos dhe më gjerë si dhe mësues që janë në proces të hapjes së shkollave të reja shqipe.

Nikoqirët në bashkëpunim me organizatorin kishin paraparë edhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore-zbavitëse të mësuesve në mënyrë interaktive gjatë darkave dhe në orët e mbrëmjes që kishin pjesëmarrje pozitive me njohje reciproke dhe shkëmbim shembujve e të përvojave të mësimdhënies  dhe organizimit . Pati edhe recitime poezish nga të pranishmit si dhe këngë nga grupi folklorik i Hidajet Seferit. Poashtu dhe performanca artistike e mësuesve Monika Bekolli me flautë dhe e Kristian Zefi me lahutën e punuar nga duart e tij u mirëpritën me dashamirësi, madje edhe vetë mësuesit kënduan këngë me motive patriotike dhe arbëreshe, duke ndjerë mallëngjimin midis historisë së mëmëdheut dhe mallit për vendlindje.

Mes pikave të rëndësishme të këtij seminari ishte edhe propozimi i Prof. Nuhi Gashi për krijimin e një komisioni nismëtar të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali duke vijëzuar edhe normat e paracaktuara statutore  në bazë të linjave të veprimtarisë arsimore në vende të ndryshme ku funksionojnë tashmë këto organizma të rëndësishme kombëtare që gërshetojnë përvojat e realiteteve lokale si dhe marrëdhëniet bashkëpunuese të shoqatave atdhetare kulturore e patriotike me shkollat dhe mësuesit vullnetare që punojnë pa asnjë lloj kompenzimi material pikërisht duke u bazuar në thirrjen dhe misionin e edukatorit.

Në komisionin nismëtar që do të merret me aktivitetet përgatitore të organizimit të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali deri në Kuvendin themelues që do të mbahet në fund të nëntorit me rastin e festës së çlirimit të Shqipërisë, u propozuan emra të mësuesve tashmë të njohur për veprimtarinë dhe sukseset e tyre në qytete të ndryshme të Italisë: Ariana Kosova, Ragip Thaqi, Erëmira Skënderi, Arjeta Sema, Bajram Desku, Mimoza Mustafa, Hedie Xhyheri, Dritan Mashi, Kristian Zefi, Elvira Lashi dhe Faik Tafolli. Pas votimit, me shumicë votash profesoresha Ariana Kosova u zgjodh kryetare e komisionit nismëtar dhe do të kryejë rolin e saj të ndërlidhjes midis ministrisë së Arsimit dhe grupit themelues të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Itali.

Dita e tretë ishte momenti i rrumbullakësimit të punimeve të seminarit didaktik me konkluzionet finale si dhe me punë praktike me simulim të orës së mësimit me tema interesi dhe punë grupore ku relatorët u përgjigjën në testet e parashtruara.Kështu edhe u arrit qëllimi përfundimtar i këtij organizimi kaq serioz dhe frytdhënës që do të rrumbullaksojë gjithë veprimtarinë e deritanishme të shkollave shqipe në Itali duke institucionalizuar ekzistimin e tyre dhe duke koordinuar në të ardhmen nëpërmjet Komisionit të Mësuesve dhe Lidhjes së Arsimtarëve që patjetër do të ketë edhe elementin e rëndësishëm substancial për mbarëvajtjen e shkollave shqipe e ata janë prindërit e ndërgjegjshëm dhe patriota shqiptarë.

Në mbarim të seminarit pjesëmarrësit në mënyrë solemne u pajisën me Çertifikata pjesëmarrjeje nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës si dhe u lexua edhe mesazhi nga Tirana ku zonja Anila Ferizaj i përshëndeste seminaristët duke i përgëzuar për sukseset në punën e tyre gjatë kësaj ngjarje të rëndësishme duke pohuar edhe njëherë përkrahjen e parezervë të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Seminari i mbylli aktivitetet e tij me drekën që shtroi nikoqiri nga Bassano, Shoqata kulturore “Bashkimi Kombëtar” me sponzorizimin e veprimtarit të nderuar, afaristit nga Kosova me banim në Bolzano z. Elmi Vrenezi i cili përherë i ka dalur në përkrahje veprimtarive kulturore dhe patriotike të mërgatës shqiptare në veriun e Italisë.

Duhet falenderuar në fund edhe organizimin e shkëlqyeshëm të mbarëvajtjes së seminarit dhe pjesës artistike, veprimtarët e zellshëm të kryesisë së shoqatës nikoqire :Vezir Gashi, Mentor Hajrizaj, Kushtrim Neziri, Mustafë Bojaj, Ragip Thaqi dhe kryetari Avdi Beqiri që krijuan atmosferë pune e bashkëpunimi dhe relaksimi sikur të ishin në ambient familjar gjatë tri ditëve të mbajtjes së seminarit i cili do të ngelë në kronikën e mërgatës shqiptare si organizim i pjekur dhe me rezultate që premtojnë ardhmëri të sigurt të fëmijëve dhe rinisë shqiptare të lindur dhe rritur në Itali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat