Festivali i Malmös- i Poezisë dhe Muzikës Artistike Shqiptare

Diaspora

Festivali i Malmös- i Poezisë dhe Muzikës Artistike Shqiptare

Nga: Qerim Kryeziu Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 11:58
Malmo

Në Malmö të Suedisë u realizua të shtunën mbrëma Festivali i XVI-të  me radhë i Poezisë dhe Muzikës Artistike Shqiptare. Festival ky që ka bërë traditë duke vargëzuar në sirtarin e vet  edhe vlera artistike. 16 vjet punë e përkushtim për të tubuar zërat poetik, 16 vjet përpjekje për të ruajtur e për të kultivuar traditën muzikore të shqiptarëve në mërgatë në formatin e këtij Festivali-thanë drejtuesit e programit. Festivali është aktivitet i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, suksesi më i madh i këtij Unioni dhe si i tillë i vetmi në gjithë diasporën shqiptare.

Mbrëmja e Festivalit

Festivali i Malmös filloi me promovimin e veprave letrare që u botuan në hapësirën kohore brenda dy festivaleve. Kësaj radhe u bë promovimi i dy përmbledhjeve poetike të dy shkrimtarëve që jetojnë e punojnë në Suedi. Riza Sheqiri promovoi  veprën “Ljusets spindel”  (“Merimanga e dritës”) të botuar në suedisht nga shtëpia botuese “Ordspårets Förlag” dhe Sevdail Zejnullahu veprën “Çelësin varur në qafë” botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese “Faik Konica”. Veprës së  Sheqirit i bëri një vështrim kritiko-letrar Qerim Kryeziu, kurse për veprën e Zejnullahut foli poeti Riza Sheqiri.

Image

Pas një pushimi të shkurtër filloi Festivali i XVI-të në Sallën Mbretërore,  brendësia e së cilës shkëlqimin e vet e përthyente butësisht në shtyllat me plot finesa barok. 

Fillimi, konkurruesit dhe mysafirët

Drejtuesit Gala dhe Qerim Kryeziu e filluan duke ua kujtuar të pranishmëve se  Poetët gjithmonë janë lartësuar mbi mbretër. Festivali i sivjetmë nderon tre përvjetorët madhor të kombit shqiptar: 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, 106 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.  Pastaj ftuan kryetarin e Unionit Sadulla Zendelin- Daja që të përshëndes krijuesit dhe të hap Festivalin. Daja është leksikograf i njohur, njeri i vlershëm dhe shembull i qytetarit shqiptar në Suedi. Foli edhe Ahmet Bella, sekretar organizativ i Unionit dhe ideator e themelues i këtij Festivali.

Sivjet, konkurruan në Festival 27 poetë dhe 5 pjesë muzikore. Poetët vinin nga Suedia, Norvegjia, Gjermania, Anglia, Greqia, Shqipëria dhe Kosova. Pjesët muzikore vinin nga Suedia. Të gjitha leximet dhe interpretimet i vlerësoi Juria e Festivalit. Pjesët muzikore u interpretuan nga Maria Herrlin dhe Feride Istogu Gillsberg-soprano, Christina Bongas-alt dhe Ahmet Bella-tenor. I përcillte në piano Eva Hallberg. Përjetoje kënaqësi e ndjeheshe krenar teksa dëgjoje tek kumbonte shqipja jonë në vokalin e kultivuar të artistëve shqiptarë e suedezë.

Image

Të ftuar në Festival ishin edhe trupat diplomatik shqiptarë  në Suedi, ambasadori i Shqipërisë Virgjil Kule me këshilltarin Albert Jerasi dhe i ngarkuari me  punë në ambasadën e Kosovës Sedat Burrniku me zëvendës ambasadorin Agron Smakiqin.  Burrniku  vlerësoi punën e Unionit duke e konsideruar Festivalin si më të vjetrin e më seriozin në Skandinavi.  Virgjil Kule bëri  përshtypje të veçantë  tek të pranishmit jo aq shumë me të sotmen e tij si ambasador, aq sa me të djeshmen e tij si gazetar i Televizionit Shqiptar. Kule përshëndeti ngrohtësisht dhe lexoi vet poezi kurse drejtuesi i programit në shenjë falënderimi i kujtoi kohën kur ai ishte zëri jonë pushkë dhe pushka që vriste propagandën serbe për Kosovë. 

Përshëndeten edhe Sami Piraj nga Ministria e Kulturës dhe Shyhrete Kastrati nga Ministria e Diasporës.

Fituesit e Festivalit në Malmo

Juria në përbërje Zyrafete Manaj-Kryeziu-kryetare, Feriz Ferizi-anëtar, Bahtie Breznica-anëtare  dhe Ejup Krasniqi-anëtar nuk e patën të lehtë përzgjedhjen. Ky ishte konstatim unanim i Jurisë. Sidoqoftë u ndanë të gjitha çmimet e parapara, kësaj radhe edhe një më shumë –çmimi i Jurisë. Vendin e parë për poezi e mori Xheladin Rexhepi me poezinë “Udhëtimi nëpër hirin e shtëpisë sime”, vendin e dytë Riza Sheqiri me poezinë “Kur në Atdhe i vdes nëna mërgimtarit” dhe vendin e tretë Aferdita Xani me poezinë (prozën poetike) “Në burgun e tmerrit”. Vendin e parë në muzikë e mori kompozimi i  Sami Pirajt me  pjesën “Natë e vonë” të kënduar nga Maria Herrlin-soprano dhe të luajtur në piano nga Eva Hallberg.  Ministria e Kulturës i ndau çmim Liridona Jakupit për poezinë “Refuzoj”. Liridona Jakupi fitoi edhe çmimin “Kosovë Rexha-Bala”çmim i Fesivalit. Çmimi i Jurisë që kësaj radhe u nda për herë të parë i takoi poezisë “Mileniumi i III-të” i  autores Rina Sllovinja.

Fesivali i XVI-të  përfundoi punën me sukses, dikur vonë në natën me plot yje në qiellin e ftohtë të Malmös. Grimcat poetike me motive malli e atdhedashurie që u shfaqen në fillim në fytyrat e poetëve mërgimtarë, dukej sikur shkriheshin dalëngadalë më vonë në muzikën plot gaz e shpresë të këngëtares poete Afërdita Xani. U këndua dhe u vallëzua deri vonë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat